1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Kosovë ka korrupsion dhe krim të organizuar

Bekim Shehu / Prishtinë15 Prill 2008

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës pranojnë se në Kosovë ka korrupsion dhe krim të organizuar. Ata zotohen t`i luftojnë këto dukuri në çdo formë dhe me çdo mekanizëm

https://p.dw.com/p/DiLF
Fotografi: picture-alliance/dpa

Krimi i organizuar në Kosovë është një fenomen i cilësuar si kanceri i shoqërisë, që është shtrirë gjithandej vendit. Autoritetet në Prishtinë, thonë se të gjithë mekanizmat duhen angazhuar maksimalisht që ky fenomen të zhduket nga shoqëria.

Kryeministri Hashim Thaçi, thotë se qeveria e tij do të bashkëpunojë me të gjithë faktorët relevantë për luftimin e kësaj dukurie negative, ndërsa shprehet se lufta kundër këtij femomeni nuk do të jetë e motivuar politikisht. Këto deklarata kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i bëri në një konference me temën "Fuqizimi i kapaciteteve kosovare për luftimin e pastrimit të parave dhe korrupsionit", të organizuar nga Agjencia Evropiane për Rindërtim.

Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë, thonë se institucionet e Kosovës kanë një sfidë të madhe përpara me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në këtë linjë inkurajojnë institucionet kosovare, që të përdorin të gjithë mekanizmat dhe ta luftojnë këtë dukuri negative.

Renco Davidi, është kryesues i zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë: "Ekonomia informale nuk është një fenomen që zhvillohet vetëm në vendet e pazhvilluar apo vendet në tranzicion, por ky fenomen është i shtrirë edhe në vendet e zhvilluara, natyrisht në masë më të vogël por gjithsesi është një fenomen që shqetëson edhe vendet e zhvilluara, " thotë Renco Davidi duke shtuar se pervoja e këtyre vendeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të ndihmojë autoritetet në Prishtinë.

Për autoritetet e Prishtinës problematike në këtë fazë është luftimi i krimit të organizuar dhe kontrabanës së mallrave në pjesën veriore të Mitrovicës. Dy pikat doganore në kufirin verior me Serbinë, janë ende jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës. Ato u dogjën nga serbët lokalë gjatë një proteste kundër pavarësisë së Kosovës. Në këto dy pika kufitare janë vendosur forcat paqeruajtëse, por ato nuk janë të obliguara që të kontrollojnë mallrat që hyjnë nga Serbia në Kosovë. Sipas udhëheqësve politik kosovarë nga këto dy pika kufitare po zhvillohet kontrabandë, ku janë të përfshirë serbë dhe shqiptarë dhe dëmet që i janë shkaktuar buxhetit të Kosovës janë mbi 40 milionë euro.