1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kampe pritjeje në Afrikë?

Verica Spasovska1 Tetor 2004

Ideja e ministrit Schily në qendër të kritikës

https://p.dw.com/p/ArGH
Pamje nga një kamp refugjatësh
Pamje nga një kamp refugjatëshFotografi: AP

Ideja nuk është e re, por ajo vazhdon të shkaktojë turbullira të mëdha. Ministri i brendshëm Otto Schily e mbron me këmbëngulje propozimin e vet për të ngritur kampe pritjeje në Afrikë me qëllim që refugjatët që përpiqen të mbërrijnë në rrugë të paligjshme në Evropë të sistemohen në to. Argumenti është se kështu synohet të shmanget fundosja e lundrave të papërshtatshme për det dhe mbytja e mjerë çdo vit e qindra refugjatëve në detin Mesdhe.

Askush nuk mund t'ia mohojë ministrit keqardhjen për refugjatët dhe që kërkon për rrugë për lehtësimin e mjerimit të tyre, por propozimi shkakton shumë pyetje me vend dhe ka mobilizuar në Gjermani një sërë kritikësh. Kjo nuk vlen vetëm për organizatat humanitare gjermane dhe për partnerin e gjelbër qeverisës, ministri po përballet me kritikë edhe në rrafshin evropian.

Por çfarë është gabim tek ideja që refugjatët të ndalen që në Afrikë që t'i hyjnë rrezikut të kalimit ose që të dërgohen në kampe pas kapjes në detin Mesdhe?

Së pari është tepër jorealiste që një njeri i vendosur për tu larguar të heqë dorë nga ky synim vetëm sepse në afërsi është ngritur një kamp pritjeje. Ai do të përpiqet megjithatë të largohet. Së dyti shtrohet pyetja kryesore se kush i kontrollon atje standartet evropiane për refugjatët? Në vende si Libia dhe Algjeria mund të dyshohet me të drejtë për respektimin me të vërtetë të të drejtave të njeriut. Për të mos folur për faktin që azilkërkuesit e refuzuar në këto kampe nuk do të kishin më mundësi që t'i apelonin vendimet. Kjo shkel të drejtën ndërkombëtare për refugjatët.

Nuk diskutohet që cilido do ta përshëndeste që sa më parë t'ua mblidhnin bandave kontrabanduese që përfitojnë nga mjerimi i refugjatëve, por konceptimi i tanishëm i kampeve të pritjes lë vend për dyshime se ato mund ta zgjidhin problemin. Megjithatë diskutimi tregon edhe se sa pa koncept po punon sot politika evropiane për refugjatët. Rruga më e thjeshtë do të ishte të luftohej mjerimi i njerëzve në vendin e tyre, në vend që përgjegjësia për refugjatët t'u kalohej shteteve afrikane.

Megjithë kritikën ndaj propozimit të Otto Schily-t duhet thënë një gjë: Së paku Evropa ka filluar të merret seriozisht me vuajtjet e refugjatëve të panumërt. Ky është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur.