1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman të së hënës

Përgatitur nga Auron Dodi8 Maj 2005

Komentatorët e shumicës së gazetave të sotme gjermane e komentojnë përvjetorin e fitores kundër fashizmit, si sot 60 vjet më parë duke reflektuar për fjalimin e pazakontë që mbajti dje para Parlamentit Gjerman, presidenti i Gjermanisë, Horst Këler

https://p.dw.com/p/Arvc
Berlin, 8 maj 2005
Berlin, 8 maj 2005Fotografi: AP

Fillimisht fjalimin e Këlerit e komenton gazeta KÖLNISCHE RUNDSCHAU:

"60 vjet pas fundit të Luftës së Dytë Botërore presidenti federal Horst Këler ndërmori në fjalimin e tij një ndërrim të perspektivave, i cili vetëm pak vjet më parë do të qe interpretuar si përpjekje për të relativizuar fajin dhe krimet gjermane. Ajo që atëherë do të kishte bërë të shpërthente zhgënjimi publik, dje u pranua pa bërë zë. Me një vështrim të qartë, jo vetëm të turpëruar për të mbajtur zi edhe për viktimat gjermane, që vdiqën nën bombardimet e aleatëve, në kampet sovjetike të ndëshkimit ose gjatë dëbimeve, Këleri shkeli si kryetar shteti tokë të re."


Ja edhe MÄRKKISCHE ODERZEITUNG që botohet në Frankfurt mbi Oder për këtë temë:

"Presidenti federal përkujtoi si në mënyrë të vetëkuptueshme të gjitha viktimat e luftës dhe të terrorit. Ky nuk është vetëm një hap i sinqertë, por kërkesë edhe e humanizmit dhe arsyes politike, që edhe viktimave gjermane - edhe atyre të arratisë dhe dëbimit - t'u jepet një vend i qendrueshëm në kulturën e kujtesës së kësaj dite. Që kjo nuk është bërë për kaq kohë, ka rezultuar më shumë se kontraproduktive: kjo ishte jo vetëm dekurajuese për pasardhësit e viktimave, por mbarrte me vete edhe rrezikun politik që kjo pjesë e punës përkujtimore të shpërdorohej nga ekstremistët e djathtë. Ne jemi një komb i respektuar, sepse e kemi pranuar të gjithë historinë tonë si pjesë të identitetit tonë, tha Këleri. Atëherë le të jetë e gjithë historia ajo që përkujtohet."

OSTTHÜRINGER ZEITUNG që del në Gera është e të njëjtit mendim:

"Ky ishte kontributi i fjalimit të Këlerit: pa hequr një vizë përmbyllëse ose pa e relativuar fajin historik, ai u paraqiti qytetarëve gjermanë një qëndrim: të ecurit me kokë lart. Republika Federale Gjermane ka mësuar nga historia dhe dita e djeshme të jep shkas për shpresë, që edhe brezat e ardhshëm do të kujdesen që kjo që ndodhi të mos përsëritet më kurrë: që një shoqëri civile të mos falimentojë moralisht.Tek Këleri, turpi për të kaluarën dhe krenaria për fillimin e ri janë në barazpeshë. Presidenti i Gjermanisë nuk e humbi ekuilibrin."


E rezervuar dhe skeptike është nga ana tjetër FRANKFURTER RUNDSCHAU e cila shkruan për trajtimin e historisë nga ana e presidentit Këler:

"Thjesht është historikisht e gabuar të thuash se mjerimi, që ky vend i shkaktoi vetvetes, nuk u përmend pas luftës. Humbja e zonave të Lindjes, katastrofa e dëbimeve, shkretimi i qyteteve, hakmarrja e fitimtarëve, të gjitha këto ishin shumë të pranishme. Por ato ishin kontaminuar nga heshtja e njëkohshme dhe spostimi i cështjes së fajit dhe i të qenit doras, prej së cilës çlirimi u bë vetëm me dëshirën për të sqaruar, të një brezi më të ri."


MITTELDEUTSCHE ZEITUNG kujton:

"Të padiskutueshme janë sot të gjitha vështrimet për lirinë, të cilën fundi i luftës fillimisht ia solli vetëm njërës pjesë të Gjermanisë dhe Evropës. Por Këleri në fund të fundit nuk është njeri i reflektimeve filozofike - historike, për të cilat të fton një ditë e tillë. Presidenti gjerman është i magjepsur nga forca e lirisë si motor i zhvillimit ekonomik, ku ai sheh edhe terrenin ushqyes të demokracisë. Pa vështirësi u artikulua kredoja e tij e paraqitur shpesh se gjermanët duhet ta kujtojnë edhe sot, sërish këtë liri, për të përballuar vështirësitë aktuale ekonomike."

Gazeta e Berlinit BERLINER ZEITUNG komenton kremtimet e sotme në Moskë:

"Nuk është fundi i Luftës së Dytë Botërore, i vrasjes së miliona njerëzve në Evropë, ai që përkujtohet këtë të hënë në Moskë, por është fitorja e trupave sovjetike në Luftën e Madhe Patriotike. Eshtë një kremtim, jo kujtim. Heroizimi i fitores synon të bëjë të besojmë se çmimi që kushtoi kontributi i padiskutueshëm i BS për çlirimin e Evropës nga nacionalsocializmi, ishte i justifikueshëm. Glorifikimi i sakrificës sposton nga vëmendja biografitë e shkatërruara të miliona rusëve."

Dhe së fundi, SÜDDEUTSCHE ZEITUNG që hedh një vështrim të gjerë për interpretimet që i bëhen 8 majit 1945:

"Sot ekziston një konsensus shumë i gjerë për atë se si duhet të interpretohet ai 8 maj 1945. Shumica e gjermanëve që jetonin atëherë e përjetuan atë si ditë të dështimit, si shkatërrim të ekzistencës private dhe shtetërore. Por njëkohësisht, kjo datë e çliroi Gjermaninë dhe gjithë botën nga sundimi i tmerrshëm i nacionalsocializmit, një ideologji specifike gjermane. Sa më shumë kohë kalonte nga lufta, aq më e fortë bëhej bindja se clirimi erdhi përmes disfatës."