Merkel në shënjestër - Unioni i të rinjve të CDU-së kërkon analizimin e zgjedhjeve | Studimi në Gjermani | DW | 24.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Merkel në shënjestër - Unioni i të rinjve të CDU-së kërkon analizimin e zgjedhjeve

Në qendër të komenteve të shtypit të sotëm është kërkesa e unionit të të rinjve kristjandemokratë (CDU) për të analizuar rezultatin e zgjedhjeve. Angela Merkel kryetare e CDU-së dhe kancelarja e ardhëshme kërkon që analiza të bëhet pasi të jenë mbyllur bisedimet për krijimin e koalicionit qeveritar.

Merkel duke folur para të rinjve të CDU-së

Merkel duke folur para të rinjve të CDU-së

Gazeta "Süddeutsche Zeitung" komenton: "Një analizë e zgjedhjeve para së gjithash do të shërbente që faji për rezultatin e dobët nga Merkeli t´i hidhet kreut të kristjansocialëve Edmund Shtojber. Kjo në mënyrë që ky i fundit të mos bëjë sikur ai bashkë me kreun e socialdemokratëve Myntefering janë bosët dhe Angela Merkeli është kamerierja e koalicionit. E me të drejtë Shtojber nuk lejon që t´ia hedhin atij fajin. Ai distancohet, ashtu siç bën edhe kryeministri i Nordrajn-Vestfalisë Rytgres, nga programatika e harruar sociale. Detyrë e koalicionit të madh mes unionit kristjandemokrat/kristjansocial dhe socialdmeokratëve, duhet të jetë vënia në jetë e termit "ekonomia e re sociale e tregut", vëren "Süddeutsche Zeitung".

"Frankfurter Allgemeine Zeitung" tërheq vëmendjen: "Nuk është arritur që "të zgjohen emocione pozitive", kështu e përmblodhi Shtojberi kritikën duke i rënë pikës. E kushdo e kupton, se me këtë ai ka në shënjestër zonjën Merkel, e cila për hir të socializimit me politikën dhe mënyrës së trajtimit të problemeve esëll, nuk ka aftësinë që me oratorinë e saj të prekë zemrat e njerëzve nëpër birrari. Por vlen të përmendet edhe kontributi i ngurruesit të përhershëm Shtojber në rezultatin e dobët të kristjandemokratëve dhe që tani gjatë bisedimeve të koalicionit sërish është duke vënë në sprovë kufijtë e solidaritetit në parti. Unioni i di shumë mirë arësyet e rezultatit të dobët në zgjedhje dhe e di shumë mirë që ai është i vullnetshëm dhe i aftë për të nxjerrë mësimet prej kësaj, por nëse do ta bëjë vërtetë këtë kjo do të mësohet gjatë bisedimeve për marrëveshjen e koalicionit", nënvizon "Frankfurter Allgemeine Zeitung".

Në artikullin e "Thüringer Allgemeine" ndër të tjera shkruhet: "Ndoshta kishte të drejtë kancelari Shrëder, kur thoshte, se ky union është ende shumë larg pjekurisë së nevojsshme për të drejtuar një qeveri. E kjo nuk ka të bëjë aq me gruan në vijën e parë të frontit Angela Merkel, por me pjesën tjetër mashkullore të kreut të partisë. Pavarësisht nga kapadajllëku i zakonshëm i burrave, që nuk mund ta përfytyrojnë të marrin urdhëra prej një gruaje, vështirë të gjesh njeri në unionin konservator që t´i ketë gjërat nën kontroll. Edmund Shtojberi jo se jo, ai duket se është gati të luajë rolin e një plangprishësi si Lafonteni me socialdemokratët", komenton "Thüringer Allgemeine".

E përditshmja "Westdeutsche Zeitung" analizon: "Merklei duhet këshilluar që të mos e shtyjë shumë analizën mbi zgjedhjet dhe të dëgjojë me vëmendje. Ajo duhet të dëgjojë madje edhe ekspertin e çështjeve sociale Sehofer, i cili e paralajmëron për dështim atë për shkak të kursit radikal. Ajo duhet të nxjerrë mësime nga gabimet dhe njëkohësisht të thotë qartë, se ç´mund të bëhet e ç´nuk mund të bëhet. Gjithashtu Merkeli duhet të sqarojë, nëse mund të vazhdojë të bashkëpunojë me Edmund Shtojberin. Shefi i kristjansocialëve është një barrë më e rëndë se socialdemokratët për koalicionin e madh", shkruan "Westdeutsche Zeitung".

Në komentin e "Kölner Stadt-Anzeiger" lexojmë: "Kryetarja e CDU-së deri në ditën e zgjedhjeve ish zhytur në besimin, se së paku nga pikëpamja programatike unioni është i armatosur mirë. Ndërsa tani po duket, se partia pjesërisht duhet t´ia nisë nga e para dhe të plotësojë programin e saj. Unioni ndodhet përballë pyetjes: se si mund të bëhet një ofertë që të gjejë mëbshtetjen e shumicës në Gjermani, pa qenë nevoja që të zbukurohet realiteti social e ekonomik? Por përgjigja e kristjandemokratëve për këtë është ende e hapur", thekson "Kölner Stadt Anzeiger".

Së fundi edhe një vlerësim nga "Augsburger Allgemeine" lidhur me unionin e të rinjve kristjandmeokratë: Kushdo që e vëzhgon politikën prej kohësh fërkon sytë. A janë këta kundërshtarë arrogantë dhe të veshur shpenguar vërtetë unioni i të rinjve të CDU-së? Sa i përket inskenimeve të duket sikur po përsëritet e njëjta gjë si me të rinjtë socialdemokratë në vitet 70-të. Vetëm se askohe këta të fundit kërkonin shtetëzimin e gjithçkaje, ndërsa këta sot kërkojnë privatizimin e gjithçkaje. Por një gjë duket qartë, kryetare partie këtej, e kancelare andej, tek e fundit në fuqi vazhdon të jetë ligji i moçëm i pashkruar, se fjalën e fundit e thonë burrat. Kështu ka ndodhur edhe asokohe me socialdemokratët e rinj", vëren "Augsburger Allgemeine".

  • Data 24.10.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArtG
  • Data 24.10.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArtG