Krishtlindjet në Kosovë | Shoqëria & Kultura | DW | 24.12.2009
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Shoqëria & Kultura

Krishtlindjet në Kosovë

Mbi 65 mijë katolikë në Kosovë përkujtojnë lindjen e Krishtit, si një festë të ardhjes së dritës për njeriun me urimet për një jetë në paqe, begati dhe lumturi.

Plaku i Krishtlindjeve, Ali Xhaka nga Llapi

Plaku i Krishtlindjeve, Ali Xhaka nga Llapi

Në sheshin "Nëna Terezë" në qendër të Prishtinës ndriçuar nga drita fosforeshente dhe me bredhin e Krishtlindjeve në mes dëgjohen nga larg zilet e kuajve të karrocës së Babadimrit. Edhe sivjet petkun e Plakut të Krishtlindjeve e ka veshur Ali Xhaka nga Llapi i cili përveçse me grupin e tij e kompleton këtë panoramë Krishtlindjesh duke ofruar shumë gjëra për familjet dhe fëmijët.

"Më së pari ofrojmë për njerëzit fjalë t´mira. E për fëmijët kemi pajtonin me kuaj ku i ulim fëmijët në mes të këtyre çikave, princeshës, lepurushit dhe ky djali na fotografon."

Pranë Plakut të Krishtlindjeve është edhe princesha, e cila në të vërtetë quhet Visare dhe studion për gazetari.

Atmosfera e Krishlindjeve ne Prishtine

"Uroj më shumë dashuri mes njerëzve dhe më shumë ndihmë për të varfërit dhe fëmijët bonjak" - thotë princesha e Babadimrit, sepse ajo sheh në mëngjes e mbrëmje se këtu nuk ka vetëm fytyra të qeshura njerëzish që kremtojnë, por ka edhe fëmijë e prindër që në rrugë i nxjerr vetëm halli.

Fadili, një nga shitësit në rrugë, i cili e siguron ekzistencën e familjes së tij katëranëtarëshe duke shitur kikirikë e gështenja thotë:"Mu, baba m´ka punu tanë jetën me gështenja, misra e akullore. Gjithmonë kështu kena shit në rrugë. Po, edhe kështu mund të jetohet, por, shteti s´na i ka dhanë lejet qe dy vjet. E dëshira jeme do të ishte me ec puna mbarë për t´gjithë në Kosovë. Të punësohen njerëzia."

Peruanë shqipfolës në Kosovë

Peruanë shqipfolës në Kosovë

"Gëzuar Krishtlindjet!" edhe nga Peruja

Në rrugë janë dy muzikantë të rinj nga Peruja, me flokë të gjatë dhe veshjet e tyre tradicionale. "Ngaqë Kosova është vend i bukur dhe me njerëz të mirë që e pëlqejnë muzikën tonë, ne kemi filluar të mësojmë edhe shqip, p.sh. faleminderit dhe gëzuar" - thotë 33-vjeçari Percy Vilca Carbajal, i cili edhe na e uron në shqip festën e Krishtlindjeve, "Gëzuar Krishtlindjet!"

Dr. Don Lush Gjergji

Dr. Don Lush Gjergji

Mesazhin e Krishtlindjeve Dr. Don Lush Gjergji, prift katolik i Ipeshkvisë Shkup-Prizren, e shoqëron me dëshirën që çdo besimtar, pa dallim etnie apo feje të ushqejë dashuri ndaj jetës.

"Sepse, dashuria ndaj jetës ishte karakteristika e cila na ka bërë të mbijetojmë shumë sprova, shumë shekuj. Kemi pasur një flijim dhe një dashuri të jashtëzakonshme si për jetën e re, lindjen e fëmijëve si për jetën e të moshuarve me atë thënien e mrekullueshme se "nuk ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë dhe aty ku ka pleq e fëmijë, vetëm aty ka shtëpi". E unë do të shtoja, aty ka edhe dashuri!"

Në Kosovë jetojnë mbi 65 mijë katolikë, pjesa dërmuese e të cilëve janë të vendosur në komunën e Gjakovës. Pjesa tjetër jetojnë në rajonin e Pejës, të Anamoraves dhe të Prishtinës, kurse rreth 45 mijë të tjerë jetojnë në diasporë.

Autor: Ajete Beqiraj
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 24.12.2009
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/LCwR
  • Data 24.12.2009
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/LCwR