1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

050110 USA Terror Jemen

5 Janar 2010

Pas atentatit të dështuar ndaj një avioni në SHBA Jemeni gjithnjë e më shumë po depërton në fokusin e luftës kundër terrorizmit. Sipas qeverisë jemenite në vend mund të ndodhen deri në 300 luftëtarë të Al-Kaidës.

https://p.dw.com/p/LLd1

Një vend po preokupon aktualisht të gjithë politikanët amerikanë të nivelit të lartë :

"Më lejoni të filloj me Jemenin.“

Kështu u shpreh ministrja e Jashtme e SHBA-së Hillary Clinton, kur të hënën (4.1.) ajo dha konferencën e parë të shtypit në vitin e ri.

"Kërcënimi i vazhdueshëm, që vjen prej Al Kaidës në gadishullin arabik, më shqetëson shumë. Krahu i Al Kaidës në Jemen e quan veten me inicialet AQAP (Al Qaeda in the Arabian Peninsula)."

Kundër këtyre objektivave duhet të veprojmë në mënyrë konsekuente dhe për qeverinë në Sana menjëherë duhet të dyfishohen ndihmat financiare për luftën kundër terrorizmit, shuma konkretisht është 150 milionë dollarë, theksoi Hillary Clinton.

"Në mënyrë që qeveria jemenite të mund të ndërmarrë diçka kundër rrjetit të Al Kaidës në vendin e vet", vazhdoi Clinton-i, duke nënvizuar se ky duhet të jetë një proces i verifikueshëm nga bashkësia ndërkombëtare.

Megjithatë qeveria e Obamës e di: se prej qeverisë qendrore jashtëzakonisht të dobët në Sana nuk mund të presë mbështetje efektive në luftën kundër terrorizmit. Ndaj presidenti i SHBA-së i var shpresat tek zgjerimi i operacioneve të deritanishme të SHBA-së në Jemen.

"Ne deri tani kemi shkatërruar kampet e stërvitjes së terroristëve dhe kemi eliminuar udhëheqës të Al Kaida-s. Tani ne do t' ju vendosim edhe ju përpara përgjegjësisë."

Pra ai ka parasysh anëtarët e Al Kaidës në Jemen, të cilët kanë stërvitur 21 vjeçarin Umar Farouk Abdulmutallab. Fjala është për studentin, që në ditën e Krishtlindjeve (24.12.) donte të hidhte në erë pak para uljes në Detroit një avion pasagjerësh. Thënë qartë kjo nënkupton: që Al Kaida në Jemen do të sulmohet sërish, ky është interpretimi i njëzëshëm i medieve në SHBA.

"Al Kaida will be attacked again!"

Qysh nga viti 2003 si ushtarakët e SHBA-së ashtu edhe krahu ushtarak i shërbimit të kundërzbulimit CIA kryejnë operacione kundër terroristëve të dyshuar të Al Kaidës në Jemen. Në pjesën më të madhe operacionet kryhen përmes avionëve të telekomanduar Predator.

Senatori me influencë, Joe Liebermann deklaroi në televizionin amerikan ABC:

"Në gadishullin arabik javëve të fundit ne kemi goditur disa herë me sukses El Kaidën.“

Fakt është që të paktën 23 vetë janë vrarë në dhjetor gjatë dy sulmeve amerikane ndaj kampeve të dyshuara të El Kaidës në Jemen. Ndër të vrarët ka edhe civilë:

"Ne jemi gjithnjë e më të pranishëm në territorin e Jemenit" , thekson senatori i SHBA-së.

Thuajse pa rënë në sy në opinionin amerikan SHBA-ja vazhdimisht e ka zgjeruar luftën kundër Al Kaida duke nisur nga Iraku, Afganistani e deri në Pakistan, Somali dhe Jemen.


"Iraku është lufta e djeshme, Afganistani është lufta e sotme. Ndërsa Jemeni rrezikon të bëhet sheshi i ardhshëm i luftës.“

Kështu profetizon senatori Liebermann-i, për më tepër tani që Jemeni është vendstrehimi për shumë terroristë të Al Kaidës nga Somalia.

Një gjë është e sigurtë: për 97 të burgosurit jemenitë të Guantanamos nuk do të ketë kthim në atdhe brenda një periudhe të afërt.

Autor: Ralf Sina/ Vilma Filaj- Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi