1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

I prekur nga e shkuara apo nga presioni politik? Maqedonia praktikon ligjin e lustracionit

5 Tetor 2010

Publikimi i fakteve se kryetari aktual i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë Trendafill Ivanovski ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve të fshehta në të kaluarën, ka ndezur debatin për mënyrën e zbatimit të lustracionit.

https://p.dw.com/p/PVl9
Trendafil Ivanovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese, MaqedoniFotografi: MIA

Pas shqyrtimit të dosjes së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese nga ana e anëtarëve të Komisionit për Lustracion, janë bërë publike për opinionin faktet se Trendafil Ivanovski, i cili aktualisht ushtron postin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese në të kaluarën ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve të fshehta policore. Nëse këto fakte merren parasysh nga Gjykata administrative, atëherë Trendafil Ivanovski sipas ligjit për Lustracion duhet të japë dorëheqjen nga posti, sepse personat që kanë qenë bashkëpunëtor të shërbimeve të fshehta në të kaluarën, nuk kanë të drejtë të ushtrojnë funksione të larta politike në Maqedoni.

Trendafil Ivanovski proteston: Nuk kam qenë asnjëherë spiun

Trendafil Ivanovski vlerëson se është i pafajshëm dhe se qeveria e Gruevskit përmes personalitetit të tij po i hakmerret ndaj Gjykatës Kushtetuese, e cila në disa raste ka abroguar vendime të qeverisë duke i vlerësuar ato si antikushtetuese. Gjithnjë sipas Ivanovskit, qeveria ka ndikim dhe bënë trysni ndaj anëtarëve të Komisionit për Lustracion.

Mazedonien Parlament NO FLASH
Parlamenti maqedonas, Komisioni për Lustracion përmend edhe dy deputetë aktualë të përfshirë në shërbimin e fshehtëFotografi: Petr Stojanovski

“Unë nuk kam qenë asnjëherë spiun. Lustracioni që është bërë ndaj meje nuk i ngjan një procesi të lustracionit, ai është kastracion, satanizim, njollosje e kredibilitetit tim personal” ka deklaruar Trendafil Ivanovski.

Në listën e funksionarëve të dyshuar se në të kaluarën kanë qenë bashkëpunëtor të shërbimeve të fshehta përmenden edhe dy deputetë aktualë, por nga Komisioni për Lustracion, identiteti i tyre nuk bëhet publik . Boris Stojmenov është emri i deputetit më të përfolur në mediat vendase se bën pjesë në listën e të dyshuarve për spiun, por ai kategorikisht mohon këtë dyshim. “Emri im nuk figuron në asnjë dokument të Komisionit për Lustracion, dikush po spekulon me emri tim, unë deri në fund do të mbrohem” ka theksuar Boris Stojmenov.

Komisioni i Lustracionit mbrohet: Nuk ka presion politik

Nënkryetari i Komisionit për Lustracion Agim Memeti thotë se mjerisht kohëve të fundit në opinion po flitet gjerësisht për trysni eventuale politike në punën e anëtarëve të Komisionit.

Skopje,Ulica Makedonija
ShkupiFotografi: DW

“Personalisht, nuk kam pasur asnjëherë asnjë lloj presioni prej askujt, bile habitem se si mund të ketë ndonjë presion ndaj ndonjë anëtari të komisionit për Lustracion, mendoj presion politik”, thotë Agim Memeti. Komisioni për Lustrim ka një mbështetje të plotë të institucioneve, prej nga sigurohen informacionet për të kaluarën e funksionarëve politikë, shprehet Memeti.

Shumë dosje gjenden në Beograd

Meqë një numër i madh i dosjeve të qytetarëve të Maqedonisë gjendet edhe në arkivat e UDB-së në Beograd, ligji për lustracion mundëson që informacione të kërkohen edhe jashtë Maqedonisë.

“Deri sot nuk kemi patur ndonjë rast të kemi kërkuar informacion nga paraardhësit e shërbimeve tona të zbulimit , edhe pse ligji e mundëson dhe e lejon një gjë të tillë”, thotë nënkryetari i Komisionit për Lustracion Agim Memeti.

Në Maqedoni janë shpeshtuar zërat për domosdoshmërinë e ndryshimit të ligjit për lustracion, pasi sipas ekspertëve është e vështirë që ai të zbatohet në praktikë.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Lindita Arapi