1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papa - një avokat i paanshëm për pandashmërinë e të drejtave të njeriut

18 Prill 2008

Vizita e papës në SHBA dhe fjalimi i tij para Kombeve të Bashkuara - temë e të përditshmeve gjermane të shtunën

https://p.dw.com/p/DkWn
Papa Benedikti i XVIFotografi: AP

Gazetat gjermane i kushtojnë vëmendje vizitës së papës në Shtetet e Bashkuara dhe fjalimit të tij në OKB

"Shtuttgarter Zeitung" : Papa Benedikti duke patur si shembull modelin amerikan kërkon një vitalitet të tillë kristian të vetëkuptueshëm edhe në Evropë. Por ai nënvlerëson faktin se sa i thellë është hendeku transatlantik që ndan mentalitetet. Shpresa për një amerikanizim fetar të kontinentit të vjetër është një iluzion, nuk ka dyshim. Megjithatë evropianët skeptikë duhet që të kenë kujdes me çdo lloj ndjenje superioriteti ndaj misionit amerikan të papës. Ende nuk është vendosur se cili model kulturor do të jetë më i rezistueshmi në shekullin e 21-të."

"Westfälische Nachrichten" në Münster përqëndrohet në sinjalet që drejtoi papa nga Nju Jorku.

"Papa u prezantua para Kombeve të Bashkuara si një avokat i paanshëm për pandashmërinë e të drejtave të njeriut. Ato nuk duhet të interpretohen sipas nevojës në mënyra të ndryshme. Një sinjal i qartë ky ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilat i shohin si legjitime disa metoda të torturës në marrjen në pyetje të të burgosurve dhe praktikojnë dënimin me vdekje. Vende të tjera si Kina, ku shtypet liria e mendimit dhe fesë, duhet gjithashtu t'i dëgjojnë fjalët e papës. Nga ana tjetër edhe përkahësve të zellshëm të kërkimeve shkencore me qelizat embrionale, papa ju a shkroi si në librin e kujtimeve se kërkimi shkencor dhe teknologjia nuk duhet të jenë në kundërshtim me karakterin e shenjtë të jetës."

"Rhein Zeitung", Koblenz komenton trajtimin që i bëri papa temës së dhunimit të fëmijëve nga priftërinj në Amerikë

"Shumë viktima presin deri më sot një falje nga institucioni, të cilit ata i kishin besuar pa ekuivoke. Papa bëri tani atë që kishte kohë që duhej bërë më parë, u kërkoi falje viktimave. Akoma më e rëndësishme: Ai i doli përballë zemërimit, lotëve dhe akuzave të viktimave. Dhunimi i shumëfishtë nga ana e priftërinjve pedofilë ka vënë në lëvizje një proces të vetëkatarsisit të kishës. I suksesshëm ai mund të jetë vetëm po qe se dëgjohen viktimat. Papa e bëri një hap të tillë, mbetet të bëhen të tjera."