Kritikët e amerikanëve do të jenë më të qetë pas zgjedhjeve | Studimi në Gjermani | DW | 08.11.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Kritikët e amerikanëve do të jenë më të qetë pas zgjedhjeve

Shtypi i sotëm gjerman fokusohet tek zgjedhjet për kongresin amerikan në SHBA-s

Zgjedhjet në SHBA- George W. Bush

Zgjedhjet në SHBA- George W. Bush

Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan:

"Mundet që pikërisht ata demokratë që mezi presin t´i fitojnë zgjedhjet presidenciale pas dy vitesh, do të japin impulse të reja për një politikë të përbashkët në Irak. Sepse vizioni se një president i ri demokrat duhet të mbajë mbi supe peshën e gabimeve që bëri paraardhësi i tij, është i frikshëm. Por nga ana tjetër Bush nuk do të dorëzohet si një politikan i dështuar në Irak. Dhe pikërisht në këtë paralelitet interesash ndodhet një shans. Rezultati i zgjedhjeve për kongresin do të sjellë edhe një ndryshim të klimës politike amerikane. Siguria nuk do të jetë më tema kryesore e politikës dhe e votuesve. Në fakt terrorizmi përbën ende një rrezik serioz, por publiku ka ndërkohë edhe probleme të tjera."


Gazeta "Westfälische Nachrichten" nga Mynsteri shkruan:

"Era nuk do ta ledhatojë më lehtë presidentin amerikan: Demokratët po festojnë që tani dhe janë të bindur se do të rihyjnë sërish në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Ata do të kenë dy vjet kohë që t´i vënë dorën plagëve të administratës së Bushit. Presidenti amerikan gëzon ende respekt në fushën e politikës së jashtme por ai po vëzhgohet me vëmendje nga të gjitha anët. Eshtë një sekret i hapur tashmë që edhe Evropa po i gezohet përfytyrimit se Bush nuk do të ketë kaq shumë pushtet më në politikën amerikane. Kritikuesit e amerikanëve do të jenë më të qetë pas përfundimit të zgjedhjeve për kongresin: Sistemi i balancimit të fuqive në demokracinë amerikane funksionon akoma. Bushi e teproi me sjelljen e tij në luftën kundër terrorit. Tani teksaneri Bush duhet ta përfundojë përgjithmonë stilin e tij të kaubojsit të vetmuar."

Gazeta "Nordkurier" komenton:

"Bush nuk do të ishte Bush, sikur të mos vetëmbrohej ende. Fuqia e tij mbetet e madhe, edhe në rast se demokratët do të fitojnë shumicën e vendeve në Kongres. Ata që shpresojnë se do të ketë ndryshime në politikën amerikane kundrejt Irakut, apo se trupat amerikane do të tërhiqen që aty, do të zhgënjehen. Por fakt është gjithashtu se administrata e Bushit duhet ta ndryshojë kursin e saj politik. Vota kundër luftës së Irakut nuk i lë asnjë alternativë tjetër kësaj administrate. Por nga ana tjetër duhet të llogarisim gjithashtu me shtimin e interesit të evropianëve për më shumë angazhim në luftën ndërkombëtare kundër terrorit. Rezultati i këtyre zgjedhjeve mund të ketë pasoja për zhvillimet e ardhshme politike deri këtu në Evropë."

Gazeta "Stuttgarter Zeitung" komenton:

"Mesa duket superfuqia kërkoi më shumë se ç´ishte në gjendje të përballonte. Shekulli amerikan duket sikur përfundoi që tani. Të paktën vizioni se shtete te caktuara do të detyrohen me dhunë që të lejojnë demokraci dhe liri në vend, dështoi. Rezistenca kundër vlerave amerikane e madje edhe atyre perëndimore por shtohet në mbarë botën, sepse gjithnjë e më shumë njerëz i konsiderojnë këto vlera si artificiale. Ardhja në lojë e superfuqive të reja si India dhe Kina, kthimi i Rusisë në superfuqinë e energjisë botërore si edhe bashkimi i Evropës patën ndikim të konsiderueshëm ndaj superfuqisë së vetme deri më sot, fuqia pafund ushtarake e së cilës, nuk mundi të çlriojë as një vend kaq të vogël si Irakun. Por procesi i vetëpastrimit ka filluar. Për fat të mirë!"

Dhe së fundi gazeta "Kölner Stadt-Anzeiger" komenton:

"Votuesit nuk donin një kthim kaq radikal të politikës. Megjithë klimën agresive anti Bush që zotëron në SHBA-s, shumë kandidatë të majtë do të mbeten pa sukses në përpjekjet e tyre. Dhe kështu tendenca për zgjedhjet e ardhshme në SHBA-s është e qartë: Në fushatën e tyre elektorale për zgjedhjet presidenciale, demokratët nuk do të punojnë për të krijuar një plan të kundërt qeveritar, por për të hyrë sërish në mesin politik, i cili në SHBA-s vazhdon të jetë në duart e të djathtëve: Patriotizmi mbetet më i rëndësishëm se pacifizmi, Amerika mbetet një vend fetar dhe në këtë aspekt lufta e Irakut mbetet legjitime, por duhet të përfundojë me sukses."

  • Data 08.11.2006
  • Autor Sonila Harasani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arn5
  • Data 08.11.2006
  • Autor Sonila Harasani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arn5