Pasqyra e shtypit gjerman të së shtunës | Studimi në Gjermani | DW | 14.04.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman të së shtunës


Tema më e komentuar e gazetave gjermane të së shtunës është sërish vrasja e një vajze myslimane nga i vëllai në Gjermani, për të ruajtur nderin e familjes.

FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG shpjegon:

"Vrasjet në emër të nderit në vendet islamike janë pjesë e traditave, të cilat- ashtu si gjakmarrja- vërtiten rreth një koncepti arkaik nderi. Ai përmban figurën e një gruaje, e cila shihet më pak si qenie e pavarur, se sa si "nderi i burrit". Përmes dënimeve të frikshme, por edhe punës sqaruese, duhet shpërbërë ngadalë dhe të shkatërrohet ky rrjet special dhune, i cili sot është kryesisht fenomen "islam". Vrasja mbetet vrasje. një rrethanë kulturore lehtësuese këtu nuk mund të ekzistojë. Pikërisht zërat e vendosur të turqve për raste të tilla të bëjnë të shpresosh se në kuadër të përpjekjeve për integrim të zërë vend një realizëm më i madh edhe tek shumë politikanë gjermanë."

Gazeta e Bonit, GENERAL ANZEIGER hedh vështrimin në një kuadër më të gjerë:

"Vrasja e Hatun Sürücüt, të cilin i vëllai Ayhan e fshiu me plotëkuptimin e fjalës nga faqja e dheut, është një dëshmi mizore, se vlerat perëndimore nuk kanë mbërritur në asnjë mënyrë në të gjitha pjesët e shoqërisë turke. Familjet si Sürücütë, të cilat ndjekin rregulla fetarë të kuptuar gabimisht, nuk janë raste të vecuara. Ai që kërkon integrimin e emigrantëve, ai që kërkon ta integrojë Turqinë në BE nuk do të shpëtojë dot pa marrë vendimin për t'i dhënë fund më mirë sot se nesër mesjetë së "vrasjeve në emër të nderit". Dhe në njëfarë mënyre, edhe nëse tingëllon populiste, të vjen të mbështesësh senatorin e punëve të brendshme të Berlinit, Ehrhart Körting: nëse familja Sürücü ka vërtet nder në trupin e saj, ajo do të bënte mirë që tani të largohej nga Gjermania."

TAGESSPIEGEL e Berlinit është e mendimit:

"Masakrimi i Hatun Sürücüt është rezultat i një politike, e cila 40 vjet më parë thirri në Gjermani forca pune dhe kur erdhën edhe njerëz analfabetë, fanatikë dhe brutalë patriarkalë. Politika e mencur e emigrimit ka pamje tjetër. Por meqenëse atëherë nuk dëshiroj as emigrim, dhe nuk ekzistonin as koncepte për një politikë integrimi, sot jetojnë midis nesh njerëz që në kokat e tyre, me vlerat e tyre jetojnë ende në atdheun nga vijnë. Ai që e ka seriozisht me integrimin, ai duhet të vendosë dhe të zbatojë rregulla për të gjithë."

Ndërsa BILD-ZEITUNG që botohet në Hamburg shkruan:

"Vrasja në emër të nderit në Berlin: sërish një simbol i integrimit të dështuar. Dhe vendimi i gjyqit - një shembull për përdorimin absurd të drejtësisë. Dorasi ishte në kohën e aktit 18 vjec, pra jo i mitur. Ai qe në gjendje të blinte dhe të shiste, të zgjidhte dhe të martohej pa aprovimin e prindërve, me të gjithë forcën ligjore. Vetëm kur e vrau motrën, papritur ai u quajt i ri- deri në moshën 21 vjecare në Gjermani është thuajse gjithmonë në fuqi kodi penal për të rinjtë. Me dënime maksimale më të ulëta dhe me rregulla më të buta të vuajtjes së dënimit. Meqënesë dorasve të rinj gjoja u mungon pjekuria morale dhe mendore, për të kuptuar padrejtësinë e aktit të tyre. Dorasit hapi zjarr tri herë nga afër në fytyrën e së motrës. Ai nuk ishte ai vërtet në gjendje të kuptonte se kjo është padrejtësi? Jo të miturit janë plotësisht të përgjegjshëm për aktet e tyre. Kjo duhet të vlejë edhe në kodin penal - pa përjashtim."

Dhe së fundi ALLGEMEINE ZEITUNG e Maincit:

"Gjykata bëri pikërisht atë, për të cilën ka të drejtë cdo i akuzuar tjetër: për aq kohë sa nuk konfirmohet qartë faji, nuk duhet të ketë dënim...Por vendimi i gjyqit të tërheq vëmendjen në mënyrë të dhimbshme në shumë pyetje, të cilat shoqëria duhet t'i zgjidhë me urgjencë. Për shembull: a ekziston në radhët e policisë dhe të drejtësisë një numër i mjaftueshëm ekspertësh, që e njohin funksionimin e shoqërive paralele radikale islamike? Atëherë gjyqi ndoshta nuk do të merrte këtë vendim të pakënaqshëm...Por para së gjithash, shoqëria gjermane duhet ta ketë të qartë se ku duhen mbështur me të drejtë dallimet kulturore dhe ku duhen vendosur kufij.

  • Data 14.04.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArqQ
  • Data 14.04.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArqQ