Hamasët dhe Fatahu do të formojnë qeverinë e unitetit kombëtar | Politika | DW | 12.09.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Hamasët dhe Fatahu do të formojnë qeverinë e unitetit kombëtar

Presidenti i moderuar palestinez, Mahmud Abas dhe kryeministri Ismail Hanija nga lëvizja radikale Hamas ranë dakord të hënën për një program të përbashkët qeveritar. Synohet të kapërcehet izolimi ndërkombëtar që vazhdon prej disa muajsh për qeverinë palestineze.

Takim mes Mahmud Abazit dhe Ismail Hanisë

Takim mes Mahmud Abazit dhe Ismail Hanisë

Mahmud Abasi ushtroi presion të konsiderueshëm ndaj kryeministrit Hanija, për t'u shprehur dakord më në fund për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar, u bë e ditur të hënën nga qarqe pranë presidentit palestinez. Bëhej fjalë për "ultimatumin e fundit" të Abasit. Pas një bisede "shumë të mirë", siç u shprehen të dyja palët, të dielën në mbrëmje në qytetin e Gazës, shefi i Fatahut, Mahmud Abas dhe kryeministri Hanija transmetuan së bashku në televizionin palestinez lajmin, të cilin mendohet se e kanë pritur një numër shumë i madh palestinezësh. Presidenti i palestinezëve:

"Sot ne përcaktuam kushtet kuadër për programin e qeverisë së unitetit kombëtar, i cili bazohet në dokumentin për mirëkuptimin kombëtar. Me ndihmën e Allahut, ditët e ardshme ne do të nisim të formojmë qeverinë e unitetit kombëtar."

Më 27 korrik, dy partitë e mëdha konkuruese, Hamas dhe Fatah ranë dakord për këtë dokument, në të cilin ndër të tjera njihet indirekt e drejta për ekzistencë e Izraelit. Të hënën, nga qarqe të Hamasit u bë e ditur se synohet e ashtuquajtura zgjidhje me dy shtete për përfundimin e konfliktit të Lindjes së Mesme që zgjat prej dekadash.

Hamasët islamikë deri tani e kishin refuzuar këtë dhe nga ky shkak qenë mbuluar me sanksione të forta ekonomike nga SHBA, Evropa dhe Izraeli, pas ardhjes në pushtet të tyre në fund të marsit. Të 165 mijë nëpunësit e autoriteteve të autonomisë që atëherë nuk morën më rroga, dhe në mënyrë shumë të shpejtë u keqësua edhe standardi jetësor edhe pa këtë i ulët i popullsisë palestineze.

Pas rrëmbimit të ushtarit izraelit, Gilad Shalit më 25 qershor ushtria izraelite nisi operacionin ushtarak "shiu i verës", viktimë e të cilit deri tani ranë më shumë se 230 palestinezë- në një kohë që lufta për pushtet midis Hamasve dhe Fatahut vazhdoi nën rrogoz.

Një javë më parë u zhvillua demonstrata më e madhe kundër qeverisë së Hamasve, nëpunës të nervozuar dhe pjesërisht të dëshpëruar kërkonin që më në fund t'u paguheshin rrogat. Grevat vazhduan. Të hënën, dyqanet e berberëve në Rripin e Gazës hapën dyqanet e tyre, për t'ia prerë falas flokët demonstruesve:

"Ne shpresojmëw që kjo qeveri t'i ndiejë hallet tona. Ne si nëpunës nuk kemi para, për t'u qethur."

Kryeministri Hanija, shefi i vjetër dhe ndoshta edhe i ri i qeverisë palestineze, u tregua të hënën i lumtur me rënien dakord: "Në këtë moment të rëndësishëm ne hedhim themelet për qeverinë e unitetit kombëtar, e cila do të punojë për vënien në jetë të të drejtave të palestinezëve."

Ditët e kaluara, ministri i jashtëm gjerman, Frank Valter Steinmeier dhe kryeministri britanik Toni Bler e bënë të qartë në bisedime me Mahmud Abasin rolin e perëndimit: një qeveri e sapoformuar e palestinezëve duhet të njohë të drejtën e ekzistencës së Izraelit dhe të heqë dorë nga terrorizmi. Atëherë ajo do të njihet shumë shpejt nga bashkësia ndërkombëtare dhe do të pranohej prej saj.


  • Data 12.09.2006
  • Autor Clemens Verrenkote
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqoc
  • Data 12.09.2006
  • Autor Clemens Verrenkote
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqoc