1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman të së mërkurës

AD14 Dhjetor 2004
https://p.dw.com/p/ArxZ
Fotografi: AP


Komisioni Evropian vendosi të mos e nisë procedurën e ndëshkimit ndaj Gjermanisë për shkak të deficitit të saj buxhetor. Kjo është një nga temat qendrore të komenteve të gazetave të sotme gjermane. Ato trajtojnë veç kësaj reformën e federalizmit dhe qëndrimin e partive unioniste për një anëtarësim të mundshëm të Turqisë në BE.

Për temën e parë: gazeta OSTTHÜRINGER ZEITUNG që botohet në Gera shtron pyetjen:

"A nuk kishin arritur ekspertët e Brukselit pak më parë një vlerësim të kundërt për gjendjen mizerable në Berlin? A nuk e dëmtoi grindja e vazhdueshme për gjendjen e arkave gjermane raportin midis qeverisë gjermane dhe Komisionit Evropian? Harmonia në javët para Ardhjes së Krishtit ka kryesisht një shkak: shifrat gjermane nuk janë bërë më të mira, ndërsa argumentat e autoriteteve të Brukselit kanë humbur efekt. Pas viteve të zbaticës konjukturore, në gjithnjë e më shumë shtete po rritet tendenca që në vlerësimin e shifrave të buxhetit të përmenden gjithfarëlloj rrethanash lehtësuese."


Edhe SÜDDEUTSCHE ZEITUNG është e mendimit:

"Harmonia e papritur me Komisionin nuk vjen nga fakti se qeveria gjermane ka kursyer më shumë kohët e fundit. Përkundrazi. Programi i stabilitetit i dërguar në Bruksel tallet me emrin e tij. Komisari i sistemit monetar i BE, Zhoakin Almunia e toleron këtë njësoj si edhe prognozën e pasigurtë vetëm për një shkak: ai nuk dëshiron një mosmarrëveshje të re me Berlinin. Almunias i nevojitet armëpushimi për reformën e rregullave kuadër të EURO-s, e cila me të vërtetë nuk mund të shtyhet më."

Ndërsa në LANDSHUTER ZEITUNG lexojmë:

"Për shumë është e qartë: vendimi i Komisionit të BE ishte rezultat i një marrëveshjeje midis Berlinit dhe Brukselit. Kështu pak kohë më parë u pëshpërit se qeveria gjermane do të ishte e gatshme të derdhte më shumë para në arkën e Brukselit, nëse Brukseli nuk do të niste procedurën ndëshkimore. Por nëse këtu ka dicka të vërtetë, kjo me siguri nuk do të sqarohet asnjëherë. E sigurtë është që Gjermania dhe Franca janë vendet më të fuqishme të Bashkimit Monetar. Me Berlinin ose Parisin veç, komisioni ndoshta do të guxonte të grindej. Por kundër gjermanëve dhe francezëve së bashku, Komisioni nuk ka asnjë shans."


Dhe me këtë ndërrojmë temë: gazeta FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG vëren për mosmarrëveshjen për reformën e sistemit federal në Gjermani:

"Deklaratat e preokupuara, me të cilat kryeministrat i drejtohen njëri-tjetrit në fazën e fundit të negociatave dhe që prekin edhe federatën, janë kryesisht sinjale për klientelën vetjake. Kërkesa maksimale të paraqitura në minutën e fundit dhe kërcënimi i preferuar vecanërisht nga landet më të vogla se do ta bëjnë të dështojë reformën e federalizmit nuk duhet peshuar me peshore farmacisti. Ato dëshmojnë vetëm se në këtë komision nuk bëhet fjalë për vogëlsira."

Gazeta MÄRKISCHE ALLGEMEINE trajton vecanërisht propozimin që pagesa e taksës së solidaritetit me Lindjen e Gjermanisë të çimentohet në kushtetutë:

"Unitetin e brendshëm të Gjermanisë kjo nuk e ndihmon. Vec kësaj është një zakon i keq që të sanksionosh në kushtetutë projekte të përkohshme politike. Shefat e landeve lindore duhet të shpjegojnë edhe se pse i kanë besuar deri tani Paktit të Solidaritetit dhe krejt papritur dyshojnë në realizimin e tij? Një ide e papeshuar mbetet ky propozim edhe për faktin se në rastin e një gjendjeje emergjence të buxhetit të federatës, Lindja e Gjermanisë mund ta kërkonte me proces gjyqësor dorëzimin e parave për të, duke pasur kështu një vend të privilegjuar brenda bashkësisë gjermane të fatit. Kur nga të gjithë kërkohet të bëhen kursime, atëherë kjo duhet të vlejë edhe për Lindjen."

Dhe së fundi HAMBURGER MORGENPOST, e cila e hedh vështrimin në reagimin e kristjandemokratëve përsa i përket dëshirës së Turqisë për pranim në BE:

"Një parti gjermane e dalë nga ritmi kërkon temën e saj për zgjedhjet e ardhshme. Deri në një pikë të caktuar kjo është e madje kuptueshme, në fund të fundit demokracia jeton nga gara e ideve politike. Keq puna bëhet kur një kjo parti kërkon të krijojë profil në kurrizin e të tretëve. Dhe Unionistët aktualisht nuk po kërkojnë asgjë tjetër. Kur turqit reduktohen në mënyrë histerike dhe pa e zgjatur në "predikues të urrejtjes,", "të martuar me zor" dhe "jo evropianë", kjo lëndon miliona vetë. Për të shmangur keqkuptimet: natyrisht duhet të sqarohet nëse Turqia përshtatet me BE dhe nëse neve na nevojitet më shumë integrim. Vetëm se: kur diskutohet dicka, dhe para së gjithash në cformë diskutohet ajo, kjo nuk duhet të varet nga gjendja e brendshme e një partie të vetme. "