1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nano: "Zgjidhja e statusit duhet të jetë një zgjidhje evropiane"

Niko Anagnosti4 Mars 2005

Roli i Shqipërisë është i pazëvendësueshëm në ndikimin e saj ndaj Prishtinës në çështjen e statusit të Kosovës, dhe kjo vlerësohet dhe nga qeveria greke. Kështu deklaroi sot në Athinë për Deutsche Welle kryeministri shqiptar Fatos Nano, i pyetur në se iu kërkua një gjë e tillë nga bashkëbiseduesi i tij Karamanlis. Gjithashtu tha se nuk ka konteste midis Tiranës dhe Athinës për formën e statusit, e cila duhet të jetë një "zgjidhje evropiane". Kjo në një kohë kur Athina aktivizohet ndjeshëm dhe bën përpjekje që t'i bashkangjitet Grupit të Kontaktit si anëtar i shtatë i tij kur të shtrohet çështja e statusit përfundimtar të Kosovës.

https://p.dw.com/p/AquB
Kryeministri shqiptar Fatos Nano
Kryeministri shqiptar Fatos NanoFotografi: AP

Në përfundim të vizitës së tij triditore në Athinë kryeministri shqiptar Fatos Nano u prit sot para dite nga homologu i tij grek Kostas Karamanlis, i kthyer mbremë në darkë nga miniturneu i tij diplomatik në Zagreb, Beograd dhe Prishtinë. Kryeministri shqiptar u informua kështu direkt nga bashkëbiseduesi i tij për rezultatet e kontakteve të tij me palen serbe dhe atë shqiptare për çështjen e statusit përfundimtar të Kosovës si edhe rolin në këtë çështje të palës greke. Në konferencën për shtyp, i pyetur për Deutsche Wellen se ku diferencohet pala shqiptare ndaj asaj greke për formën e statusit dhe nëse Karamanlisi i kërkoi që Tirana të influencojë mbi faktorin shqiptar të Kosovës për arritjen e një konsesusi, Nano u përgjigj:

"Nuk ka konteste parimore, lëvizim brenda të njëjtit kuadër të transformimit evropian të rajonit dhe integrimit të tij në Bashkimin Evropian...Edhe ne edhe qeveria greke pranojmë formulën evropiane të zgjidhjes së statusit të Kosovës, e cila mbështetet mbi standartet demokratike dhe ligjore që garantojnë barazinë dhe mbrojtjen në nivelet e legjislacionit dhe realitetit evropian të të gjithë qytetarëve të Kosovës...Të dy qeveritë nxisin dhe përgëzojnë njëra-tjetrën për kontribute të dialogut rajonal dhe drejtpërdrejtë midis gjithë kryeqyteteve të rajonit...Të gjitha këto do të vazhdojmë t'i themi jo vetëm në gjuhët ndërkombëtare por edhe në shqip me autoritetet legjitime të Kosovës, ashtu siç i themi dhe me përfaqësuesit e Beogradit me të cilët kontaktetet dhe dialogu politik po intensifikohen...Roli ynë për t'i thenë shqip këto principe edhe angazhime është i pazëvendësueshëm dhe vlerësohet dhe nga qeveria greke."

Unisoni me Tiranën rreth së njejtës formule "për një zgjidhje evropiane", siç u shpreh dhe nga kryeministri shqiptar nuk mund të mos vlerësohet nga Athina, aktivizimi i madh i së cilës vlerësohet edhe si një rol ndërmjetësues midis Prishtinës dhe Beogradit për ngushtimin e hendekut të madh që i ndan në lidhje me obsionin e pavarësisë së Kosovës. Karakteristike ishin vlerësimet e medias qendrore greke që folën për ekuilibër të Karamanlisit mbi litarin e Kosovës dhe rolin e tij si misionar të Selisë së Shenjtë të Evropës për të bindur Beogradin se Kosova nuk mund të përbëjë më pjesë të Serbisë dhe se në një farë mënyre ka ikur treni i pavarësisë së saj. Paralelisht Athina përpiqet, siç mësohet nga burime diplomatike, të institucionalizojë rolin e saj aktiv, jo vetëm me avantazhin që i jep cilësia e shtetit anëtar të Këshillit të Sigurimit për këtë periudhë por edhe me pjesëmarrjen eventuale të saj si anëtar i shtatë i Grupit të Kontaktit kur do të shtrohet çështja e statusit, gjë për të cilën po bën përpjekjet e saj në rrugë diplomatike.

Të theksojmë, në fund, se mirëkuptim të plotë pati edhe për gjithë gamën e marrëdhënieve dypalëshe, që Nano i cilësoi si të shkëlqyera. Karamanlis, siç tha, vlerësoi me realizëm progresin e gjithansëm në Shqipëri dhe foli për progres të dukshëm në çështjen e minoriteteve, duke shprehur njëkohësisht angazhimin e kabinetit të tij për kompletimin e procesit të legalizimit të emigrantëve shqiptarë. Njëkohësisht u shpreh për aktivizimin e programeve të financimit në kuadrin e Planit Grek për Rindërtimin e Ballkanit në fushat e infrastrukturës rrugore dhe doganore, por edhe të strehimit dhe kulturës.