1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Paqësore dhe në dobi te ekonomisë

Klaus Daman26 Dhjetor 2005

Bilanc i politikes se jashtme gjermane gjatë vitit 2005

https://p.dw.com/p/Ar1x
"Divergjencat i takojnë së kaluarës" - Shrëder dhe Bush
"Divergjencat i takojnë së kaluarës" - Shrëder dhe BushFotografi: AP

Fundi i shkurtit. Presidenti amerikan Xhorxh Bush ka ardhur për vizitë në Majnc. Zoti Bush, ju jeni gënjeshtar, thërrasin demonstruesit, vetëm disa mijëra njerëz, sepse shumica nuk kishte arritur të depërtonte rrugët e bllokuara nga personeli i sigurimit. Edhe kancelari Gerhard Shrëder e kishte sjellë me vete llullën e paqes. Mbas disa muajsh akulli, atmosfera ndërmjet Berlinit dhe Uashingtonit kishte filluar të bëhej më miqësore. "Nuk duam ta mohojmë se kemi patur mendime të ndryshme në të kaluarën, por këto janë të shkuara. Tani të dy jemi të interesuar për demokratizimin e Irakut, " – do të thoshte Shrëder.

Në fund të qershorit, kur Shrëderi shkoi në Uashington, Iraku nuk përbënte më temë. Në plan të parë ishte programi atomar i Iranit. Gjermania së bashku me Britaninë e Madhe dhe Francën kanë kohë që po zhvillojnë negociata me qeverinë në Teheran për të gjetur një zgjidhje paqësore. Por treshja evropiane deri tani nuk ka arritur ndonjë rezultat pozitiv.

Rreth 6.300 ushtarë të Bundesverit janë shpërndarë në të gjithë botën, shumica e tyre në Bosnjë dhe Kosovë. Kontigjenti i dytë për nga madhësia me mbi 2000 ushtarë është stacionuar në Afganistan. Një anije gjermane me 250 ushtarë në bord patrullon në Afrikë, në Xhibuti. Bundesveri ka dërguar 50 trajnues për forca të sigurimit iraken, në Abu Dhabi. Siguria e Gjermanisë mbrohet në Hindukush, kjo ishte deviza e ministrit të mbrojtjes në qeverinë e Shrëderit, Peter Shtruk. "Bundesveri është gjithmonë aty ku rriten rreziqet ndaj Bashkësisë Botërore, Evropës dhe Gjermanisë," – pat thënë ai në Bundestag.

"Jo"-ja e prerë e Shrëderit ndaj Irakut në vitin 2005 nuk luajti më rol në politikë. Kritikuesit më të mëdhenj në radhët e CDU-së dhe CSU-së që fillimisht donin të dilnin në anën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë rënë në qetësi. Jo vetëm për shkak të normalizimit të marrëdhënieve Berlin-Uashington, por edhe sepse tani qeverisin bashkë: unionistë dhe socialdemokratë. Prej këtyre del edhe ministri i jashtëm, Frank-Valter Shtajnmajer. Krahas përmirësimit të marrëdhënieve me SHBA-të, Bashkimi Evropian është një nga pikërëndesat kryesore të politikës së jashtme.

Mbas disa debatesh për mënyrën e votimit të Kushtetutës Evropiane, u arrit që në mes të majit ky dokument të ratifikohej me shumicë dërrmuese nga Bundestagu. Duke pasur parasysh referendumet vijuese në Francë dhe Holandë, Fisher do të thoshte: "Kush dëshiron të ketë një Evropë paqësore, ai duhet t’i thotë po Evropës së zgjeruar. Kush i thotë po zgjerimit Evropian duhet t’i thotë po kësaj kushtetute."

Procesi i ratifikimit në vendet e Bashkimit Evropian nuk u ndaluan, por "Jo"-ja e francezëve dhe holandezëve bëri që projekti fillimsht të ngrihej. Problemi i Turqisë, kundër antarësimit të saj të plotë në BE kishte qenë fillimisht Angela Merkel, u zgjidh në Bruksel me kompromisin e fillimit të negociatave me rezultat të hapur. Një vendim, të cilin e respekton edhe Merkel. Nga marrëveshja e koalicionit me socialdemokratët del në pah se ajo nuk ka ndër mend të grindet me ta për kotë temë, aq më tepër kur bëhet fjala për diçka që nuk do të ndodhë brenda kësaj periudhe legjislative. Edhe pranimi i Bullgarisë dhe Rumanisë deri në vitin 2008 nuk përbën më arësye për debat. Po ashtu edhe për Kroacinë, veçanërisht pas mbështetjes që kjo po i bën Hagës.

Shrëder dhe Putin, një miqësi e rrallë në kohërat e sotme. Shrëder nuk e ka kritikuar Putinin asnjëherë hapur për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut në Çeçeni, apo për shkak të ndërhyrjes së shtetit në lirinë e shtypit. Ishte detyra e Fisherit të luante këtë lojë.

Për Shrëderin kishin rëndësi marrëdhëniet e mira ekonomike me Rusinë, si për shembull ndërtimi i linjës nëndetare për mbartjen e gazit nga Rusia në Gjermani, një projekt që nuk u bisedua më parë me vendin fqinjë, Poloninë. "Edhe ne duam marrëdhënie të mira me Rusinë, por jo duke anashkaluar fqinjët. E kam fjalën për poloninë. Ne nuk duhet të bëjmë sikur nuk i shohim problemet e brendshem politike të Rusisë. Mendoj se është i domosdoshëm të zhvillohet një debat kritik në lidhje me konfliktin e Çeçenisë, " – shpjegonte Merkel.

Gjermania dhe Kina, një pamje e ngjashme. Shrëderi udhëton me delegacionie ekonomike në vend dhe nuk bën asnjë lloj kritike. Së fundi, Gjermania kishte nevojë edhe për mbështetjen e këtyre vendeve ndaj kandidimit të saj për vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Një dëshirë që as këtë vit nuk u realizua.