Kontrolle të kontestuara pasagjerësh - Testohen në Gjermani skanerat e parë truporë
28 Shtator 2010Të hënën pasagjerët në aeroportin e Hamburgut u ndodhët para dy alternativave në zonën e kontrollit: ose të kalonin në derën me sinjal ose të hynin në një cilindër qelqi të madh sa trupi i njeriut. Ministri i Brendshëm gjerman de Maiziere dha shembullin personal: me duart e ngritura mbi kokë qëndroi ai tre sekonda pa lëvizur ndërkohë që në trupin e tij u drejtuan "valët aktive milimetrike".
Ato mund të zbulojnë edhe objekte të fshehura në rrobat e trupit, pavarësisht nëse bëhet fjalë për metal apo lëndë eksplozive. Policia federale ka testuar për një vit rresht në Lübeck aparate të ndryshme. Tani një aparat nga Austria është përzgjedhur si i duhuri për fazën e testimit tek pasagjerët.
"Nuk bëhet fotografim nudo, por është vetëm një piktogram. Memorizim të të dhënave nuk ka, por edhe nga ana shëndetësore skaneri nuk përbën probleme", u shpreh ministri i Brendshëm gjerman.
Për pjesën më të madhe të pasagjerëve skanerat truporë janë një përmirësim në sferën private pasi nuk i nënshtrohen më kontrollit të prekjes me duar. Valët milimetrike janë plotësisht të parrezikshme për njerëzit, theksoi ministri de Maiziere.
150.000 euro kushton një skaner trupor. Ministri i Brendshëm gjerman synon jo vetëm rritjen e sigurisë por edhe përshpejtimin e procedurës së kontrollit në aeroporte. Më vonë u shpreh de Maiziere mund të jenë të nevojshëm më pak punonjës sigurie.
Autor: dpa/postelt/arapi
Redaktoi: Eliana Xhani