Pasqyra e shtypit gjerman të së enjtes | Studimi në Gjermani | DW | 22.12.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman të së enjtes

Temat: Rifillimi i proçesit Mannesmann dhe të drejtat e transmetimit për ndeshjet e futbollit

Jozef Akermann, Shefi i Deutsche Bank

Jozef Akermann, Shefi i Deutsche Bank

Në faqet e shtypit gjerman komentohet sot vendimi i Gjykatës Federale Gjermane për rifillimin e proçesit gjyqësor kundër shefit të Deutsche Bank, Jozef Akerman dhe katër të paditurve të tjerë të cilët në korrik të vitit 2004 ishin shpallur të pafajshëm nga gjykata e landit në Dyseldorf në skandalin Mannesmann. Vëmendja e shtypit të sotëm përqëndrohet edhe tek të drejtat e transmetimit të ndeshjeve të futbollit.

Gazeta "Süddeutsche Zeitung" mbi vendimin e Gjykatës së Lartë Federale për rifillimin e proçesit kundër shefit të Deutsche Bank në skandalin Mannesmann shkruan: "Tani është e qartë se bordi drejtues i kompanisë Mannesmann ka kryer një akt keqpërdorimi kur në pranverën e vitit 2000 u shpërndau shpërblime në shuma disa miliardëshe manaxherëve në kohën e blerjes së firmës nga kompania Vodafone. Për këtë është bindur Gjykata e Lartë Federale. Të mërkurën gjykatësit e lartë shfuqizuan vendimin për pafajësi të të akuzuarve të marrë nga gjykata e landit në Dyseldorf. Për të akuzuarit ndër të cilët krahas ish manaxherit të Mannesmann, Klaus Eser bëjnë pjesë edhe shefi i Deutsche Bank, Jozef Akerman, kjo është një humbje e hidhur. Për ekonominë gjermane vendimi është përkundrazi pozitiv. Në periudhë afatgjatë ai do të kontribuojë në forcimin e besimit të investuesve në destinacionin financiar Gjermani."

Gazeta berlineze "Die Welt" shprehet me tone kritike ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë Federale duke e cilësuar atë një ndërhyrje të dëmshme të shtetit në ekonominë private: "Vendimi i gjykatës së Karlsruhes në çështjen Mannesmann, nga aspekti juridik tërësisht i justifikuar por tepër i dyshimtë nga pikpamja liberale, bën të qartë tre gjëra: së pari, që në Gjermani manaxherët të cilët për arritjet e tyre marrin shpërblime të veçanta në marrëveshje me pronarët e kompanive, duhet t'i tremben një ndjekjeje penale. Së dyti, që në Gjermani gjykatësit mund të vendosin, se cilat janë interesat e vërteta të sipërmarrjeve në sektorin privat. Së treti që shteti gjerman ka një arsenal të tërë nocionesh luftarake juridike me të cilat mund të ndërhyjë thellë në përditshmërinë e firmave. Klasa që kontribuon në krijimin e vlerës së shtuar është në mëshirë të arbitraritetit burokratik çka dëmton atraktivitetin e Gjermanisë si destinacion investimesh."

Gazeta Handelsblatt mbi të njëjtën temë shkruan: "A po shkatërron Gjermania një bankier vetëm e vetëm sepse ishte më internacional se të tjerët? Këtë të paktën duket se beson vetë Akerman. Gjermania, shtylla më e rëndësishme e bankës që ai drejton është kthyer për të në një peshë të vdekur. Megjithatë nuk ka pse të krijohet një konflikt mes ankorimit në Gjermani dhe rolit ndërkombëtar. Deutsche Bank duhet t'ia dalë mbanë që krahas suksesit në tregun ndërkombëtar t'u kushtohet edhe klientëve të saj gjermanë. S'ka shumë rëndësi se kur do të japë dorëheqjen Akerman dhe kush do të jetë pasuesi i tij: shefi i ardhshëm i Deutsche Bank duhet të caktojë si objektiv të kthejë këtë bankë përsëri në "bankën e veçantë" që ka qenë ajo dikur për gjermanët. E gjithë ekonomia gjermane duhet të jetë e interesuar për këtë.

Ndërrojmë temë. Të drejtat e transmentimit të ndeshjeve të futbollit do të mbeten në televizionin publik. Lidhur me këtë gazeta "Financial Times Deutschland" shkruan: "Shefi i kanalit televiziv privat 'Premiere' Georg Koffer u gabua rëndë në llogari. Ai ishte tepër i ngurtë dhe kokëfortë në negociata dhe pretendimet e tij ishin tepër ekskluzive. Fansat e futbollit janë fitimtarët e pokerit të të drejtave të transmetimit jo vetëm sepse ndeshjet e së premtes do të ndezin sërish emocionet e tyre. Për vite me radhë tendenca në dhënien e të drejtave të transmetimit ishte krijimi i qoshkës ekskluzive të televizionit me pagesë. Rilindja e 'tribunës sportive' në kanalin e parë televiziv gjerman ARD ishte hapi i parë i kthesës. Vërtet transmetimi live është ende në duart e kanaleve me pagesë por ARD mbetet në lojë. Kjo do të thotë që futbolli, të paktën kampionati gjerman do të mbetet publik."

  • Data 22.12.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArsG
  • Data 22.12.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArsG