1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman të së martës

AUD15 Gusht 2005
https://p.dw.com/p/AruF

Komentatorëve të shtypit të sotëm gjerman ua tërheq vëmendjen gjendja në Lindjen e Afërt dhe sjellja e partive unioniste në fushatën elektorale në Gjermani.

Për temën e parë, në gazetën KÖLNISCHE RUNDSCHAU ndër të tjera lexojmë:

"Janë orë historike, dhe ato do të bëjnë pjesë në më dramatiket e historisë së Izraelit, e cila edhe pa to nuk është e varfër: tërheqja e kolonëve hebrej nga Rripi i Gazës ka nisur. Të gëzon fakti që dje tërheqja nisi vërtet ngadalë, por në mënyrë paqësore dhe më qetësisht sa pritej. Me këtë megjithatë nuk garantohet që beteja midis dritës dhe errësirës, sic e interpreton ndonjë kolon militant rezistencën e tij kundër vendimit të qeverisë së Sharonit, edhe të përfundojë ngjashëm në mënyrë jospektakulare...Sa e madhe do të jetë masa e dhunës që do të përdoret kundër kundërshtarëve fanatikë fetarë dhe nacionalistë të largimit në fund të oponencës së tyre, kjo do të dalë në pah prej së mërkurës. Kryeministri Sharon duhet t'i rezistojë provës së forcës së provokuar prej tyre."

Ndërsa AUGSBURGER ALLGEMEINE është e mendimit:

"Sado e hidhur që të jetë kjo për kolonët e prekur hebrej: spastrimit të Rripit të Gazës Izraeli nuk i bën dot bisht. Dhe kryeministri Sharon - deri pak kohë më parë një nga mbështetësit më të vendosur të lëvizjes së ngulimeve- nxori me zbatimin e tërheqjes vetëm konsekuencat prej gjendjes faktike politike dhe ushtarake. Nga njëra anë atij iu desh të pranojë se këmbëngulja për territorin e pushtuar palestinez shkakton kritika edhe tek shokët më të ngushtë të Izraelit. Nga ana tjetër, atij iu desh të pranojë se sigurimi ushtarak i 21 ngulimeve në Gaza dhe i katër lokaliteteve të Jordanit Perëndimor mbante të angazhuara shumë forca ushtarake."

Ja edhe mendimi i komentatorit të STUTTGARTER NACHRICHTEN:

"Pa diskutim, Sharoni tregon në fund të karrierës së tij politike guxim të konsiderueshëm, i cili nuk është pritur prej tij. Në Lindjen e Mesme punët po ecin, ndonëse po ecin ngadalë. Dhe palestinezët kanë shkas të gëzohen, pas shumë viteve të vuajtjeve. Megjithatë, do të kërkojë ende shumë kohë, derisa në Rripin e Gazës të jetë krijuar një infrastrukturë e përshtatshme. Po të mos harrojmë: kemi të bëjmë me një hap të vogël, i cili duhet të pasohet nga shumë të tjerë, nëse duam që të kthehet paqja në rajon. Sepse, edhe palestinezët duhet të bëjnë detyrat e tyre: nëse rajoni, pas tërheqjes së izraelitëve zhytet sërish në kaos, atëherë shteti i tyre do të shtyhet edhe njëherë më shumë në të ardhmen."


Ndërrojmë temë: gazeta DIE WELT që del në Berlin ndalet sot në mënyrën si po e zhvillojne fushatën elektorale partitë unioniste në Gjermani:

"Cfarë po ndodh kështu me unionistët? Me rrugën e sigurtë para syve, ata po nisin të bëjnë autogola. Njërin pas tjetrit. E në këtë rast shtrohet pyetja për një strategji të duhur, për një udhëheqje të përgjegjshme dhe për koordinim. Këtu del në pah një dobësi e kandidates. Angela Merkeli, gruaja nga Lindja, për shkak të prejardhjes e prirur më tepër të mos i besojë se t'i besojë ambjentit rreth saj, e ka të vështirë lojën në ekip. Këtë e ndiejnë princat e partisë që nuk kanë më pak ambicie nëpër lande, dhe bëjnë që të mungojë mbështetja bindëse. Në qendrën e fushatës elektorale deri tani duket se mungon një strateg, i cili ta kompensojë këtë mungesë strukturore dhe të caktojë temat e veta, me të cilat unioni të kalojë në ofensivë."

Ndërsa nga komenti i FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND që botohet në Hamburg shkëpusim:

"Piruetat e kandidatit për kancelar in memoriam e zbavitin publikun, qoftë në televizion, qoftë në shtyp. Por në qendrën e organizimit të fushatës elektorale të CDU-së nuk ndihet askush i zbavitur. Shkarjet e Shtoiberit e dëmtojnë fushatën dhe autoritetin e Merkelit. Po një ngushëllim, Merkeli sido që të jetë e ka: me veprimet me kokë të vet, Shtoiberi është ndarë përfundimisht nga të gjitha ambiciet për të bërë politikë federale. Nuk mund të përfytyrohet, që një patriot lokalist, pas shkarjeve të tij retorike të lërë më 19 shtator (një ditë pas zgjedhjeve) Mynihun për Berlinin.Për Shtoiberin është më mirë të rrijë në Bavari."

Dhe së fundi, SÜDDEUTSCHE ZEITUNG e cila bën një vlerësim përmbledhës për fushatën elektorale:

"Deri tani, moskonkordancat dhe shqetësimet nuk janë pasqyruar fort në vendimet e zgjedhësve për atë që do të zgjedhin.Prej plusit që ka shënuar Shrëderi nuk përfiton partia e tij Socialdemokrate, ndërsa minusi i unionistëve ka mbetur brenda kufijve. Ajo që vihet re në moment është një trazim i sipërfaqeve. Rryma e madhe nëntokësore mbetet me sa duket e paprekur. Ajo të cilën e vënë në lojë partitë unioniste tani, nuk është fitorja e zgjedhjeve, por synimi i tyre në zgjedhje: një aleancë me liberalët e FDP.