Grupi negociator: Rezoluta e re për Kosovën duhet të përcaktojë qartë statusin e saj
9 Maj 2007Grupi negociator i Kosovës shpreson që rezoluta e re për Kosovën të jetë e qartë juridikisht dhe politikisht, sepse vetëm në këtë mënyrë zgjidhja për Kosovën do të jetë e qëndrueshme. Këtë deklaratë, grupi negociator i Kosovës e bëri në kohën kur në OKB, ambasadorët e KS-it, do të paraqesin raportin e tyre për Kosovën nga informacionet që kanë mbledhur gjatë vizitës në Kosovë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pala evropiane tashmë i kanë përpiluar elementet për rezolutën e re për Kosovën. Pika kryesore në të ashtuquajturat "elemente" për rezolutën e mbështetur nga vendet perëndimore thuhet se është mbështetja e rekomandimeve të Marti Ahtisarit për pavarësi të mbikëqyrur të Kosovës. Në këtë linjë, grupi negociator i Kosovës sipas zëdhënësit të tij, Skender Hyseni, kërkon që rezoluta për Kosovën të jetë e qartë.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, nga ana e tij, thotë se debatet për çështjen e Kosovës në KS-it, tashmë kanë përfunduar dhe nuk beson se do të ketë sërish negociata.
Në takim me anëtarët e grupit negociator të Kosovës ishte edhe shefi i UNMIK-ut, Joakim Rycker. Ai siguron qytetarët e Kosovës se BE-ja për çështjen e Kosovës do të flasë me një zë.
Unë mund t'i referohen ministrit të jashtëm gjerman, Frank Ëalter Shtajnmajer i cili ka thënë se BE do të flasë më një zë për çështjen e Kosovës. Kjo çështje po diskutohet në KS-it, por ajo që është e rëndësishme është që BE-së e përkrah planin e Marti Ahtisarit, tha Joakim Rycker.
Sidoqoftë, autoritet e Prishtinës akoma nuk janë të njoftuara zyrtarisht me pikat, të cilat thuhet se janë përpiluar nga vendet perendimore për rezolutën e re për Kosovën, mirëpo ata thonë se ajo që është e sigurt është se thelbi i rezoltës së re do të jetë pavarësia e Kosovës. Këtë e bazojnë në punën e deritshme me faktorët kryesor ndërkombëtar dhe shprehen se për Kosovën është shumë e rëndësishme që statusi i saj të përmbyllet me një rezolutë në KS-it dhe nuk dëshirojnë të mendojnë për ndonjë alternativë tjetër të arritjes së pavarësisë.