Merkel rizgjidhet kryetare e Bashkimit Kristiandemokrat, CDU
2 Dhjetor 2008Një shefe e rizgjedhur e partisë dhe duartrokitje pa fund. Përmes një fjalimi sa të mendueshëm aq dhe të vendosur Angela Merkel arriti që të siguroj edhe njëherë mbështetjen e partisë dhe të mbys që në djep zënkat për politikën fiskale.
Me plot vetbesim Merkel numëroi me rradhë masat e ndërrmarra nga ajo si kancelare e shtetit kundër krizës financiare dhe ekonomike. Dhe me sarkazëm ajo tregoi se çfarë masash kundërthënese janë propozuar nga shumë ekspertë për tejkalimin e krizës.
"Nëse sot bashkarisht mendojmë se si duhet t'i përgjigjemi kësaj çështjeje të re globale atëherë ne duhet tu besojmë më pak ekspertëve të vetshpallur dhe të ndjekim një parim: Parimin e arsyes praktike".
Në këtë mënyrë Merkel doli kundër kërkesave nga rradhët e partisë për uljen e menjëhershme të taksave. Por vetëm për momentin.
"Për shkak se kjo krizë është e jashtëzakonshme ne do të analizojmë gjendjen rregullisht. Gjermania do të mbaj të hapura të gjitha opcionet për të luftuar me efikasitet pasojat e kësaj krize. Dhe unë e theksoj - të gjitha opcionet".
Dhe Merkel tërhoqi vëmendjen për mbledhjen e ardhshme të komisionit të koalicionit të përbërë nga krerët e Bashkimit Kristiandemokrat, Unionit Kristainsocial dhe Partisë Socialdemokrate. Në fillim të janarit ata do të konsultohen për veprimet e mëtutjeshme që duhet të ndërrmarrë qeveria në luftë kundër krizës financiare. Nëse shihet e nevojshme atëherë në rend të ditës mund të futet edhe çështja e uljes së taksave për qytetarët.
Pas fjalimit të kancelares kritikat ndaj këtij plani ishin të pakëta. Pak më i qartë ishte vetëm Fridrih Merci (Friedrich Merz) i cili e kujtoi kancelaren për vendimet e Unionit Kristaindemokrat të marra në vitin 2003 lidhur me reformat në fushën e taksave.
"Dhe tani shtroj para nesh pyetjen se a mos është tani koha e duhur që pjesën e kësaj përgjegje për një koncept më të përgjithshëm të mëvonshëm ta japim sot edhe për vitin 2009".
Merc u duartrokit për fjalimin e tij, pas një ngurrimi të shkurtër duartrokitjeve i është bashkangjitur edhe vet kancelarja Merkel. Me siguri që ndërkohë ajo e kishte kuptuar se kongresi do të ndjek vijën e saj. Delegatët e dëshmuan këtë më vonë kur rizgjodhën atë me shumicë në postin e kryetares së partisë.