Hapësira e misionit të Bundesverit është e gjithë bota | FOKUS | DW | 26.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Hapësira e misionit të Bundesverit është e gjithë bota

Bundesveri, ushtria gjermane, feston këtë vit 50 vjetorin e themelimit. Një sërë veprimtarish përkujtojnë themelimin e ushtrive në të dy gjermanitë.

Betimi i ushtarëve të parë të Bundesvehrit më 12 nëntor 1955 në Bon

Betimi i ushtarëve të parë të Bundesvehrit më 12 nëntor 1955 në Bon

Sot zhvillohen në Berlin ceremonitë kryesore të jubileut të 50 vjetorit të ushtrisë. Të pranishëm janë edhe Sekretari i Përgjithshshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer, kancelari Gerhard Shrëder dhe personalitete të tjera.

Bundesvehri u krijua 50 vjet më parë

Vetëm 10 vjet pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1955, u themelua Bundesveri. Kancelari Konrad Adenauer dëshironte, që me forcat e armatosura të çonte përpara procesin e integrimit perëndimor të Republikës Federale të Gjermanisë. Ai përshëndeste krijimin e forcave të armatosura me këto fjalë:

"Ushtarë të forcave të reja të armatosura! Eshtë një gëzim i madh për mua që të flas sot përpara jush. Populli gjerman sheh tek ju mishërimin e vullnetit të tij, për të kontribuuar në mbrojtjen e bashkësisë së popujve të lirë, në të cilën bëjmë pjesë edhe ne me të drejta dhe detyrime të barabarta."

Gjermania me dy ushtri

Gjatë luftës së ftohtë ndryshoi shpejt qëndrimi i aleatëve perëndimorë ndaj ushtrisë gjermane, sepse Gjermania ndodhej në kufirin e dy blloqeve. Republika Federale duhej të jepte kontributin e vet për mbrojtjen e territorit të saj shtetëror. Por ajo ia kish ndaluar vetes kthimin mbrapsht tek Vehrmahti. Rreziku që ushtria të shndërrohej sërish në një shtet brenda shtetit u shmang nëpërmjet rregullit kushtetues. Ushtria duhej të ishte e lidhur me parlamentin dhe e integruar në NATO.

Megjithatë jo vetëm opozita socialdmeokrate, por një pjesë e madhe e popullsisë ishte kundër riarmatimit. Fakti që Bundesveri nuk mund t´ia dilte pa oficerët me përvojë të Vermahtit, vetëm sa e shtonte mosbesimin ndaj ushtrisë.

"Drejtimi nga brenda"- Parimi i Bundesvehrit

Në konstruktimin e Bundesverit udhëheqja ushtarake u bazua tek parimi "i drejtimit nga brenda". Ushtari duhet të ishte "qytetar nën uniformë". Bindja verbërisht dhe qëndrimet brutale tashmë i përkisnin së shkuarës. Por fillimisht një gjë e tillë ishte më shumë teori, se sa praktikë.

Në vitin 1957, viti i aplikimit të shërbimit të detyruar ushtarak, gjetën vdekjen 15 rekrutë, sepse ata nuk iu përgjigjën urdhërit për të kaluar të pasiguruar lumin Iller. Edhe në vende të tjera përdoreshin metoda të ashpra stërvitjeje.

Kaloi kohë derisa forcat e armatosura përvetsuan parimin e "drejtimit nga brenda", deklaron sociologu Martin Kutz: "Drejtimi nga brenda në Bundesver është zbatuar prej brezave të rinj në mes të viteve 60. Kjo ka të bëjë me faktin, se fillimikisht kishte mungesë të madhe personeli të ri. Ndaj në ushtri u futën njerëz nga shtresa të thjeshta, që sollën edhe thyerjen e një tradite, që e pengonin familjet e vjetra."

