Pas zjarreve vdekjeprurës në Paris shtohet kritika ndaj autoriteteve
31 Gusht 2005Këtë herë u dogj një shtëpi e zaptuar në lagjen shumë të frekuentuar "Marais". Këtë herë vdiqën 7 njerëz, katër ishin ende fëmijë. Zjarri ra në mbrëmje. Arsyeja nuk dihet ende. Një fëmijë që u hodh nga kati i tretë i ndërtesës në flakë ndërroi jetë më vonë prej lëndimeve. Ndërtesa në këtë lagje luksoze ishte krejtësisht e mbaruar, madje nuk kishte as furnizim me ujë. Banorët e vendosur atje duhet ta merrnin ujin nga pikat publike të furnizimit me ujë. E megjithatë 12 familje, të gjitha nga Bregu i Fildishtë, e kishin zaptuar këtë shtëpi prej vitesh, sepse përndryshe do të ishin në rrugë. Që atëherë ishin përpjekur më kot për banesa të tjera pranë zyrave sociale dhe organizatave të ndihmës.
Vetëm në Paris janë 100.000 njerëz të varfër në vit që kërkojnë banesa sociale; por administrata e qytetit mund të plotësojë vetëm 8.000 kërkesa. Arsyeja: vitet e fundit nën drejtimin e kryebashkiakëve konservatorë Jacques Chirac dhe Jean Tiberi thuajse nuk janë ndërtuar më banesa sociale. Organizatat e ndihmës kritikojnë se në këtë mënyrë kryebashkiakët përmbushën kërkesat e shtresave të pasura.