Protesta të mëdha kundër transportit radioaktiv në Gjermani
8 Nëntor 2010Protestuesit kanë bllokuar një sërë rrugësh duke penguar edhe furnizimin e trupave të policisë apo ndërrimin e skuadrave të policëve. Partia Ekologjike gjermane kërkoi në parlament mbajtjen e një seance të posaçme në lidhje me transportet në fjalë dhe politikën e qeverisë në lidhje me energjinë atomike. Kryetari i grupit parlamentar të ekologjistëve Volker Beck tha sot: "Demonstratat më të mëdha të të gjitha kohëra kundër transportit të castorëve tregon se qetësia në politikën atomike ka marrë fund. Zgjatja e kohës së punës për centralët atomikë e ka shkatërruar konsensin në politikën atomike."
Ç'është Castor?
Castor është shkurtimi në anglisht i "cask for storage and transport of radioactive material", "fuçi për depozitimin dhe transportimin e materialit radioaktiv". Transporti i konteinierëve të tipit Castor në Gjermani bëhet me trena mallrash dhe vetëm kilometrat e fundit nga stacioni i Dannenbergut deri në vendin e depozitimit të tyre nën tokë në Gorleben bëhet me kamionë transporti. Çdo transport materialesh radioaktive nga stacioni i përpunimit të mbetjeve radioaktive në La Hague të Francës për në Gjermani shoqërohet me rezistencë të madhe në radhët e popullsisë. Protestuesit nuk organizojnë vetëm demonstrata por bllokojnë edhe rrugët e transportit hekurudhor dhe rrugor. Në protesta marrin pjesë edhe aktivistë francezë të mbrojtjes së ambientit.
Shkaku i protestave
Protestat drejtohen në radhë të parë kundër vazhdimit të prodhimit të mbetjeve radiokative dhe sidomos kundër depozitës në Gorleben, e cila konsiderohet si e pasigurt dhe e rrezikshme. Banorët e Gorlebenit kanë frikë se vazhdimi i transporteve është një vendim politik që ky vend do të vazhdojë të shërbejë edhe në të ardhmen si depozitë për mbetje radiokative. Zgjatja e periudhës së punës së centralëve atomikë në Gjermani do të bëjë që mbetjet bërthamore në vend të shtohen me 1/4 e sasisë.
Autor: Pandeli Pani
Redaktoi: Bahri Cani