1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman të së shtunës

12 Gusht 2005
https://p.dw.com/p/AruH

Shtypi i sotëm gjerman përqendrohet kryesisht në tema të politikës së brendshme gjermane.

Gazeta WESTDEUTSCHE ZEITUNG që del në Dyseldorf shkruan për diskutimet për një koalicion midis dy partive më të mëdha: Partisë Kristjandemokrate, CDU dhe Partisë Socialdemokrate, SPD:

"Në asnjë periudhë legjislative nuk iu desh komisionit ndërmjetësues të mblidhej për kaq shumë ligje sa në aktualen. Nevoja për ta përpunuar cdo koncept politik në atë masë, sa prej tij të mbeten vetëm thërmia të reformës, ka të bëjë me zhvillimet e gabuara të rendit federal. Eshtë një ironi e historisë, që një koalicion i madh do të ishte parakushti më i mirë për një reformë të gjerë shtetërore, e cila t'u jepte fund këtyre bllokadave permanente. në fund të fundit, ka qenë Koalicioni i Madh i viteve 1966 deri 1969, i cili me anë të zhvillimit të kushtetutës financiare cimentoi dikur lidhjen e federatës dhe të landeve në një sektor qendror."

Ndërsa OSTSEEZEITUNG komenton udhëtimet elektorale të kancelarit Shrëder:

"Kancelari ndodhet në udhëtime zbulimi. Ai po zbulon punonjësit, të cilëve së fundi po u uron rroga më të larta. Ai po zbulon nga e para sindikatat, të cilat i mbështet në politikën e kontratateve të punës; ai zbulon shtresën e mesme si motorin e vërtetë të punës në Gjermani; dhe ai rizbulon armikun e betuar të zonjës së vjetër socialdemokraci: koncernet e mëdha. Më e vonta tani, njeriu mëson: në Gjermani është fushatë elektorale dhe Shrëderi ndodhet në formë. Edhe njëherë po e provon mjeshtri i rokadës politike fatin e tij. Por shanset për ta fituar lojën janë të dobëta. Neo-socialdemokracia e Shrëderit i mori partisë së tij vlera dhe ideale. Shkurtimet sociale me reformat e diskutueshme Harc ose me kompromisin e kalbur për sigurimin shëndetësor kanë goditur pikërisht ato shtresa, avokate e të cilëve përpiqet të hiqet Partia Socialdemokrate Gjermane."

Për disa gazeta gjermane, interesant edhe në fundjavë mbetet aktiviteti elektoral i partive unioniste, të cilat tërhoqën vëmendjen që në krye të javës me publikimin e strategjisë së tyre elektorale. Kështu përshembull lexojmë në gazetën STUTTGARTER NACHRICHTEN:

" Të enjten, kryetarja e CDU-së dhe kandidatja për kancelare, Angela Merkeli ishte rrugës me një mision të vështirë- për të kufizuar dëmet përmes stacionit televiziv ZDF. Le ta themi që në fillim: ajo e bëri mirë punën e saj. Ose e thënë më saktë: aq mirë sa qe e mundur. Kur në një fushatë elektorale thuajse gjithcka del jashtë kontrollit dhe kur drejtuesja e emisionit pyet nga fillimi në fund vetëm për aksidentet që i kanë shpëtuar CDU-së, atëherë duhet të jesh i lumtur kur në fund krijohet një përshtypje solide. Nuk kishim të bënim me ndonjë shfaqje triumfante, as me ndonjë show mediatik - këto gjëra nuk i bën Merkeli, ajo as është në gjendje për to dhe as nuk i do. Por: ajo ka se cfarë të thotë, dhe ajo që thotë ajo tingëllon e ndershme. Në rastin më të mirë, edhe është e ndershme."

Ja edhe MITTELBAYERISCHE ZEITUNG:

" E urta, nganjëherë shumë e urta Angela Merkel ia la para tri vjetësh pa fjalë kandidaturën e kancelarit Edmund Stoiberit. Dhe pastaj e mbështeti me vrull të madh fushatën e tij elektorale. Do të ishte minimalja, që Shtoiberi (pas deklaratës së tij se nuk duhet të jetë lindja e Gjermanisë që të përcaktojë sërish kancelarin), tani të angazhohet fuqimisht për gjermanolindorët. Me shprehje megjithatë të menduara, sepse luani i CSU-së tani do të jetë nën vëzhgim të përqendruar. Nga mediet po se po, por edhe nga rezidenca e CDU-së, Shtëpia Konrad Adenauer. Nëse unionistët nuk duan ta hedhin dëm shansin për të fituar, atëherë ata duhet të luftojnë vërtet me vendosmëri. Snajeperët nga radhët e tua mund të kenë efekt vdekjeprurës."

Në gazetën AUGSBURGER ALLGEMEINE për të njëjtën temë lexojmë:


"Me sa duket në Mynih është kuptuar se sharja në bllok e zgjedhësve ishte një gabim- dhe pranohet tërheqja e fortë e veshit që kandidatja për kancelare i dha me ton të moderuar,por imponues shefit të Partisë Kristjansociale Gjermane, CSU. Merkelit iu desh të reagonte për të cimentuar pretendimin e saj për drejtim dhe për të qetësuar dallgët e shqetësimit. Mjete disiplinore ajo nuk ka dispozicion. Ajo mund të shpresojë vetëm që Shtoiberi ta mbështesë atë më fund pa rezerva. CDU-ja dhe CSU-ja i fitojnë ose i humbasin së bashku zgjedhjet. Nëse Shtoiberi kërkon në federatë ndryshim të politikës, atëherë ai duhet t'i peshojë në të ardhmen fjalët e tij më mirë dhe të luftojë sup më sup me zonjën Merkel."