1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marti Ahtisari në Prishtinë

Bekim Shehu2 Shkurt 2007

Qëllimi i planit është që të vendosë bazat për qëndrueshmeri në Kosovë, ku të gjithë qytetarët të mund të kenë një jetë plot dinjitet

https://p.dw.com/p/ArZ3
Marti Ahtisari
Marti AhtisariFotografi: AP

Marti Ahtisari, zyrtarisht pak më parë i prezantoi Prishtinës planin e tij për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ai tha se qëllimi i planit është që t'i vëje bazat për një qëndrueshmeri në Kosovë ku të gjithë qytetarët të mund të kenë një jetë plot dinjitet dhe një të ardhme në Kosovë, e cila do të kontribuojë poashtu në stabilitetin rajonal.

Ahtisari, në asnjë nga pyetjet e gazetarëve nuk pranoi të përgjigjet nëse dokumenti i tij, në thelb garanton pavarësinë e Kosovës. Duke përmendur disa elemente të dokumentit ai tha se, do të themelohen një numër i komunave me shumicë serbe të cilat do të kenë kopetenca shtesë. Më shumë se 40 vende kulturore dhe fetare do të kenë zona mbrojtëse në mënyrë që Kisha ortodokse serbe të jetë funksionale në Kosovë.

Të gjithë në Kosovë pajtohen me atë, tha Ahtisari, se gjendja e zymtë ekonomike ka nevojë të trajtohet në mënyrë urgjente dhe marreveshja e statusit i garanton Kosovës për të parashtruar kërkesa për anëtarësim në marrëveshje ndërkombëtare. Forcat paqeruajtëse do të qëndrojnë në Kosovë për të ofruar një mjedis të sigurt duke ndihmuar institucionet e Kosovës deri sa të jetë nevoja.

Marti Ahtisari u shpreh gjithashtu se gjatë javëve të ardhshme do të ketë konsultime shtesë me Beogradin dhe Prishtinën dhe ai është i gatshëm të marrë në konsideratë vërejtjet e tyre. Pra ai planifikon një raund të ri bisedimesh në Vjenë që do të fillojnë me 13 shkurt. Ahtisari shpreson që Serbia dhe Kosova do t'i dërgojë ekipet e veta në Vjenë ta shtjellojnë së bashku dokumentin dhe të shifet nëse ka nevojë për ndonjë ndryshim.

Dokumenti sipas Ahtisarit, do të ketë një përkufizim të qartë pas konsultimeve që do të ndodhin gjatë muajit shkurt dhe më pas dokumentin përfundimtar ai do ta dorëzojë në KS-it, mekanizëm ky që do të vendosë për të ardhmën e Kosovës. Dokumenti me gjasë do të dorëzohet në KS-it, para fundit të Marsit. Ai nuk e di se sa do të zgjasë procedura për një rezolutë të re për Kosovën në KS-it, mirëpo, ai shpreson se nuk do të ketë vonesa. Megjithatë, Marti Ahtisari, beson se plani i tij për Kosovën ka për të gjetur mbështetjen e shumicës së vendeve anëtare të grupit të kontaktit, mirëpo, nuk ishte në gjendje të garantojë nëse pakoja e tij do të përkrahet në mënyrë unanime në KS-it.