• Presidentit gjerman Horst Këhler flet para parlamentit izraelit • Numër rekord i të papunëve në Gjermani | Studimi në Gjermani | DW | 03.02.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

• Presidentit gjerman Horst Këhler flet para parlamentit izraelit • Numër rekord i të papunëve në Gjermani

Temat qëndrore të shtypit të sotëm gjerman janë fjalimi i Presidentit gjerman Horst Këhler përpara parlamentit izraelit si dhe numri rekord i të papunëve në Gjermani.

Presidenti gjerman Köhler duke folur ne parlamentin e Izraelit

Presidenti gjerman Köhler duke folur ne parlamentin e Izraelit

Gjatë qëndrimit në Izrael Presidenti gjerman Horst Këhler foli edhe përpara parlamentit të vendit, duke e filluar fjalimin e tij në hebraisht. Këhler tha se përgjegjësia për holokaustin është pjesë e identitetit gjerman dhe se Gjermania do të veprojë më me vendosmëri për të luftuar antisemitizimin, i cili sipas tij së bashku me ksenofobinë ende vazhdojnë të jenë të pranishme në shoqërinë gjermane.

Në lidhje me fjalën e presidentit gjerman përpara parlamentit izraelit gazeta "Kölner Stadt-Anzeiger" shkruan:

"Mes popullit që shkaktoi holokaustin dhe atij të viktimave të tij nuk ka dhe nuk do të ketë ndonjëherë normalitet. Në pranimin e këtij fakti qëndron edhe baza e vërtetë e marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe Izraelit. Po ndoshta Këhleri gjeti vërtet fjalët e duhura dhe të pranueshme edhe për izraelitët. Momenti kur presidentit i dolë lotë nga sytë dhe desh i iku zëri, kur po fliste me rastin e 60-vjetorit të çlirimit të Aushwitzit, ishte shumë prekës."

Edhe komentatori i "Stuttgarter Nachrichten" gjen fjalë lavdëruese për presidentin gjerman:

"Horst Këhleri e kaloi shkëlqyeshëm pjesën më të vështirë të vizitës së tij në Izrael. Kjo pritej, por nuk është e vetëkuptueshme. Vizita e Presidentit karakterizohej prej idesë që duhet drejtuar bashkarisht vështrimi drejt së ardhmes, por pa u harruar përgjegjësia për holokaustin, si dhe prej premtimit të qartë për ta luftuar me të gjitha forcat ekstremizimin e djathtë në Gjermani. Por edhe në këtë rast Këhleri gjeti tonin e duhur, kur tha se është krenar që në Gjermani është ngritur një shoqëri demokratike e qëndrueshme. Këhleri bëri miq në Izrael, dhe kjo është një miqësi me perspektivë."

Gazeta "Nürnberger Nachrichten" e përqëndron vëmendjen tek reagimi i i presidentit gjerman ndaj kërkesës së Izraelit për nxjerrjen jashtë ligjit të partive ekstremiste të djathta gjermane.

"Duke iu referuar kërkesës së të gjithë izraelitëve për ndalimin e partive ekstremiste të djathta gjermane, Presidenti mbajti një qëndrim të përmbajtur, që është për t'u vënë re. Ai shprehu mirëkuptim të plotë për emocionet që shkaktojnë në Izrael demonstratat e neonazistëve në Gjermani, por bëri të qartë se kontradiktat me ta duhen zgjidhur kryesisht me rrugë politike. Nga të gjitha bisedat u bë e qartë se politikanët izraelitë nuk besojnë seriozisht se në Gjermani mund të rikthehej nazizmi. Në mënyrën më të qartë kjo u dëgjua nga fjalët e kreut të opozitës izraelite, Jozef Lapid, i cili është i vetmi deputet i parlamentit izraelit që bën pjesë ndër ata që mbijetuan prej holokaustit."

Kalojmë në temën tjetër, raportin e fundit të Agjencisë federale për Punën, sipas të cilit në janar numri i të papunëve në Gjermani kapi shifrën e 5 milionë e 37.000 vetëve.

Artikullshkruesi i "Mannheimer Morgen" e vë theksin tek shkaqet për papunësinë e lartë në Gjermani:

"E keqja më e madhe është se kostoja e prodhimit në Gjermani është tepër e lartë. Barra e taksave, shpenzimet për rrogat, burokracia dhe sistemi i ngurtë i pagave janë ndër elementët më vdekjeprurës të vendeve të punës. Ajo që po lulëzon në vend është ekonomia informale. Kjo tregon se në vend ka ende mundësi për rritjen ekonomike, por vetëm kur krahu i punës është më i lirë. Vetëm kur të mbyllet humnera mes punës ilegale dhe asaj legale, mund të arrihet përgjysmimi i numrit të të papunëve, që synon qeveria aktuale."

Sipas mendimit të "Këlnische Rundschau" qeveria duhet të nxjerrë më në fund mësim dhe "të ulë nën 40% shpenzimet për pagesat në Gjermani. Deri tani nuk duket asnjë përpjekje në këtë drejtim. Ende nuk po reformohet sistemi i sigurimeve. Po ashtu ende nuk po shfuqizohen ligje, që me kërkesat e tyre pengojnë hapjen e vendeve të punës. Ministri Clement flet për çburokratizim. Nga ana tjetër të gjelbërit po e shtojnë me ligjet e tyre kundër diskriminimit xhunglën e paragrafëve për firmat e vogla, që bëhet edhe më i vështirë, sepse ato nuk kanë sektor juridik."

  • Data 03.02.2005
  • Autor PP
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arwt
  • Data 03.02.2005
  • Autor PP
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arwt