1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit të Shqipërisë

Ani Ruci3 Nëntor 2003
https://p.dw.com/p/As4c

Gazeta "Shekulli" boton në rubrikën e saj "Ngjarje dite" një deklaratë të Ilirian Celibashit, kryetar i KQZ sipas së cilës pritet që rezultatet e votimit të 12 Tetorit në Tiranë të dalin së shpejti. Celibashi kritikon partitë politike pa dallim se "kanë ushtruar presion të paligjshëm dhe amoral ndaj KQZ dhe se politika nuk i ka dhënë këtij komisioni mbështetje ligjore dhe institucionale." Duke mbetur sërish në temën e zgjedhjeve lokale ndalemi tek gazeta "Panorama" e cila boton një analizë të hollësishme, të shkruar nga Miranda Vicker, pjestare e Grupit të Krizave, me qendër në Bruksel. Sipas saj aspekti më shqetësues në procesin zgjedhor të 12 Tetorit ishte pjesëmarrja e ulët në votime. " Në çdo proces zgjedhor shqiptarët po bëhen më apatikë kundrejt procesit politik dhe në veçanti ndaj lidershipit politik- shkruan Vickers në analizën e botuar në gazën " Panorama". Si shembullin më tipik të indiferencës ajo sjell Shkodrën , ku vetëm 29% e zgjedhësve shkuan në votime. Gjatë viteve në demokraci shqiptarët kanë votuar me shpresën se do të ketë ndryshime në rradhë të parë do të ketë punë, ujë dhe drita më shumë. Tani shumë kush nuk e merr mundimin të shkojë në votime- konstatohet në analizën" Zgjedhjet treguan apatinë e zgjedhësve, botuar në gazetën" Panorama." Gazeta" Koha Jonë" boton lajmin e përsëritjes në 16 Nëntor të zgjedhjeve lokale në 32 zona zgjedhore, për shkak te parregullsive që u shfaqën jo vetëm gjatë procesit të votimit por sidomos gjatë numërimit të votave. Komentet për ndryshimet që socialistët do t´i bëjnë statutit të tyre, mbizotërojnë sot në rubrikat kushtuar politikës në gazetat" Shekulli" dhe " Koha Jonë." Që të dyja këto të përditshme i shohin ndryshime të tilla të pritshme - emërimin e sekretarëve të partisë, të anëtarëve të kryesisë dhe unifikimin zyrtar te postit të kryetarit me atë të kryeministrit - si përpjekje të Fatos Nanos për t'u bërë i plotfuqishëm në parti, për të shtuar kompetencat dhe për të limituar mundësinë e fitores së rivalëve të në Kongresin e PS-së në dhjetor. Gazeta "Shekulli" boton boton një deklaratë të deputetit socialist Petro Koçi, anëtar i grupit të punës pë ndryshimet në statut. Sipas tij gjithë procesi i ndryshimeve nuk është i shëndetshëm dhe se disa formulime kanë ardhur jo nga forumet e partise por nga kryeministria. Gazeta "Koha Jonë" boton një koment lidhur me marrdheniet aktuale mes liderit të opozitës Sali Berisha dhe kryeministrit dhe kryetarit socialist Fatos Nano. Sipas gazetës përqëndrimi i luftës opozitare të Berishës për të rrëzuar Nanon nga posti i kryeministrit vetëm sa e forcon këtë të fundit duke i shtuar pikët ne strukturat e socialiste të bazës. "Me lojën e tij politike Berisha po investon që Nano të fitojë në Kongres dhe të rizgjidhet kryetar" shkruan " Koha Jonë".