OSBE i bën thirrje partive që të zbatojnë kodin e ri elektoral
20 Nëntor 2008Përfaqësia e OSBE-së në Tiranë duket se e konsideron tashmë të mbyllur çështjen e kodit të ri elektoral, si dhe kundërshtitë që ka nga një pjesë e partive parlamentare, për nene të veçanta të tij. Shefi i përfaqësisë, ambasadori Robert Bosh (Robert Bosch), nëpërmjet një deklarate që ka shpërndarë në media shprehej se ndërsa kodi është aprovuar nga parlamenti me një shumicë të gjerë, “ka ardhur koha të përqendroheni në zbatimin praktik të kodit, në mënyrë që të sigurohet që zgjedhjet e ardhshme parlamentare, vitin tjetër, të zhvillohen në përputhje me angazhimet ndërkombëtare”.
Partitë e vogla vazhdojnë ta kundërshtojnë kodin
Ambasadori Bosh ka shprehur dhe mbështejen që do të japë organizata e tij “në ndihmë të procesit të zbatimit të kodit ”. Qëndrimi i përfaqësisë së OSBE-së në Tiranë erdhi pas zërave kundër miratimit të kodit, nga parti të vogla parlamentare.
Njëra prej këtyre partive është dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, kryetari i së cilës Ilir Meta, është shprehur se pas grevës së urisë 8 ditë në ambientet e parlamentit, do të “fillojë faza e dyte e kundërshtimit të kodit me protesta publike. Ne nuk do ta njohim kurrë atë pjesë të kodit që flet për administrimin e zgjedhjeve ” .
Partia Socialiste, që bashkoi votat me Partinë Demokratike për miratimin e kodit, kërkon tani nga qeveria që të bëjë transparent afatet konkrete se kur do të prodhohen kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, si pjesë e infrastrukturës zgjedhore. Kodi elektoral gjendet tashme në zyrën e Presidentit të Republikës për dekretim, gjë që do shënonte edhe mbylljen përfundimtare të kapitullit të miratimit dhe nisjen e zbatimit të tij.