Dy ushtritë gjermane në garë armatimesh

Por jo vetëm gjendja e brendshme e Bundesverit, që në vitin 1960 kishte 270.000 ushtarë, por edhe arsenali i armëve ishte një temë qendrore. Armatimit bërthamor në Lindje, Perëndimi i përgjigjej me zgjerimin e arsenalit të vet bërthamor. Por qeveria e Adenauerit ish e detyruar me marrëveshje që të hiqte dorë, si prej prodhimit ashtu edhe prej blerjes së armëve të veta bërthamore. Zgjidhja duhej të konsistonte në atë që Bundesveri duhet të kishte vetëm sistem raketmbajtëse, ndërsa amerikanët të posedonin koka shpërthyese.

Ish ministri i atëhershëm i mbrojtjes, Franc-Jozef Straus i Partisë kristiansociale deklaronte: "Ne nuk duam armatimin e Bundesverit si një ushtri gjermane me armë taktike bërthamore. Më duhet ta deklaroj këtë shprehimisht. Ne nuk duam as më shumë dhe as më pak nga ajo që kërkojnë planet e përgjithshme të NATO-s për mbrojtjen: për çdo komb nga Kanadaja deri tek Turqia parashikohen detyra të caktuara, në mënyrë që të jenë të përballueshme për secilin dhe në mënyrë që duke pasur një siguri kolektive të mund të mbajmë larg çdo sulmues."

Me këto plane, Straus çau rezistencën e një pjesë të madhe të popullsisë dhe të korpusit të oficerëve. Mbi një milionë gjermanë demonstruan nëpër rrugë me slloganin "Luftë vdekjes nga armët atomike". Por në fund qeveria federale ia doli që Bundestagu të vendosë në vitin 1958 armatimin e Bundesverit me sistemet raketambajtëse. Pilotët gjermanë nisën stërvitjen për hedhjen e armëve bërthamore mbi Gjermani në rast serioz.

Megjithatë konflikti për armatimin bërthamor të forcave të armatosura gjermane nuk morri fund me kaq. Në vitet 80 pavarësisht nga rezistenca e madhe në popull qeveria federale ia doli, që të vendosë armatimin bërthamor nëpërmjet një vendimi të dyfishtë të NATO-s.

Me ribashkimin sërish vetëm një ushtri

Me rënien e murit ndodheshin mëse gjysmë milioni forca nën armë në RFGJ. Pas ribashkimit në vitin 1990 u shkri ushtria popullore e ish-RDGJ-së dhe këto trupa u integruan në Bundesver. Detyrës klasike të mbrojtjes së atdheut iu shtuan edhe të tjera misione. Për herë të parë Bundesveri filloi të marrë pjesë në misionet e paqes nën mandatin e OKB-së.

Në vitin 1999 ushtarët gjermanë për herë të parë u aktivizuan në një mision luftarak, në luftën e Kosovës, kur trupat e NATO-s sulmuan bazat serbe në Kosovë. nëpërmjet vendimit në Bundestag (parlamenti i Gjermanisë) janë kapërcyer klauzolat që pengonin pjesëmarrjen e ushtarëve gjermanë në misione luftarake. Edhe në rastin e diskutueshëm të pjesëmarrjes së Bundesverit në Afganistan pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në SHBA vendimi u morr nga parlamenti. Aktualisht ndodhen të dislokuar në vende të ndryshme të botës 10.000 ushtarë gjermanë duke përfshirë këtu edhe forcat speciale. Një risi ëhstë edhe pranimi i grave në njësitë luftarake të Bundesverit.

Në 50 vjetorin e themelimit të Bundesverit ministri i mbrojtjes Peter Shtruk, që ka çuar përpara reformën e ushtrisë, përmbledhtas thotë:"Jam i sigurt se do të hyj në histori me fjalinë: Gjermania mbrohet edhe në Hindukush. Por do të hyj në histori edhe me një fjali tjetër: hapësira e misionit të Bundesverit është e gjithë bota."

  • Data 26.10.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqi8
  • Data 26.10.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqi8