1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania nxjerr në qarkullim një kategori të re të Patent-shoferit

Christiane Wolters2 Shkurt 2005

Me kategorinë S të Patent-shoferit edhe 16-vjecarët kanë të drejtë të ngasin mini-veturat që nuk tejkalojnë shpejtësinë mbi 45 km/h

https://p.dw.com/p/Ar4n
Gjermania nxjerr ne qarkullim kategorine S te Patent-shoferit
Gjermania nxjerr ne qarkullim kategorine S te Patent-shoferitFotografi: AP

Të ashtuquajturat mini-vetura duken në shikim të parë si automobila të vegjël normal. Megjithatë ato peshojnë vetëm 350 kilogramë dhe nuk arrijnë shpejtësi më të madhe se 45 kilometra në orë. Edhe 16 vjecarët që deri më tani guxonin të ngisnin vetëm motocikletat tani mund të marrin një patent shoferi të kategorisë S për ngarjen e këtyre mini-automobilave.

Shumica e ekspertëve të komunikacionit në Gjermani nuk mund ta kuptojnë këtë vendim të Bashkimit Evropian dhe këta mini-automobila i konsiderojnë të rrezikshëm. Si përshembull Otto Salman nga Klubi gjerman i automobilistëve ADAC:

"Ne kemi kryer edhe një test aksidenti me një makinë të këtij lloji. Këto vetura nuk ofrojnë kurrfarë sigurie aktive apo pasive për vozitësin. Pra e vetmja zonë e tkurrshme e vozitësit është në parim vet trupi i tij. Rreziku nga lëndimet është shumë i lartë. Në testin e bërë janë shkatërruar pjesët mbrojtëse, motorri është futur në brendësi, njëjtë si timoni. Përvec kësaj për shkak të shpejtësisë së tyre të kufizuar prej 45 kilometrave në orë këta mini-automobila do të pengojnë mbarëvajtjen në komunikacion. Kjo do të thotë se ato guxojnë të qarkullojnë edhe në rrugët nacionale ku shpejtësia e lejuar është deri në 100 kilometra në orë, si pasojë mund të ketë ngecje në komunikacion, kolona të gjata dhe tentativa të rrezikshme për tejkalim", sqaron Salmann.

Por fakti i ekzistimit të patentës për miniautomobila edhe për 16 vjecar ka të bëjë me rregullat konkuruese evropiane. Gjermania deri më tani ka patur rregulla më të ashpëra se vendet e tjera të Bashkimit Evropian: kusht për ngarjen e këtyre makinave ishte patenta normale e shoferit cka në Gjermani mund të bëhet vetëm në moshën 18 vjecare. Mini-automobilat të cilët para së gjithash prodhohen në Francë janë parë shumë rrallë nëpër rrugët gjermane. Dhe të paktë ishin ata tregtarë makinash që ofronin makina të tilla. Për Komisionin Evropian kjo paraqiste një diskriminim të prodhuesëve të mini-automobilave në tregun gjerman dhe bëri trysni ndaj qeverisë federale që të ndryshoj rregullat në mënyrë që edhe 16 vjecarët të kenë të drejtë të ngajnë këto makina pasi që praktika gjermane është një garë e pavolitshme.

I këtij mendimi është edhe eurodeputeti belg Matju Grosh i cili në Parlamentin evropian mirret intensivisht me temën: patenta e shoferit:

"Natyrisht që ekzistojnë tendenca në treg ku disa thonë se nuk duam ta shesim këtë prodhim tek ne pasi që ndoshta duan t`i japin prioritet një prodhimi tjetër. Por kjo është një formë e proteksionizmit e cila nuk guxon të përdoret. Ky është një rregull i përgjithshëm. Askush nuk guxon të shkoj në shtëpi e të thotë: për këtë është fajtore Evropa", nënvizon Grosh.

Zgjidhja për të cilën vendosi përfundimisht qeveria gjermane është: një kategori e re e patent-shoferit e cila mund të mirret që në moshën 16 vjecare. Tani me të edhe 16 vjecarët mund të ngasin mini-automobilat por edhe motocikletat me tre dhe katër rrota. Megjithatë për të marrë një patent të kategorisë S, kandidati duhet t`i nënshtrohet provimit teorik dhe praktik.

Në këtë mënyrë Gjermania edhe pse i është nënshtruar presionit evropian edhe më tej parashtron kushte më të vështira se vendet tjera të Bashkimit Evropian. Për Kristian Vajbreht nga Ministria federale e komunikacionit kategoria e re e patent-shoferit S është kompromisi më i mirë në mes të drejtës evropiane dhe asaj kombëtare:

"Këtu është fjala vetëm për atë se për cfarë patente kam nevojë për ngarjen e sigurtë të një automobili të tillë dhe jo për atë se a janë këta automobila të sigurtë. Këtu duhet thënë se këto makina ka vite që janë në qarkullim në vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe ne sipas të drejtës evropiane nuk mund t`i ndalojmë që këto vetura të qarkullojnë apo shiten në Gjermani", sqaron Vajbreht.

Për momentin ekspertët duan të presin dhe të shohin sa interesant do të jetë kjo kategori e re patenti për të rinjët gjerman. Kjo për faktin se cmimi për këtë patent sillet prej 800 deri në 1000 euro dhe kush më vonë dëshiron të ketë një veturë normale nuk ka kursyer asgjë: ai duhet t`i nënshtrohet nga fillimi procedurës për patent-shoferin e kategorisë B. Dhe përfundimsiht mini-automobilat nuk kushotjnë edhe aq lirë: cmimi i një makine të re aktualisht është mesatarisht 10 mijë euro.