1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman të së shtunës

9 Dhjetor 2005
https://p.dw.com/p/ArsR


Shtypi i sotëm gjerman komenton ndër të tjera zhvillimet rreth Iranit si dhe aktivitetin e ish-kancelarit Shrëder në jetën publike dhe ekonomike.

Filllimisht për temën e parë, gazeta FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG ndër të tjera shkruan:

"Teherani kishte ngulur këmbë gjithmonë për të drejtën e tij për energjinë bërthamore, e drejtë e cila atij nuk mund t'i refuzohet. Ky argument ka qenë jo krejt pa efekt edhe në Evropë, sepse ai drejtohet para së gjithash kundër SHBA. Nxitimi antiizraelit i Ahmadinexhadit megjithatë i jep të drejtë Uashingtonit. Kush mund ta përfytyrojë Ahmadinexhadin me dorën në butonin e bombës bërthamore? Për motivet, të cilat e bëjnë Iranin të përpiqet për të pasur bombën, për to nuk duhet vrarë më gjatë mendja. E cuditshme mbetet me siguri, se pse presidenti iranian i përforcon argumentat e palës kundërshtare. A ndihet ai kaq i sigurtë, kaq pranë bombës?Por evropianët nga ana tjetër nuk mund të përkunden më në siguri. Ai që kërcënon Izraelin, ai kërcënon Perëndimin."


FRANKFURTER NEUE PRESSE ka qëndrim kritik ndaj Iranit:

"Talibanizimi i Iranit tregon një element të dobët në konceptin amerikan të demokratizimit të Orientit, i cili ka dalë në pah edhe në vende të tjera, si p.sh. në Algjeri dhe në Egjipt: nëse populli në atë rajon ka mundësi të zgjedhë i lirë, ai nuk zgjedh demokracitë, por islamistët. Që me predikime dhune nuk mund të vihet në punë ekonomia, këtë e kuptojnë me sa duket shumë pak vetë. Si duhet ta trajtojë perëndimi Ahmadinexhadin? Pas përvojave me Irakun, SHBA do të ruhen ta sulmojnë Iranin edhe më eksploziv, por goditje të caktuara mund të vijnë nga krahu i Uashingtonit ose i Izraelit, nëse Irani e merr seriozisht programin e tij atomik."

REUTLINGER GENERAL-ANZEIGER tërheq vëmendjen sërish në deklaratat e presidentit iranian Ahmadinexhad:

"Presidenti iranian banalizon krimet më të tmerrshme. Duke mohuar përndjekjen e hebrenjve nga nacionalsocialistët në përmasat e saj të tmerrshme dhe të papërfytyrueshme, ai tregon se nuk ka kuptuar asgjë nga faktet historike. Por ai nuk është i interesuar fare për vërtetësinë e atyre që thotë. Ashtu si kushëririt të tij mendor, Ajatollah Khomeini, Mahmud Ahmadinexhadi fillimisht është i interesuar për demaskimin e hebraizmit dhe të shtetit izraelit."


Ndërrojmë temë: shtypi gjerman trajton aktivitetet e ish-kancelarit Shrëder pas largimit të tij nga posti. Në gazetën KÖLNER EXPRESS për këtë temë ndër të tjera lexojmë:

"Që prej ndarjes së tij nga pushteti, ish-kancelari po i thyen të gjitha rekordet. Në një kohë që ministri i tij i jashtëm është tërhequr në jetën private, ish-kancelari të cudit gati cdo javë me plane dhe projekte të reja. Në fillim dëgjon të thuhet që Shrëderi do të punojë sërish si avokat. Pastaj del në shesh që ai do të bëhet këshilltar mediatik për një shtëpi të madhe botuese zvicerane, do të hapë për të dyert në botën e jashtme. Pak pas kësaj mësojmë: kancelari po merr mësime të gjuhës angleze. Ai po përvetëson gramatikën dhe fjalët, për të qenë në gjendje të komunikojë pa përkthyes. Dhe e reja e fundit prej tij: miku i ngushtë i Putinit do të bëhet shef i bordit mbikqyrës në një firmë gjermano-ruse, e cila ndërton tubacionin e gazit të Detit të Lindjes. Dikush mund të thoshte me shpoti: koha e "dorës së qetë" ka marrë fund njëherë e përgjithmonë. Vëzhgzues më dashamirës konstatojnë: në moshën 61 vjecare Shrëderi vazhdon të ketë akoma energji për dy vetë."

WESTDEUTSCHE ZEITUNG shprehet kritike:

"Drejtuesi i shtetit në pension mund të shkruante libra, të cilët do të paguheshin me honorare të përshtatshme. Si orator ai do të qe i kërkuar në të gjithë botën. Dhe organizatat ndërkombëtare do ta prisnin atë me krahë hapur. Në vend të kësaj, vetëm pak javë pas largimit nga posti, Shrëderi merr përsipër punë, të cilat nuk pajtohen me rolin e një ish-burri shteti."

Më tej, po në këtë gazetë lexojmë:

"Si kancelar, Shrëderi ka qenë i detyruar në bazë të betimit për t'i shërbyer së mirës së përgjithshme. Si person privat ai nuk është më i detyruar. Po të ishin punët ndryshe, ish-kancelari do të merrte ashtu si ish-presidenti, për tërë jetën 100% të rrogës së tij nga shteti. Dhe më tej: është një lajm i mirë, apo një lajm i keq, kur një kancelar pas fundit të karrierës së tij politike nis një karrierë ekonomike, sic është e zakonshme në vende të tjera demokratike? Pse zili sociale? Për ish-kancelarët, edhe më tej nuk ka pse të ketë ndalime profesioni."