1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropa duhet të shprehet njëzëri për zgjidhjen e statusit të Kosovës

Bekim Shehu18 Prill 2007

Delegacioni i Bundestagut gjerman që qëndroi në Prishtinë tha se qëllimi i politikës gjermane është që Evropa të shprehet njëzëri për zgjidhjen e statusit të Kosovës

https://p.dw.com/p/ArWR
Martti Ahtisaari dhe Frank-Walter Steinmeier në Berlin
Martti Ahtisaari dhe Frank-Walter Steinmeier në BerlinFotografi: AP

Gjermania si kryesuese e radhës së presidencës së BE-së, po punon në linjën që vendet anëtare të BE-së të shprehen njëzëri për të ardhmën e Kosovës. Ky qëndrim u shpreh në Prishtinë nga një delegacion me deputet të Bundestagut gjerman, të fraksionit social demokrat SPD, të cilët qëndruan në Kosovë. Njëri nga deputet, Axel Schafer, tha se sa i përket çështjes së Kosovës shtetet anëtare të Bashkimit Evropian në deklaratën e Bremenit, e kanë qartësuar pozicionin e tyre, e cila sipas tij, është unike.

Politika gjermane bazohet në faktin që si kryesuese e radhës së presidencës së BE por edhe si anëtare e unionit, të merr vendime të përbashkëta me të gjithë anëtarët e BE. Pra qëllimi ynë është që ne si evropë të marrim një vendim të përbashkët për Kosovën, tha Axel Schafer. Ai tha se në takimin e Bremenit, ministri i jashtëm gjerman është shprehur në favor të planit të ndërmjetësit, Marti Ahtisari dhe shpresohet se shumë shpejtë do të ketë një rezolutë të re në KS-it për Kosovën.

Ne përkrahim propozimin e Ahtisarit për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe kjo është shprehur edhe përmes një deklarate të ministrit të punëve të jashtme të Gjermanisë, Shtan Majer. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, tashmë e ka dorëzuar propozimin e Ahtisarit në KS. Gjatë javës së ardhshme në Prishtinë dhe Beograd do të qëndrojë një delegacion faktmbledhës i KS-it dhe ku pastaj pritet që bashkësia ndërkombëtare të merr një vendim për statusin sepse vërtetë ka ardhur koha që të bëhet një zgjidhje për Kosovën, tha Axel Schafer. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ndërkaq beson që në KS-it do të ketë një rezolutë për Kosovën dhe nuk dëshiron të besojë për alternativa tjera të arritjes së pavarësisë.


Delegacioni i Bundestagut gjerman qëndoi të martën në Beograd, të mërkurën në Prishtinë, ndërsa udhëtimin do ta vazhdojnë për në Shkup. Ata thanë se socialdemokratët gjermanë presin që në rajonin e Ballkanit, të sundojë paqja dhe qetësia dhe sipas tyre këtë duhet të kuptojnë drejt, Prishtina, Beogradi dhe Shkupi.