Nuk është rastësi - Vrasja ndodh paralelisht me publikimin e raportit të hetuesve
13 Dhjetor 2005Reklamë
Nën hijen e një vrasjeje tjetër politike në Liban, Këshillit të Sigurimit në
Nju Jork iu paraqit një raport i ri i ashtuquajtur raporti Mehlis. Në raportin e hetuesit të posaçëm të OKB-së Detlev Mehlis theksohet akuza, që qarqet siriane janë bashkëpërgjegjëse për atentatin ndaj ish-kryeministrit libanez Rafik Hariri shkurtin e kaluar. Këshilli i Sigurimit dënoi ashpër sulmin e fundit në Liban. Duke filluar nga dita e sotme ky forum do të diskutojë mbi konsekuencat që duhen nxjerrë prej raportit Mehlis.
Raporti me 25 faqe i përpiluar mbi bazën e hetimeve të hetuesit të posaçëm Detlev Mehlis përmban sërish kritika kundër Sirisë. Ndaj Këshilli i
Sigurimit duhet të rimerret me qëndrimin kryeneç të qeverisë së Bashar el
Asadit. Krahas kësaj situata është ashpërsuar pas atentatit të fundit në
Bejrut. Si rrjedhojë forumi më i lartë i OKB-së u mblodh një ditë përpara
planifikimit.
Të hënën në mbrëmje me dyer të mbylluara u diskutua sërish mbi
rolin që luan Siria në vendin fqinj të saj. Çështja që u shtrua ishte, nëse
dhe si bashkëpunon Damasku: "Të gjitha këto japin shkas për shqetësim,
Mehlsi përshkruan me hollësi pengesat e shumta. Thelbi i raportit është, se
Siria nuk e ka përmbushur rezolutën 1636."
Rezoluta, insiston ambasadori i ShBA në OKB, Xhon Bollton, kërcënon me
vendosjen e masave të mëtejshme kundër Sirisë, në rast se qeveria në Damask nuk heq dorë prej qëndrimin të saj bllokues. Ndonëse Detlev Mehlis në raportin e tij të fundit, që e posedon edhe televizioni gjerman ARD, vëren, se Siria ka filluar t´i përmbushë premtimet e veta, kjo po bëhet me ngadalë dhe me ngurrim. Siria është përpjekur, që t´i pengojë rezultatet e hetimeve duke vënë nën presion të paktën një dëshmitar.
Në 13 pika hetuesi Mehlis përshkruan, se si hetuesit sirianë dhe ministria e
jashtme përmes formaliteteve dhe bisedimeve vështirësojnë bashkëpunimin. Megjithatë ndërkaq janë marrë në pyetje në Vjenë pesë sirianë të dyshuar, ndërsa po zvarritet dëgjimi i dëshmitarëve të tjerë. Përveç kësaj dy dëshmitarë kanë konfirmuar, se në Damask janë djegur të gjitha dokumentat e shërbimeve sekrete lidhur me Libanin. Bashkëpunimi duhej të ishte krejt ndryshe, nënvizon ambasadori Bollton: "Kemi të bëjmë me pengimin e drejtësisë prej qeverisë siriane. Ne do të konsultohemi lidhur me konsekuencat. Por tani ende nuk mund ta them këtë."
Raundi i 15 vendeve të këshillit të Sigurimit duhet të diskutojë edhe për
qëndrimin e mëtejshëm lidhur me sqarimin e atentatit me bombë ndaj Rafik
Haririt. Hetimet janë përqëdnruar ndërkohë tek 19 të dyshuar libnezë dhe
sirianë. Gjendja e dëshmive, sipas hetuesit të posaçëm Mehlis, ndërkohë
është përmirësuar dhe kompaktësuar. Dëshmitarë të rinj kanë konfirmuar
dyshimin ndaj qarqeve të shërbimeve sekrete siriane.
Mehlis është i mendimit që komisionit hetimor të OKB-së i duhen edhe tre deri në gjashtë muaj kohë për të zbardhur përfundimisht atentatin, por kjo kërkon bashkëpunimin e plotë të Sirisë. Mehlis nuk do të mund ta mbyllë vet këtë çështje. Pas raportimit në Nju Jork ai do të kthehet në prokurorinë e përgjithshme në Berlin. Ndonëse mandati i tij në këtë mision delikat po zgjat më shumë nga ç´ishte planifikuar. Më 15 dhjetor përfundon mandati i komisionit hetimor.
Libani ka kërkuar shtyrjen e afatit. Ndaj pritet që sot Këshilli i Sigurimit
në Nju Jork të vendosë për qëndrimin e mëtejshëm kundrejt Damaskut si dhe për pasardhësin e hetuesit Mehlis.
Reklamë