1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit të Gjermanisë

13 Prill 2004

Në komentet e shtypit të Gjermanisë trajtohen sot ngjarjet në Irak - Wiener Zeitung boton një analizë për Kosovën

https://p.dw.com/p/As1A

Fillimisht në gazetën e Bonit "General Anzeiger", lidhur me ngjarjet në Irak dhe vrasjen e dy nëpunësve të shërbimit të mbrojtjes kufitare gjermane, lexojmë: "Çfarë bënë dy djemtë e rinj në Irak? Asgjë. Ata ndodheshin në rrugë e sipër, një udhëtim rutinë ky, drejt ambasadës gjermane në Bagdat për të ndërruar turnin në shërbimin e rojes. Prej kohësh rebelëve irakianë nuk u bën më përshtypje, se kë vrasin apo kë marrin peng. Fakti që Gjermania nuk merr pjesë në luftën kundër Irakut, asnjëherë nuk ka shërbyer si rrethanë mbrojtëse, rasti i dy nëpunësve gjermanë e provon këtë. Ndaj edhe thirrja e ministrisë së jashtme në Berlin drejtuar të gjithë shtetasve gjermanë për t´u larguar nga Iraku është një konseguncë logjike."

Gazeta "Ostthüringer" në Gera shkruan: "Tashmë destinacion për sulmet e grupeve kryengritëse në Irak nuk janë vetëm trupat pushtuese, por edhe të huajt, që kanë shkuar për qëllime paqësore në këtë vend. Bandat rebele nuk bëjnë më asnjë dallim. Ata të gjithë të huajt i fusin në një kallëp me agjentët e CIA-s dhe të grupeve të të pafeve."

E përditshmja berlineze "Tagesspiegel" nënvizon: "Mos vallë Iraku është Vietnami i Bushit? Si në cdo analogji historike edhe në këtë rast rezervat janë mëse të qarta: lufta në Vietnam zjgati 18 vjet duke u kushtuar jetën 58.000 ushtarëve amerikanë. Por këto janë të tjera dimensione. Përvec kësaj amerikanët ende mendojnë, se një shumicë e heshtur në Irak është e gëzuar për rëzimin e Sadam Huseinit. Kundër trupave pushtuese ende nuk ka ndonjë rebelim mbarëkombëtar."

E përditshmja "Nürnberger Nachrichten" komenton: "Shenjat nuk janë të mira për reputacionin e Xhorxh Bushit. Presidenti i SHBA ndodhet nën një presion masiv. Politika e tij për Irakun po dëshmohet si një dështim, si një aventurë, në të cilën me shumë të drejtë kancelari gjerman Gerhard Shrëder dhe presidenti francez Zhak Shirak nuk deshën të involvoheshin. Lufta e Bushit kundër terrorizmit po has gjithnjë e më shumë në kritikë, sepse ai nuk i morri me seriozitet parapajmërimet përpara sulmeve dhe i vendosi gabim prioritetet. Kësaj i shtohet edhe fakti që luftimet në Afganistan po ashpërsohen. E gjitha kjo po ndodh vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve presidenciale. Rrallëherë ndonjë president amerikan e futur veten në një qorrsokak të tillë si Bushi."

Nga shtypi i sotëm gjermanofon vecojmë edhe një koment lidhur me të ardhmen e Kosovës. Në gazetën vjeneze "Wiener Zeitung" botohet një analizë e ekspertes për Ballkanin Kristine von Kohl, e cila është edhe botuese e revistës "Ballkani/Dialogu i Evropës Juglindore".

Kosova - ç´të bëjmë tani? Nën këtë titull ekspertja analizon zhvillimet në Kosovë që pas luftës deri më sot dhe shtron pyetje për të ardhmen. Artikulli fillon si më poshtë: Në qarqet politike të Perëndimit, në Uashington, në Berlin dhe në Vjenë qarkullon shprehja: "Nëse Beogradi dhe Prishtina do të bien dakord për ndarjen e Kosovës, bashkësia ndërkombëtare do ta pranojë atë." Por ajo që është më interesante në këtë fjali që ngjall shqetësim, është fakti, se Kosova nuk di asgjë lidhur me bisedime mbi këtë temë."
Duke shtjelluar këtë tezë, Krisitne von Kohl bën një analizë të hollësishme të gjendjes në Kosovë duke filluar që nga problemet ekonomike e deri tek ato politike. Citojmë: "Ka dy faktorë që kanë të bëjnë me realitetin e protektoratit në Kosovë: Së pari kërkesa "standardet përpara statusit" pengon investimet e huaja si dhe ato vendase në Kosovë. E kjo do të thotë për njerëzit një mungesë perspektive për një të ardhme të afërt më të mirë."
...Së dyti kosovarët e ndjejnë veten të zhgënjyer nga Perëndimi. Ndërsa në vitin 1999 ata mendonin, dhe me të drejtë, se sulmi i NATO-s ishte i justifikueshëm për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut, pra të të drejtave të shqiptarëve nga politika e qëllimshme e Serbisë. Pas luftës kosovarëve iu desh të pranojnë që bashkësia ndërkombëtare fillimisht morri në mbrojtje serbët në Kosovë."...
Duke iu kthyer sërish tezës së shtjelluar në fillim të artikullit, ekspertja për Ballkanin shkruan: "Zotërinjtë në Uashignton e në Berlin duhet ta kenë kuptuar me kohë, se cdo pazar me politikanët serbë për ndarjen e Kosovës jo vetëm do të shkaktonte trazira të menjëhershme në Kosove duke rrezikuar të gjithë vendet fqinjë në reaksion zinxhir, por lëvizje të tilla detyrimisht mund të conin edhe në nxitjen e ambicijeve për Shqipëri të madhe.
...E pra c´mund të bëhet për zgjidhjen e problemit të Kosovës? Përgjigja është: Të hapen vende pune, të kihet durim dhe më pas të ofrohet dialogu dhe ndërmjetësimi. Kjo rrugë presupozon konsolidimin e parimeve demokratike, nënvizon Kristine von Kohl në artikullin e botuar sot në gazetën vjeneze "Wiener Zeitung".