1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përfundojnë zgjedhjet parlamentare në Çeki

Sonila Harasani3 Qershor 2006

Të premten dhe të shtunën (02.06-03.06) u zhvilluan zgjedhjet parlamentare në Çeki. Ishte një garë kokë më kokë mes partisë qeverisëse social demokrate CSSD dhe partisë opozitare Partia Demokratike e Qytetarëve ODS.

https://p.dw.com/p/Aqpn
Praga
PragaFotografi: AP

Zgjedhjet parlamentare në Çeki duket sikur përfunduan në favor të partisë opozitare Partia demokratike e Qytetarëve ODS. Pas prognozës së parë që u krye nga kanali televiziv shtetëror çek, menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit të shtunën pasdite, partia konservatore e Mirek Topolanek, e cila nuk beson tek pasojat pozitive që ka perspektiva evropiane, fitoi 38% të votave. Partia social demokrate CSSD, e kryeministrit Jiri Paroubek, e cila qeveris vendin që prej 8 vitesh, fitoi 30% të votave.

Sipas prognozave, në parlamentin e ardhshëm çek do të marrë pjesë edhe partia komuniste PSCM, e cila fitoi 12% të votave, si edhe partia e kristian demokratëve KDU-CSL, me 8%. Kjo parti ndodhet edhe në koalicionin aktual qeveritar. Partia e të gjelbërve SZ fitoi 8% të votave, duke shënuar kështu suksesin e parë për një parti ambientaliste në një vend ish socialist.

8 milionë qytetarë çekë kishin të drejtë të votonin gjatë zgjedhjeve parlamentare të fundjavës në Çeki. 65% e popullsisë morri pjesë në to, duke shënuar kështu një rritje të dukshme të interesit ndaj politikës vendore. Përpara 4 vitesh në zgjedhjet parlamentare morrën pjesë 58% e qytetarëve me të drejtë vote.

Për të mbetur në pushtet, socialdemokratët duhet të krijojnë tani një koalicion me komunistët. Por për të evituar një koalicion të tillë qeveritar në Çeki, shumë klube dhe shoqata ofruan përpara zgjedhjeve rabate e madje dhurata falas për të gjithë ata që nuk do të votonin për të majtët. Në klubin e njohur "Akropolis" në Pragë, çdo çek që nuk votoi për partinë CSSD apo KSCM, mund të merrte një birrë falas. Këtë informacion e bëri të ditur gazeta "Lidove noviny".

Socialdemokratët ndodhen nën presion për shkak të aferave të ndryshme të korrupsionit, në të cilat mendohet se janë të involvuar prej vitesh. Paroubek shpreson se rritja aktuale e ekonomisë çeke nga 7% në 8%, do t´i bindë çekët se qeveria socialdemokrate ka kryer një punë të mirë gjatë 8 viteve të fundit. Paroubek ka deklaruar se do ta përdorë këtë rritje ekonomike për të ulur defiçitin publik dhe për të mundësuar kështu hyrjen e monedhës euro në vend deri në vitin 2010. Ndërkohë partia ODS premton se do të lejojë rritjen deri në 15% të taksave për të gjitha nivelet e pagave dhe se do të ulë shumat e sigurimeve sociale. Reformat kanë prioritet vendimtar përpara hyrjes në zonën e euros, të cilën ODS kërkon ta shtyjë më vonë se deri në vitin 2010.