Pasqyra e shtypit të Gjermanisë | Studimi në Gjermani | DW | 01.09.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit të Gjermanisë

Samiti i troikës Shrëder, Shirak Putin në Sotshi dhe Kongresi i republikanëve në Nju Jork janë temat më të komentuara në shtypin dhe mediet e Gjermanisë.

"Me takimin evropian të nivelit të lartë në Sotshi hapet një kapitull i ri në historinë ndërkombëtare. Ajo që nisi në mënyrë të improvizuar në mars të vitit 1998 në Moskë, ka marrë tashmë formë të qëndrueshme", shkruan në komentin e saj e përditshmja "Kölnische Rundschau" mbi takimin e kancealrit të Gjermanisë Gerhard Shrëder, Presidentit të Francës Zhak Shirak dhe atij të Rusisë Vladimir Putin. Më tej në koment lexojmë: "Politika e Evropës në të ardhmen do të influencohet edhe prej trikëndëshit të pushtetit të përbërë nga një konservator francez, një socialdemokrat gjerman dhe nga një autokrat rus. Që pas takimit të djeshëm në Sotshi është e qartë, se Shrëder dhe Shirak e pranojnë pakufizim versionin e Putinit për terrorizmin... Raprezaljet nga më brutalet kundër pakicave kombëtare jo vetëm që injorohen, por në këtë mënyrë ato sanksionohen në nivel ndërkombëtar."

Gazeta e Erfurtit "Thüringer Allgemeine" mbi të njëjtën temë vëren:

"Në samitin me Francën dhe Gjermaninë në qytetin bregdetar Sotshi duke iu shmangur temave delikate ishte mjaft e lehtë të bihej dakord për vendosjen e terrorizmit ndërkombëtar në një emërues të përbashkët. Kjo troikë u krijua në fund të fundit si një bashkësi nga halli nga vendet e cilësuara prej SHBA si kundërshtarë të luftës së Irakut. Që pjesëmarrësve u ka pëlqyer kjo bashkësi e dëshmon fakti, se ky është takimi i tretë. Presioni në rritje i presidentit Bush për më shumë angazhim në Irakun e pasluftës mund të përballohet më lehtë në aleancë."

Vijon një citat nga komenti i gazetws "Saarbrücker Zeitung":

"Mendimi, se Franca, Rusia dhe Gjermania, mund të vendosin thekse politike përmes një aleance të ngushtë, nuk është pa gjë. Në cështjen e Irakut Shirak, Putin dhe Shrëder i janë përmbajtur me konseguencë pozicionit të tyre kundër superfuqisë, SHBA. Por ajo që ishte e drejtë për Xhorxh Bushin vlen edhe për Putinin. Kursi i Kremlinit në Çeçeni është mjaft i diskutueshëm, qoftë edhe duke marrë parasysh problemin e terrorizmit në këtë rajon të krizës. Por edhe në përgjithësi kreu rus i shtetit nuk të lë përshtypjen e një luftëtari të flaktë të normave demokratike. Ndaj mes miqsh do të duhej të ishin thënë disa "fjalë të qarta".

Së fundi mbi këtë temë citojmë edhe pjesë nga komenti i Deutsche Welle-s:

"Në Sotschi pati vetëm deklarata lapidare lidhur me Çeçeninë si: shpresa për përparime në drejtim të gatishmërisë parimore ruse për pajtim përmes dialogut dhe respektimi i parimit të integritetit të Rusisë. Këto janë pozicione, për të cilat s´ka pse të grindesh patjetër... Shrëder dhe Shirak në takimin e tretë të nivelit të lartë brenda një viti nuk i shprehën rezervat e tyre. Ndoshta Çeçenia nuk ka aq rëndësi për ta krahasuar me rajone te tjera të krizës në botë. Ndoshta ata mendojnë se është më e rëndësishme që të mos e zemërojnë Rusinë, si fqinjin më të madh të BE-së së zgjeruar. Putin, prestigji i të cilit ka pësuar krisje të lehta në politikën e jashtme nga kritikat ndërkombëtare për konfliktin në Çeçeni, gëzoi të qëndruarit krah për krah me të mëdhenjtë e Evropës. Me siguri që ai e ka ndjerë veten të konfirmuar."

Kalojmë në temën tjetër të komentuar pothuajse në të gjitha të përditshmet e Gjermanisë: Kongresi i republikanëve në Nju Jork.


Në gazetën "Leipziger Volkszeitung" lexojmë:

"Zgjedhjet presidenciale nuk do të vendosen as nga kritikët e Bushit dhe as nga simpatizantët e tij. Sa më të ashpra të jenë frontet midis dy kampeve aq më shumë peshë do të fitojnë zgjedhësit ende të pavendosur. Bush e ka kuptuar këtë që përpara kongresit të partisë republikane. Pohimi i tij, se terrori nuk mund të mposhtet, por vetëm mund të izolohet, ashtu si edhe pranimi, se në luftën e Irakut nuk i pat peshuar mirë të gjitha rrethanat, kanë për qëllim të tërheqin pikërisht këtë pjesë të elektoratit. Me këtë ai nuk ka parasysh kthesën në politikën e tij. Presidenti synon që të tërheqë atë pjesë të vogël të elektoratit, e cila në duelin Bush-Kerri nuk sheh konfliktin ideologjik, por atë pragmatik."

Shkëpusim edhe një citat nga artikulli i gazetës "Tageszeitung":

"Ai që 3 vjet pas 11 shtatorit ka nevojë të përdorë skenën "ground zero" për ta kujtuar publikun për kuotat e larta miratuese të asaj kohe, sic duket ka frikë se tani axhenda e tij nuk pritet mirë nga publiku. Megjithatë strategjia ia del. Mesazhi i demokratëve ishte: Bushi është keq, por Kerri nuk është Bushi. Republikanët replikuan me: Kerrit nuk i ke besë dhe Bushi është president. Një gjë e tillë mund të funksionojë vetëm në kohë lufte dhe nga frika. Por për këtë qeveria e Bushit lufton me të gjitha mjetet, e kjo mund t´i mjaftojë atij."

  • Data 01.09.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aryd
  • Data 01.09.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aryd