1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza ekonomike po lë edhe në Evropë gjurmë të dukshme

4 Maj 2009

FMN-ja pret për këtë vit një rënie të ndjeshme të rendimentit ekonomik në Evropë. Të hënën (4.5.) BE-ja publikon parashikimin e vet për koniunkturën.

https://p.dw.com/p/HjOl
Si një epidemi karkalecash në shumë vende të BE-së prodhimi social po tkurret. Për zonën e euros FMN-ja parashikon për vitin në vazhdim një minus me mbi 3%.
Si një epidemi karkalecash në shumë vende të BE-së prodhimi social po tkurret. Për zonën e euros FMN-ja parashikon për vitin në vazhdim një minus me mbi 3%.Fotografi: picture alliance/dpa / AP / DW-Fotomontage

Kriza financiare në vjeshtë shumë shpejt u shndërrua në një krizë të përgjithshme mbarëbotërore ekonomike. Shumë shpejt u zhgënjyen të gjithë, që në fillim besonin se Evropa nuk do të prekej prej krizës. Ndonëse sistemet evropiane sociale mjaft të zhvilluara deri më tani i kanë bërë ballë shumë efekteve të krizës, në mars Presidentit të Komisionit të BE-së José Manuel Barroso iu desh të konstatojë: "Kriza tani po prek thuajse çdo buxhet. Pasojat si: vendet e punës, borxhet dhe standardi i jetesës së njerëzve tani janë të dukshme. Kriza po fillon të shkaktojë dhimbje. Por ne po veprojmë për të dhënë ndihmë dhe për të rikthyer besimin."

Problem i madh papunësia

Sa i përket papunësisë tani janë prekur pikërisht ato vende, që deri më sot konsideroheshin si të sukseshme, si p.sh. Spanja. Vetëm brenda një viti është atje numri i të papunëve gati dyfishuar dhe ka arritur ndërkohë një nivel rekord në BE me mbi 17%. Përmes sistemit të punës me normë të reduktuar në Gjermani u shmang së fundi një valë e re papunësie masive, por periudha në të cilën kjo masë mund të aplikohet është e kufizuar.

Një rast të veçantë përbëjnë vendet e reja anëtare të BE-së në Lindje. Shumica e këtyre vendeve treguan brenda pak vitesh pas anëtarësimit në BE, në 2004-n dhe në 2007-n, një rritje të habitshme ekonomike. Madje edhe tani në krizë disa ekonomi të këtyre vendeve janë në rritje. Por në dallim me këtë zhvillim në shumë vende të vjetra anëtare prodhimi social po tkurret. Për zonën e euros FMN-ja parashikon për vitin në vazhdim një minus me mbi 3%. Aq më keq është problemi i borxheve publike në Lindje. Hungaria vitin e kaluar u desh të shpëtohej prej falimentimit shtetëror përmes premtimeve të BE-së dhe FMN-së për kredi.

Merkel kundër garancive të përgjithshme për të gjitha shtetet

Megjithatë kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, u shpreh në një takim të nivelit të lartë për financat në muajin mars kundër garancive të përgjithshme për të gjitha shtetet: "Pikërisht me shembullin e Hungarisë ne treguam, se u ndihmojmë shtetet në nevojë, por unë nuk shoh, që të konstatojmë të njëjtën situatë tani për të gjitha shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore."

Madje disa i shohin me sy skeptik programet koniunkturore të miratuara kudo në BE. Thuajse askush nuk i vë ato parimisht në diskutim, pasi kështu shteti po kompenson pjesërisht kërkesën private në rënie. Në samitin e BE-së në mars kryeministri i Suedisë Fredrik Reinfeldt kërkoi që të aplikohet sërish kursi i kursimeve: "Problemi është se ne po arrijmë në pikën që Evropa po bën gjithçka mundet. Por ne po arrijmë edhe në një pikë tjetër me deficite të mëdha buxhetore në shumë ekonomi të Evropës. Si rrjedhojë krijohen probleme të reja siç janë: rritja e interesave dhe e tatimeve për kompensimin e këtyre deficiteve."

Të kërcënuara firma të njohura si Opel apo Saab

Një problem i veçantë është aktualisht në Evropë industria e automobilëve. Në vende si Gjermania apo Franca kjo është një nga degët kyçe të industrisë. Përmes subvencioneve për blerjen e makinave qeveria federale gjermane po përpiqet të amortizojë rënien e shpjetë të shitjeve. E megjithatë firma të njohura si Opel apo Saab janë të kërcënuara. Kohët e fundit janë shfaqur shenjat e para që tashmë kriza e ka arritur pikën kulmore çka presupozon dhe fillimin e ripërtëritjes. Por edhe sikur të jetë kështu, pasojat e krizës do të ndjehen edhe për disa vjet.

Autor: Christoph Hasselbach / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Dr. Pandeli Pani