Pasqyra e shtypit të Gjermanisë | Studimi në Gjermani | DW | 14.04.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit të Gjermanisë

Në qendër të shtypit të sotëm gjerman është gjendja e tensionuar në Irak dhe rritja e presionit mbi presidentin amerikan Xhorxh Bush për gjetjen në afat të shkurtër të një zgjidhjeje.

Lidhur me këtë gazeta "Süddeutsche Zeitung" e Mynihut shkruan: "Ashtu si në rastin e Vjetnamit nën qeverisjen e presidentëve Kenedi, Xhonson dhe Nikson, edhe nën qeverisjen e Bushit nuk duket në horizont ndonjë zgjidhje politike e cila do t'i jepte Irakut të pushtuar një qetësi relative në liri relative. Amerikanët, atëherë në Sajgon dhe tani në Bagdad po përpiqen të fitojnë "zemrat dhe mendjet" e të pushtuarve të çliruar. Por kjo po dështon pasi bota dhe rendi politik në hapësirën mes Mosulit dhe Basrës konceptohen krej ndryshe nga ç'bëhet në Uashington e San Fransisko."

Ndërsa në gazetën "Frankfurter Rundschau" mbi të njëjtën temë lexojmë: "Që prej revoltës paralele sunito-shiite është bërë e qartë se jo vetëm planet politike por edhe ato operative të pushtuesve ishin më shumë të drejtuara nga dëshirat e Uashingtoni se sa nga realiteti në Irak. Për vendet arabe nuk ekzistojnë demokracia e çastit apo ushtria e policia artificiale. Aq më pak kur porosia vjen nga qeveria e presidentit Bush dhe kur urdhrat drejtohen kundër vendasve. Çdo firmë e madhe që do të kishte bërë planifikimin e aktivitetetit të saj me naivitetin e Pentagonit dhe sjelljen amatore të administratës civile të SHBA në Bagdad do të kishte humbur prej kohësh pozicionin lider në treg dhe do të ishte shpërbërë."

Gazeta e Lybekut "Lübecker Nachrichten" paralajmëron kundërshtarët e luftës ndaj shprehjes së kënaqësisë për plotësimin e parashikimeve të tyre.
"Rallë herë, lexojmë në të, kanë patur kritikët kaq shumë të drejtë brenda një kohe kaq të shkurtër. Por tani kjo nuk është më e rëndësishme pasi bëhet fjalë për të ardhmen e një rajoni të rëndësishëm fqinj me BE-në. Pikërisht tani ndihet qartë se sa e rëndësishme është një politikë e jashtme e përbashkët dhe se sa shumë ka munguar ajo për shmangien ndoshta të një situate si kjo përballë së cilës gjendemi. Gjendja është aktualisht tepër e rrezikshme edhe për një ndihmë të shpejtë nga Kombet e Bashkuara. Kështu një vështrim në historinë e gjatë e të përgjakshme të Lindjes së Mesme vetëm përforcon dyshimin se edhe në Irak paqja do të vonohet për një kohë mjaft të gjatë."

Gazeta "Tageszeitung" nën titullin "një fytyrë e vjetër për një imazh të ri" komenton sot zgjedhjet presidenciale në Maqedoni.

"Zgjedhjet në Maqedoni - shkruan "Tageszeitung" - mbahen në kushtet e një krize të thellë ekonomike ku numri i të papunëve të rregjistruar është 400.000. Por megjithë mjerimin social 3.500 vëzhguesit e zgjedhjeve në vend presin një zhvillim të qetë të tyre. Sondazhet e deritanishme flasin për një pjesëmarrje të pritshme prej mbi 50%, kufiri i kërkuar për vlefshmërinë e zgjedhjeve. I favorizuar në raundin e parë është kryeministri i vendit Branko Cervenkovski i Aleancës Socialdemokrate në pushtet. Sipas anketimeve të një instituti demoskopik në Shkup ai pritet të marrë shumciën e votave.
Sfiduesi i tij më i rëndësishëm është mjeku kardiolog Sasko Kedev i partisë VMRO-DPMNE me parrullën "një fytyrë e re për Maqedoninë". Kedev nuk ka lënë asgjë pa provuar për të vënë në qendër të fushatës së tij elektorale situatën e rëndë ekonomike dhe për të bërë përgjegjës kryeministrin Cervenkovski për rënien prej 40% të prodhimit industrial në vend. Megjithatë të dy kandidatët dëshirojnë të prezantohen të moderuar, premtojnë përmirësimin e kushteve për investime të huaja, përpjekje për barazi ndëretnike si dhe ndërmarrjen e një fushate për përmirësimin e imazhit të Maqedonisë në arenën ndërkombëtare. E pikërisht këto presin zgjedhësit në Maqedoni si dhe përmirësimin e kushteve ekonomike pas hyrjes së vendit në BE. Në garën për presidentin e ri të vendit konkurrojnë edhe dy shqiptarë të cilët sipas "Tageszeitung" kanë shanse të pakta. I favorizuar në rradhën e kandidatëve shqiptarë është përfaqësuesi i partisë në koalicionin qeveritar BDI, Gëzim Ostreni. Sfiduesi i tij është Zudi Xhelili nga PDSH. Si një nga pjesëmarrësit në nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit, Ostreni kundërshton strategjinë e Xhelilit për një platformë të përbashkët të partive shqiptare e cila sipas tij do të rriste tensionet ndëretnike që janë reduktuar ndjeshëm me pjesëmarrjen e BDI-së në qeveri. Për ripajtim mes grupeve të ndryshme etnike nuk dëshiron aspak të flasë ish ministri i brendshëm i Maqedonisë Ljube Boshkovski i cili merr pjesë në garën presidenciale si kandidat i pavarur, por për të cilin sondazhet parashikojnë vetëm 4% të votave"-përfundon "Die Tageszeitung".

  • Data 14.04.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/As17
  • Data 14.04.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/As17