Një fllad miqësor nga Berlini në Pekin | Gjermania | DW | 23.05.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Një fllad miqësor nga Berlini në Pekin

Kancelarja gjermane Angela Merkel i dha fund vizitës së saj dyditore në Kinë. Pak para largimit të saj Merkel paralajmëroi para dhomës gjermane të tregtisë në Shangaj ndjekjen e një vije të ashpër në mbrojtjen e pronës intelektuale. Sipas saj, kjo temë do të jetë në krye të rendit të ditës gjatë presidencës gjermane në grupin e G-8-ës vitin e ardhshëm. Merkel nënvizoi edhe rëndësinë e Kinës për ekonominë gjermane.

default

"Në krahasim me parardhësin e saj Gerhard Shrëder zonja Merkel la një përshtypje të freskët. Që prej fillimit të veprimtarisë së saj politike stili i saj karakterizohet prej maturisë, ajo nuk është mendjemadhe dhe vepron me mençuri" - me këto fjalë e lavdëron gazeta kineze "Xinwen Wanbao" kancelaren gjermane. Vizita e saj ishte një ndër temat kryesore të mediave kineze.

Vizita e Angela Merkelit u shoqërua me nderet dhe propagandën më të madhe që u ofron Kina delegacioneve të huaja. Kryeministri kinez Wen Jiabao i vuri asaj një gjysmë ditë të tërë në dispozicion, Merkeli u takua me presidentin e vendit Hu Jintao dhe gazetat kishin të drejtë të njoftonin aq hollësisht për këtë vizitë sa edhe njerëzit e thjeshtë në rrugë u informuan për këtë vizitë.

"Kam përshtypje të mirë për të. Ajo ka qenë një herë për vizitë në Kinë kur ishte ministre. Tani vjen për herë të parë si kancelare. Kjo më gëzon dhe jam i kënaqur me politikën e saj ndaj Kinës" - thotë një kalimtar 70-vjeçar.

Kudo dëgjon dhe lexon fjalë të mira për vizitën e Merkelit në Kinë. Sun Kechin, studiues i marrëdhënieve gjermano-kineze thotë se motoja e vizitës së kancelares ishte kontinuiteti i marrëdhënieve gjermano-kineze: "Kryeministri ynë Wen Jinbao tha se marrëdhëniet kinezo-gjermane kanë arritur shkallën e pjekurisë. Kjo është një fjali e rëndësishme, sepse arritja e pjekurisë tregon se janë ndërtuar mekanizma të përbashkëta në fushën politike, ekonomike dhe kulturore. Këto marrëdhënie karakterizohen prej besimit dhe megjithëse mes të dyja vendeve ka ndryshime në mendime ato mund të zgjidhen përmes dialogut."

Mendime të përbashkëta mes Kinës dhe Gjermanisë duket se përveç marrëdhënieve dypalëshe ka edhe në çështje ndërkombëtare. Pë r shembull në çështjen e Iranit të dyja palët janë të një mendjeje se Irani nuk duhet të ketë armë atomike dhe se duhet gjetur një zgjidhje diplomatike.

Dallime kuptohet që pati në lidhje me çështjen e të drejtave të njeriut. Megjithatë kancelarja ia doli mbanë që të bënte një spargatë politike duke e trajtuar këtë temë, por pa i fyer kinezët.

Pas vizitave të kancelares Merkel në Rusi, ku ajo u shpreh për çështjen e të drejtave të njeriut dhe vizitës në SHBA ku ajo u foli në lidhje me fatin e të burgosurve në burgun e Guantanamos këshilltarët kinezë e kishin përgatitur kryeministrin Wen Jinbao për më të keqen, për një kancelare e cila do të sulej si tajfun shkatërrimtar mbi Kinën dhe do t'i përmbyste kokë e këmbë marrëdhëniet gjermano-kineze.

Por pas bisedave me zonjën Merkel, sipas mendimit të palës kineze u bë e qartë se "ajo ka parimet e veta në lidhje me të drejtat e njeriut dhe se kur flet për to nuk duhet keqkuptuar si sulm". Vetë kryeministri kinez e vlerësoi vizitën e saj në Kinë me këto fjalë: "Disa këtu e quajtën zonjën Merkel stuhi. Po unë do të thosha se ajo ka sjellë në Pekin një fllad miqësor."

  • Data 23.05.2006
  • Autor Petra Aldenrath
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar0V
  • Data 23.05.2006
  • Autor Petra Aldenrath
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar0V