1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndërrim në qeverinë gjermane

Anila Shuka, Berlin22 Nëntor 2005

15 ministrat e koalicionit mes socialdemokratëve dhe unionistëve japin betimin

https://p.dw.com/p/Aqha
"Në më ndihmoftë Zoti!"
"Në më ndihmoftë Zoti!"Fotografi: dpa

Kancelari i deritanishëm i Gjermanisë, Gerhard Shrëder, i dorëzoi pasardhëses së tij Angela Merkelit çelësat e zyrës kancelare. Ai i uroi ish-rivales sukses në detyrën e re: "Po hyni në një shtëpi, që me të drejtë quhet qendra e qeverisë," tha ish-kancelari socialdemokrat, duke lavdëruar bashkëpuntorët e zyrës kancelare për profesionalizëm dhe njerzillëk.

Më parë të 15 ministrat e qeverisë së kancelares kristdemokrate kishin dhënë betimin në Bundestag. Kabineti i ri përbëhet nga tetë ministra socialdemokratë, pesë kristdemokratë dhe dy kristsocialë. Presidenti Këler iu drejtua atyre me një apel:

"Gjermanët e dinë që është e nevosjshme të bëhen ndryshime në dobi të ruajtjes së të mirave që kemi ndërtuar së bashku. Dua t'ju jap kurajo që të bëni një politikë të qendrueshme, që i kap problemet nga themelet dhe që projekton zgjidhje më afatgjate se një periudhë legjislative."

Sfida më e madhe për qeverinë Merkel qendron në radhë të parë në konsolidimin e buxhetit të shtetit, që për herë të gjashtë po shkel jo vetëm kriteret e Mastrihtit, por edhe kushtetutën gjermane. Një problem tjetër është papunësia që ndodhet në nivelin e pesëmilionshit.

Përveç ministres së drejtësisë, Brigite Cypries, të gjithë të tjerët – përfshirë edhe evangjelisten Merkel – tekstit të detyrueshëm të betimit mbi kushtetutë i shtuan edhe frazën fakultative: "Në më ndihmoftë Zoti!" Parardhësi i Merkelit, Gerhard Shrëder, ishte i pari kancelar i deriatëhershëm që në vitin 1998 bëri betim pa iu referuar Zotit.

Të martën (22.11.) paradite Merkel u zgjodh nga Bundestagu qysh në raundin e parë. Në një votim të fshehtë,397 nga gjithsej 614 deputetë dhanë votën pro, 202 kundër zgjedhjes së 51-vjeçares si kancelare. Ajo arriti kështu një rezultat shumë më të mirë se Kurt Georg Kizinger në vitin 1966. Ky ishte kancelari i parë i koalicionit të madh, Merkel është e dyta, por e teta që qeveris Republikën Federale.

Mbas zgjedhjes në Bundestag ajo u tërhoq së bashku me të afërmit, prindërit dhe ish-mësuesin e matematikës në një dhomë më vete, për të festuar suksesin. I shoqi, profesor Joahim Zauer deri tani po i shmanget publikut, prandaj edhe nuk mori pjesë në ceremoni. Një tjetër ndryshim ky nga parardhësi Shrëder, i cili veçanërisht në ngjarje të rëndësishme e vlerësonte praninë fizike të së shoqes, Doris Shrëder-Këpfit. Këtë përkushtim tani 61- vjeçari nga Hanoveri ka vendosur t’ia kthejë: Të hënën ai bëri të njohur dorëzimin e mandatit të deputetit dhe kthimin në jetën private.