Ku ka pankerë që marrin në telefon ministritë? | Gjermania | DW | 12.05.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ku ka pankerë që marrin në telefon ministritë?

Ç'mund të bëhet kundër përhapjes së ekstremizmit të djathtë? Kjo ishte tema e debatit të zhvilluar të premten (11 maj 2007) në Bundestag.

Protestë kundër nazistëve në Berlin

Protestë kundër nazistëve në Berlin

"Dështim i madhërishëm" - me këtë frazë mund të përmblidhet mendimi i opozitës për luftën e qeverisë gjermane kundër ekstremizmit të djathtë. Ka mbetur i paharruar skandali i vitit 2003, kur shteti gjerman donte ta ndalonte Partinë Nacionaldemokrate (NPD) dhe kjo dështoi në Gjykatën Kushtetutese. Shumë prej antarëve të partisë djathtiste radikale dolën që ishin agjentë të Organit për Mbrojtjen e Kushtetutës. Ekstremistët e djathtë ishin mjaft të mllefosur asokohe ndaj shtetit që i ngatërron vetë punët. Kjo nuk duhet të përsëritet kurrsesi: "Kush kërkon ta ndalojë seriozisht dhe në përputhje me ligjin NPD-në antikushtetuese, duhet fillimisht të mënjanojë pengesat e ndalimit. Pra t'i largojë agjentët. Ata nuk sjellin asgjë, veçse dëmtojnë", kërkon Petra Pau nga Partia e Majtë.

"Kjo kërkesë mua më duket naive", i kundërvihet asaj politikania socialdemokrate Gabriele Fograscher. "Sepse unë besoj se shumë përgjigje të Qeverisë Federale bazohen në të dhëna, që nuk mund të arrihen pa agjentë. Një kërkesë e tillë më duket e rrezikshme, sepse procedura e ndalimit, në se dëshirojmë ta provojmë sërish, mund të kërkojë shumë kohë dhe ne nuk do të kishim më njohuri për zhvillimet në qarqet djathtiste. Prandaj edhe nuk mund ta pranojmë mocionin tuaj", tha Fograscher.

Gjatë viteve të fundit qeveria ka ndjekur strategjinë e mbështetjes së nismave qytetare dhe aleancave vepruese kundër ekstremizmit të djathtë. Kjo strategji do të vazhdojë të mbështetet edhe në të ardhmen, premtoi Martin Gerster nga Partia Socialdemokrate: "Ne duhet t'i inkurajojmë këta njerëz të vazhdojnë luftën e tyre kundër djathtizmit. Nuk është gjithmonë e lehtë për ta. Ka shumë presion nga jashtë. Prandaj edhe vazhdimi i këtyre programeve është një instrument shumë i rëndësishëm."

19 milionë euro ka vënë në dispozicion qeveria gjermane për vazhdimin e programeve të tilla dhe planifikon ta shtojë financimin e tyre me pesë milionë euro. Por me një ndryshim: Ndërsa deri tani paratë kanë shkuar kryesisht në adresë të organizatave të pavarura, programi i ri parasheh që puna të koordinohet më shumë nga shteti. Por pikërisht viktimat e dhunës djathtiste nuk kanë shumë besim tek organet zyrtare, kundërshtoi politikanja e gjelbër, Monika Lazar: "Përparësia e programeve të deritanishme ishte që ata mund të drejtoheshin në një institucion jo shtetëror. Kush është ai migrant apo panker që merr në telefon në ministri? Këtë pyetje e kam shumë seriozisht. Kjo mendësi tregon për shumë pak ndieshmëri ndaj grupeve të prekura."

Me një ndienjë jo të mirë e presin të gjelbrit dhe të majtët faktin që këtej e tutje financimin e nismave do ta kenë në dorë organet e pushtetit lokal. Shumë shpesh vihet re që politikanët vendorë, veçanërisht në zonat më delikate gjermano-lindore, nuk e kanë problem të kontaktojnë me ekstremistët e djathtë, ankohen opozitarët.

  • Data 12.05.2007
  • Autor Mathias Bölinger
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqwe
  • Data 12.05.2007
  • Autor Mathias Bölinger
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqwe