Ministri Beqiri: Trazirat e marsit 2004- përjashtim që nuk duhet të përsëritet
17 Mars 2009Ministria e Kulturës: meremetimi i kishave dhe manastireve serbe në Kosovë në fazën përfundimtare
Krerët e Ministrisë së Kulturës në Kosovë thanë sot se meremetimi i kishave dhe manastireve ortodokse serbe në Kosovë të dëmtuara gjatë trazirave të marsit të vitit 2004, ka hyrë në fazën përfundimtare. Gjatë këtyre trazirave u vranë 19 persona, 11 shqiptarë dhe tetë serbë dhe u shkatërruan 36 objekte kulturore e fetare serbe.
Ministri Beqiri: Bashkëpunim jo i mirë me Kishën Ortodokse Serbe për meremetimet
Sipas ministrit të kulturës, Valton Beqiri, pesë vjet pas këtyre trazirave është arritur që mbi 80 përqind e objekteve fetare serbe të meremetohen nga fondi i qeverisë së Kosovës. Ai tha se bashkëpunimi me Kishën Ortodokse Serbe në procesin e meremetimit të Kishave dhe Manastireve nuk është i mirë. Sipas tij, kohët e fundit Kisha Serbe ka filluar të ndërhyjë pa pëlqimin e qeverisë së Kosovës në renovimin e Kishave dhe Manastireve, gjë që është kundërshtuar edhe nga UNESCO-ja. Rasti i fundit është ngjyrosja me ngjyrë të kuqe e një pjese të Patrikanës së Pejës. Për ministrin Valton Beqiri, Trazirat e marsit të vitit 2004, mbeten një njollë e keqe për Kosovën.
'Trazirat e marsit të vitit 2004 - një përjashtim i vetmuar, që nuk guxojnë të përsëriten'
"Në traditën shqiptare, madje edhe sipas kanunit të Lekë Dukagjinit është e përcaktuar qartë konsiderata dhe respekti për identitetin dhe kulturën e të gjitha etnive. Këto janë aspekte të kodifikuara që shqiptarët i respektojnë deri në tabu dhe deri në shenjtëri. Në të gjithë historinë tonë shumëshekullore, trazirat e marsit të vitit 2004 cilësohen si një përjashtim i vetmuar, ku në një shtet demokratik ngjarje të tilla nuk guxojnë të përsëriten,"
thotë Ministri i Kulturës, Valton Beqiri.
Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë
Redaktoi: Auron Dodi