1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përfundime të dobta në samitin e BE-së në Bruksel

Bernd Riegert25 Mars 2006

25 kryetarët e qeverive dhe të shteteve të BE-së zhvilluan të enjten dhe të premten në Bruksel konsultime për një politikë të përbashkët në fushën e energjisë dhe për masa në tregun e punës.

https://p.dw.com/p/ArBb
Mirëkuptim vetëm në dukje
Mirëkuptim vetëm në dukjeFotografi: AP

BE-ja po lëviz me hapa tepër të vegjël drejt një politike të përbashkët në fushën e energjisë dhe të hapjes së pjesshme të tregjeve në sektorin e shërbimeve. Kryetari i radhës i BE-së, Wolfgang Schüssel e pranoi edhe vetë që përfundimet e arritura në këtë takim të nivelit të lartë ishim më tepër "lëvozhga boshe", të cilat tani duhet të mbushen me përmbajtje. Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së ranë dakord për emëruesin më të vogël të përbashkët "ne duam më tëpër koordinim, por nuk duam të heqim dorë prej kompetencave". Kjo ndërkohë që sfidat në sektorin e energjisë janë të mëdha: çmimet në rritje, varësia gjithnjë e më e madhe e BE-së prej importeve në sektorin energjitik kërkojnë përgjigje sa më të shpejta, për të cilat kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së nuk janë në gjendje për momentin.

E njëjta vlen edhe për të ashtuquajturën axhendë e Lisbonës, pra përpjekjen që përmes koordinimit të politikave ekonomike të krijohen vende pune dhe të arrihet hovi ekonomik. Që prej vitit 2000, kur lindi kjo ide në Lisbonë, shtetet e BE-së kanë marrë gjithnjë e më tepër angazhime vetiake. Por kur ka qenë puna vërtet për të bërë diçka, atëhere është vepruar sipas parimit më afër dera, se qilari. Kështu p.sh. për realizimin e një tregu të përbashkët të shërbimeve, për liberalizimin e lëvizjes së krahut të punës dhe të nacionalizmave ekonomike, të cilat po forcohen sërish. Meraku prej pasojave të globalizimit është i kuptueshëm, por hermetizimi i tregjeve nacionale kundrejt firmave të tjera evropiane është me siguri përgjigjia e gabuar.

Edhe nëse përfundimet e takimit të pranverës ishin të dobta, BE-së nuk i mbetet alternativë tjetër përveç se të vazhdojë të shkojë përpara me hapa të vegjël, në rast se i mungon guximi për të bërë hapa të mëdha. Tony Blair, kryeministri britanik, ka të drejtë kur thotë se në një perspektivë afatgjatë BE-së nuk i mbetet të bëjë gjë tjetër, se sa t'i hapë tregjet e tij dhe t'i bashkojë sa më tepër ato. Në rast se nuk e bën këtë atëhere pozita ekonomike e BE-s në botën e globalizuar do të thërrmohet edhe më tej. Qëllimin për t'u shndërruar në vitin 2010 në rajonin ekonomik më dinamik të botës, BE-ja e ka harruar që para një viti. BE-ja nuk ka ende ndonjë recetë të kuptueshme se si do t'ia dalë mbanë me shoqëritë gjithnjë në plakje dhe në rrudhje si dhe me ruajtjen e standardeve të jetesës dhe të sigurisë sociale. Diskrepanca mes shteteve të hapura ndaj reformave, si Danimarka, dhe atyre që renditen në fund të listës, si Gjermania apo Italia po bëhet gjithnjë e më e madhe.

Edhe të menduarit e thelluar në lidhje me krizën kushtetuese dhe kursin e ardhshëm të BE-së nuk po ecën përpara. Përfundime konkrete për t'iu nënshtruar ratifikimit në lidhje me kushtetutën e BE-së, institucionet e reja dhe procedurat transparente, do të mund të prezantohen me sa duket vetëm në pranverën e 2007-s, kur presidente e radhës e BE-së do të jetë Angela Merkel. Kjo do të jetë një detyrë e vështirë për kancelaren Angela Merkel, sepse pas jo-së së holandezëve dhe të francezëve edhe në Gjermani, Austri dhe vende të tjera të BE-së po shtohet frika ndaj një BE-je që po bëhet gjithnjë e më i madh dhe i koklavitur.