Institucionet në Kosovë duhet të krijohen sa më parë
21 Nëntor 2007Udhëheqësit politik kosovarë, kanë shprehur domosdoshmërinë e konstituimit të institucioneve të reja të Kosovës para datës 10 dhjetor, datë kur do të përfundojnë negociatat shtesë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ata mendojnse se menjëherë pas datës 10 dhjetor, kur treshja ndërmjetësuese të raportojë tek Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, institucionet qëndrore të Kosovës duhet të jenë të gatshme që të marrin vendime për të ardhmen e vendit.
Parlamenti i ri mund të fillojë punimet më 3 dhjetor
Kryeadministratori i Kosovës, Joackim Ruecker, ka thenë se më tre dhjetor do të çertifikojë rezultatin e zgjedhjeve të 17 nëntorit, që automatikisht me një seancë solemne do të shënohet edhe përbërja e re e parlamentit. Siasp ligjit, 30 ditë pas çertifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, duhet të formohet parlament. Ekspertët e të drejtës kushtetuse, thonë se nuk është e nevojshme që të priten 30 ditë, por menjëherë pas çertifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, mund të konstituohet parlamenti dhe pastaj presidenti i Kosovës, me një dekret të posaçëm, duhet të emërojë mandatarin e qeverisë.
Nuk dihet kur mund të krijohet qeveria
Ende e paqartë mbetet koha për krijimin e qeverisë së Kosovës, sepse asnjë nga partitë politike nuk ka marrë numrin e nevojshëm të votave për të krijuar e vetme qeverinë. Partitë politike do të duhet të hyjnë në koalicione dhe sipas përvojave të mëparshme arritja e marrëveshjeve për krijimin e koalicioneve merr kohë. Përfaqësuesit e partive politike thonë se po presin rezultatet përfundimtare dhe më pas do të nisin bisedimet për koalicione.
Nuk dihet a do të ndryshohet Presidenti
Një çështje akoma e paqartë mbetet posti i presidetit të Kosovës, i cili në bazë të kornizës kushtetuese ka mandat deri në vitin 2009. Analistët thonë se partia fituese e zgjedhjeve PDK-ja, mund të kërkojë teorikisht edhe ndërrimin e presidentit, sepse këtë post tash për tash e mban kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, partia e të cilit doli e dyta në zgjedhjet e 17 nëntorit. Bazuar në rrethanat në të cilat ndodhet Kosova në këtë fazë të zgjidhjes së statusit, analistët thonë se nuk ka kohë të mjaftueshme që të nisin bisedat edhe për ndërrimin e kreut të vendit. Kjo sepse, data 10 dhjetor kur përfundojnë negociatat për zgjidhjen e statusit, Kosovën duhet të gjejë me institucione stabile. Ky konstatim mbeshtetet edhe nga faktori ndërkombëtar, i cili thotë se moskrijimi i institucioneve mund të perdoret si një justifikim tjetër për shtyrjen e zgjidhjes së statusit.