Një jetë në ankth | Gjermania | DW | 25.02.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Një jetë në ankth

Një familje shqiptare nga Kosova shpreson që së shpejti do të miratohet ligji për emigracionin

Azilkërkues në Gjermani në radhë përpara zyrës së të huajve

Azilkërkues në Gjermani në radhë përpara zyrës së të huajve

"Nënë, pse nuk kemi të drejtë të udhetojmë?"
Pyetjes së vajzës 8-vjeçare Mimoza, e ëma Mirvete Gashi i përgjigjet: "Sepse nuk kemi pasaportë". Mimoza është e lindur në Gjermani ashtu si edhe dy motrat e tjera. Prindërit e saj janë shqiptarë nga Kosova.
Para 11 vjetësh për shkak të përndjekjeve të forcave policore serbe ata u detyruan të largohen nga vendlindja e tyre.

Që atëherë familja Gashi jeton në Bad Kreuznach me statusin e qëndrimit të kufizuar, të ashtuquajtur Duldung, me kufizim të drejtash sociale dhe frikën që një ditë mund të dëbohen nga Gjermania.
Për të rregulluar qëndrimin ata shpresojnë për ligjin e emigracionit.
Por si do të rrjedhin takimet e radhës në komisionin për ndërmjetësim që do të zhvillohen me 27 shkurt dhe në fillim të marsit, mbetet një çështje e hapur.

I ati i Mimozes, Florim Gashi, i cili posedon një dëshmi për anulimin e dëbimit thotë që se paku ata mund të qendrojnë deri në qershor dhe tregon firmën që ka në dokumentacionin e tij. Ai ka një leje të pakufizuar pune në një ndërmarrje vreshtash dhe nga paratë e fituara mban familjen dhe paguan qiranë e banesës tre-dhomëshe.

Familja Gashi nuk është rasti i vetëm, thotë famulltari nga Bad Kreuznahu që kujdeset për refugjatët, Siegfried Pick. Për të huajt të cilët jetojnë gjatë në Gjermani duhet që për hir të shkaqeve humanitare të rregullohet e drejta e qëndrimit. Kjo duhet të parashihet edhe në ligjin për emigracionin, kërkon zëdhënësi i grupit të punës për strehimin e të huajve në landin Rheinland-Pfalz.

Ai në bashkëpunim me organizatën për strehimin e të huajve, të quajtur Pro Asyl udhëheq fushatën me nënshkrime "Kush jeton gjatë këtu, duhet edhe të qendrojë këtu", peticion ky i nënshkruar tashmë nga më se 40.000 qytetarë në tërë Gjermaninë, i cili ka arritur të dërgohet për diskutim në Bundestagun gjerman.
"Ne prapë do të vazhdojmë të mbledhim nënshkrime dhe të bëjmë presion në këtë drejtim", rrëfen administratori i Pro-Asylit, Günter Burkhard.

Në lidhje me mosmarrëveshjet që mbretërojnë në mes partive politike gjermane sa i përket ligjit të emigracionit, Burkhardt paralajmëron se është e palogjikshme nëse të huaj të cilët qëndrojnë gjatë në Gjermani, të dalin si "humbës" nga vendimet që do të merren, përkundrazi, ata prej kohësh janë emigruar dhe integruar në këtë shoqëri.
Problemi i rreth 150.000 të huajve që kanë status të kufizuar qëndrimi, pra Duldung, të cilët jetojnë prej më shumë se 5 vjetësh në Gjermani, nuk mund të zgjidhet duke marrë vendim për çështjen e statusit nisur nga raste të veçanta.

Edhe e ngarkuara me punë për të huajt në qeverinë gjermane, Marie-Luise Beck e Partisë së të Gjelberve, kërkon një zgjidhje përfundimtare. Integrimi prej kohësh i shumë të huajve, në veçanti i fëmijëve të tyre, duhet të pasqyrohet me një rregullim të drejtë ligjor. Për domosdoshmërinë e regullimit të lejës së qëndrimit shtohen zërat edhe tek partitë që në fillim ishin në kundërshtim me këtë iniciativë.

Për shkak të qëndrimit të kufizuar disa vjeçar dhe kërcënimeve me dëbim, familja Gashi është e brengosur: "Ne nuk e dimë, se çka do të ndodhë me ne".

Edhe me gjithë mallin për vendlindje, për familjen Gashi qyteti i Bad Kreuznachut është shndërruar në vendlindje të tyre.
Për shkak të fëmijëve edhe prindërit kanë vendosur të jetojnë në Gjermani. Tri vajzat nuk e njohin as Kosovën dhe as gjyshërit e tyre. Gjyshe kanë një grua të moshuar në familjen fqinjë gjermane, shokët dhe shoqet i kanë në çerdhet dhe shkollat ku shkojnë.

Për të huajt të cilët jetojnë për një kohë të gjatë në landin Rheinland-Pfalz shfaqen shpresat e para, thote Pick.
Ministria e Brendshme e Mainzit u ka rekomanduar institucioneve zyrtare që njëherë për një herë të mos vazhdojë me dëbimin e të huajve nga vendi, të cilët "kanë gjasa reale se do të pajisen me leje qendrimi".

Për të mos krijuar fakte të kryera para se të arrihet një marrëveshje në komisionin për ndërmjetësim, rekomandohet që në rast se dikush ka të ardhura finaciare, shkaqe humanitare apo personale, ky të pajiset me leje qëndrimi.

Ashtu si në Kreuzbach prifti Sigfried Pick me angazhimin e tij në favor të zgjidhjes së statusit për të huajt ka tërhequr vëmendjën edhe në landet tjera dhe për këtë ai kërkon të hapen rrugë të reja.
Familja Gashi ka përfituar në këtë rast dhe aty për aty ka marrë një leje qëndrimi, Duldung, e cila zgjat për një kohë më të gjatë.

Nëse hyn në fuqi ligji per lejën e qëndrimit, familja Gashi do të përfitojë ndër të parët, mendon Pick.

Vetëm në landin Rheinland-Pfalz jetojnë rreth 12.000 refugjatë, të cilët jetojnë më shumë se 5 vjet me status të kufizuar.

  • Data 25.02.2004
  • Autor Sabine Schmidt - Gerheim
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar7S
  • Data 25.02.2004
  • Autor Sabine Schmidt - Gerheim
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar7S