Papa në Gjermani & Pesë vjet ″Nine Eleven″ | Studimi në Gjermani | DW | 11.09.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Papa në Gjermani & Pesë vjet "Nine Eleven"

Pesë vjet pas sulmeve të 11 shtatorit presidenti i ShBA, Xhorxh Bush, do të vendosë këtë të hënë një kurorë në nju Jork. Në periodikun gjerman përvjetori i sulmeve ndaj kullave binjake të World Trade Center është temë qendrore e komenteve. Në fokus është padyshim edhe vizita e Papa Benediktit të XVI-të në Gjermani.

Fillimisht lidhur me sulmet e 11 shtatorit 2001. Gazeta "Stuttgarter Zeitung" ende e sheh të pashmangur rrezikun nga terrorizmi, duke sugjeruar se fillmisht duhet të zgjidhen konfliktet: "Iraku duhet të rindërtohet. Amerika dhe Evropa duhet të përpiqen me vendosmëri për paqen në Lindjen e Mesme, sepse grindja mes Izraelit dhe fqinjëve të tij përbën konfliktin bërthamë të botës arabo-islamike. Amerika dhe Izraeli gjatë viteve të shkuara kanë harruar një urtësi të lashtë hebreje: hero është ai, që mund ta bëjë armikun e vet mik të tij."

E përditshmja tjetër "Neue Ruhr/Neue Rhein Zeitung" që del në Esen vëren deficite në politikën e ShBA, por edhe në shoqëritë perëndimore në përgjithësi: "Atentatet e 11 shtatorit e kanë ndryshuar botën, sepse Bushi ia ka arritur, që të diskretitojë fenë islame dhe në këtë mënyrë të forocjë ndjenjën gjithësesi ekzistuese të nënshtrimit në botën myslimane. Kjo shërben si tokë pjellore për terroristët e ardhshëm. Një evropian liberal që mendon në mënyrë racionale nuk e kupton të menduarit dhe të ndjerit e të rinjve myslimanë, që pikërisht këtë shoqëri duan ta shkatërrojnë me bombardime. Mos vallë ne jemi shumë të mirë? Po, edhe ndoshta është kështu."

"Nürnberger Zeitung" e kritikon ashpër Bushin duke theksuar: "Nëse presidenti i ShBA do të fitojë luftën e shpallur prej tij kundër terrorizmit, së pari ai duhet të tregojë, se ai vet beson tek vlerat, që pretendon se po i mbron: të drejtën dhe lirinë në demokracitë perëndimore. E kundërta e kësaj po dëshmohet: ai që ndërton bugje të CIA-s në shtetet mike, e bën këtë, sepse atje mund të torturojë pa u penguar."

Edhe "Westdeutsche Allgemeine Zeitung" konstaton deficitet e politikës së ShBA duke paralajmëruar: "Shumë reagojnë me kënaqësi prej ligësisë, që Bushi po del si një dështak. Kjo s´është mençuri. Së pari askush nuk mund të thotë, se sa do të radikalizohej politika gjermane pas ndonjë sulmi terrorist tek ne. Së dyti dobësia e Amerikës ka prodhuar një vakuum, drejt të cilit po nxitojnë shumë fuqi të reja të mesme dhe të tjera që pretendojnë të bëhen fuqi të mëdha."

Së fundi mbi këtë temë edhe një citat nga berlinezja "Der Tagesspiegel": "ShBA dhe Evropën i bashkon diçka më shumë se sa vetëm kërcënimi i përbashkët. Ato duhet të jenë të gatshme për dialogun me Islamin. Por të padiskutueshme janë: demokracia, liria e mendimit dhe e besimit, barazia e gruas, siguria e Izraelit, për të përmendur këtu vetëm disa shembuj."

Lidhur me vizitën e Papës në Gjermani gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" komenton: "Benedikti nuk është ndonjë nostalgjik që po kalon pushimet në atdhe. Më shumë ai duket të ketë ardhur, që me autoritet edhe të kritikojë kishën e atdheut të vet, shoqata fetare rajonale kjo më të pasur në kishën botërore që ai drejton. Predikimi i tij i së djelës në Mynih ishte një akt i politikës ndërkombëtare. Ai vlerësoi zemërgjerësinë e katolikëve gjermanë, që përbën një ndër themelet e politikës ndërkombëtare të zhvillimit dhe asaj sociale. Adveniat, Misereor, Renovabis dhe mijëra vepra e burime të tjera donacionesh kanë volumin më të madh se sa e gjithë ndihma e zhvillimit të shteteve të tjera."

Së fundi edhe një citat nga komenti i gazetës "Süddeutsche Zeitung", që konstaton një efekt të kufizuar të kishës katolike: "Kisha katolike e ka ruajtur forcën e traditës. Kjo është forca e saj. Por ajo s´ia ka arritur që të pajtojë traditën me modernen. Kjo është dobësia e saj. Nuk duket sikur Benedikti i XVI-të, që me pa të drejtë e quajnë ndonjëherë si Papa i tranzicionit, mund ta shmangë këtë dobësi."

  • Data 11.09.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aro0
  • Data 11.09.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aro0