Në ç′drejtim ecën Evropa? | Evropa | DW | 14.02.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Në ç'drejtim ecën Evropa?

Një simpozium gjermano-grek diskuton në Athinë perspektivat e BE-së

Në Athinë diskutohen perspektivat e Evropës

Në Athinë diskutohen perspektivat e Evropës

Një fondacion i parlamentit grek dhe ambasada gjermane në Athinë organizuan pak ditë më parë një simpozium gjermano-grek me temë "Perspektivat e Evropës". Për herë të parë një aktivitet i tillë u organizua nën patronazhin e kryetares së parlamentit grek Ana Benaki.

Krizë kushtetuese, deficite në demokraci, zgjerime të BE-së: në Evropën e sotme ka shumë për të diskutuar. Në simpoziumin gjermano-grek në Athinë politikanë të lartë nga të dyja vendet u shprehën për idenë evropiane dhe diskutuan mbi të ardhmen e BE-së. E sigurt është që raundi i ri i zgjerimit do të ndodhë me siguri. Pasi siçu shpreh ministri i shtetit në ministrinë e jashtme gjermane Günter Gloser edhe Ballkani Perëndimor është pjesë e Evopës:

"Kryetarët e shteteve dh qeverive kanë thënë njëherë që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë anëtarësimi. Këtë ata e përforcuan për herë të parë në Selanik dhe e kanë thënë edhe në samitet e fundit. Por kjo nuk mund të ndodhë sot ose nesër pasi secili nga vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjë përparime të konsiderueshme. Ne megjithatë nuk duam t'ua marrim këtë perspektivë."

Fillimisht në dhomën e pritjes së BE-së do të hyjnë Kroacia dhe Turqia. Norbert Lammert, kryetari i parlamentit gjerman dëshiron zhvillimin e një debati mbi kufijtë e Evropës. Ai la gjithashtu të kuptohej se Turqia ka një rrugë të gjatë përpara drejt anëtarësimit të plotë:

"Mund të polemizohet mbi pyetjen nëse anëtarësimi i Turqisë në Bashkimin Evropian do të sillte avantazhe si për Turqinë ashtu edhe për BE-në apo përbën ndoshta më shumë një rrezik të konsiderueshëm. Por është rënë dakort që Turqisë t'i ofrohet anëtarësimi i plotë dhe përmes negociatash të ezaurohen mundësitë që duhet të ekzistojnë për një anëtarësim të tillë. Për këtë arsye jam natyrisht i mendimit që këto negociata tani të kryhen me ndershmëri dhe rezultat të hapur."

Evropa filloi si një bashkësi ekonomike duke bërë vazhdimisht përparime në drejtim të një unioni politik. Por në shumë vende anëtare është përhapur një lloj euroskepticizmi. A mos vallë ekziston rreziku që Bashkimi Evropian të degradojë në një zonë të thjeshtë tregtie të lirë? Presidentja e parlamentit grek Ana Benaki:

"Përgjigjja ime është një ‚'jo' kategorike. Unë nuk shoh një rrezik të tillë. Ndoshta disa partnerë të BE-së ngurojnë ende të çojnë përpara procesin politik të integrimit. Por ‚rrjedha e lumit nuk mund të kthehet mbrapsht'. Herët ose vonë Evropa do të disponojë një fuqi të madhe politike, ekonomike dhe ushtarake."

Deri tani integrimi evropian është historia e një suksesi e megjithatë konfrontohet me rezerva në rritje. Për zëvendëspresidentin e parlamentit grek Philippos Petsalnikos arsyeja është e qartë: të rinjtë evropianë nuk duan më t'u tregojnë si e ka manaxhuar të kaluarën Evropa e bashkuar; ata e hedhin më tepër vështrimin drejt problemeve të së ardhmes së tyre:

"Miliona të rinj në gjithë Evropën ndihen të kërcënuar nga papunësia. Në vazhdën e globalizimit lindin sfida të reja. Shkatërrimi i ambientit vazhdon. Brezi i ri nuk është përgjegjës për gjithë këto probleme e megjithatë duhet t'i zgjidhë."

Të paktën Evropa kërkon të zgjidhë problemet e brendshme. Në muajin qershor presidenca gjermane në Këshillin Evropian do të paraqesë një kompromis mbi hapat e mëtejshëm në çështjen e kushtetutës. Kancelarja Angela Merkel dëshiron ‚ta ruaj thelbin e marrëveshjes kushtetuese'. A do të thotë kjo që në fund pjesëmarrësit do të ishin të kënaqur edhe me një mini-marrëveshje? Ministri i shtetit Günter Gloser e merr pyetjen me humor dhe përgjigjet, se gjithçka është çështje përkufizimi:

"Jo, sigurisht që me një mini-marrëveshje nuk do të ishim të kënaqur; në këtë kuadër shtrohet pyetja e përkufizimit të fjalës mini. Kur mendoni për veshjen, minifundin, ky ka ndryshuar vazhdimisht duke u bërë gjithnjë e më i shkurtër. Ne nuk duam një marrëveshje të tillë. Besoj se ne na nevojitet një bashkim i aftë për të vepruar dhe marrëveshja duhet të përmbajë shumë pjesë që gjenden sot në të. Për pika të veçanta pastaj, po diskutohet aktualisht."

  • Data 14.02.2007
  • Autor Jannis Papadimidtriou
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8s
  • Data 14.02.2007
  • Autor Jannis Papadimidtriou
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8s