1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

E vështirë që Bush të dëgjojë spontanisht leksionin e komisionit

7 Dhjetor 2006

Komisioni mbipartiak në ShBA paraqiti të mërkurën më 6 dhjetor raportin e pritur me shumë interes mbi Irakun

https://p.dw.com/p/Armd
Raporti i grupit studimor për Irakun, James Baker
Raporti i grupit studimor për Irakun, James BakerFotografi: AP

Grupi i ekspertëve rekomandon një iniciativë të re diplomatike me pjesëmarrjen edhe të Sirisë dhe të Iranit. Kjo është një ndër temat më të komentuara në shtypin e sotëm.

Gazeta e Frankfurtit mbi Oder "Märkische Oderzeitung" komenton:

"Të tërheq vëmendjen fakti, se i sapoemëruari ministër i mbrojtjes në ShBA ishte anëtar i të ashtuquajturit komisioni Baker, që propozoi dje ndryshime radikale të kursit në Irak. Pikërisht ky Gates e konsideron të pamundur fitimin e luftës në vendin e dy rrymave. Kjo nuk është befasuese. Interesant janë në të vërtetë konkluzionet që do të nxirren prej raportit. Komisioni Baker rekomandon tërheqjen e pjesshme të trupave luftarake dhe përqëndrimin e vëmendjes tek mbështetja për ushtarakët irakianë e lidhur kjo edhe me presionin ekonomik ndaj qeverisë në Bagdat."

Nga komenti i gazetës së Bonit "General Anzeiger" shkëpusim:

"Neokonservatorët në Uashington e kanë kuptuar shumë mirë dështimin total të tyre. Por Bakeri pati detyrë që të flasë hapur për dështimin. Tërheqja, le ta themi në mënyrë ekstreme, është e vendosur. Por a do të thotë kjo tërheqje me çdo çmim? Tërheqje edhe nëse vendi mund të përballej me shpërthimin e një lufte civile? Tërheqje edhe nëse Irani, Arabia Saudite dhe Turqia do ta shfrytëzojnë vakuumin e pushtetit, për të mbështetur me dhunën e armëve vëllezërit e popujve dhe besimeve të tyre në Irak? Këto janë pyetjet që po diskutohen prej javësh plot zjarr dhe pa asnjë rezultat në Uashington. Sepse sado që është krijuar konsensus në ShBA, që kjo luftë të përfundohet sa më shpejt, është po aq e qartë, që Iraku nuk mund të lihet të bjerë në kaos."

Lexojmë një pjesë nga artikulli i "Frankfurter Allgemeine Zeitung":

"Komisioni nuk mund të imponojë një tërheqje elegante nga Iraku. Ndonëse tani nuk duket se do të varet më prej kësaj, por prej përballjes me faktet, për të cilat Amerika është në pjesën më të madhe përgjegjëse, në mënyrë që të ripërcaktohen prioritetet për Lindjen e Afërme dhe të Mesme duke kapërdirë atë që është e pashmangshme. Nëse është kjo e pashmangshme dhe me shpresë për sukses ose jo, vështirë ta përfytyrosh, që Bushi deri më sot i shurdhër nga ky vesh do të dëgjojë spontanisht leksionin e komisionit. Nëse ai e ndryshon kursin, atëherë ndryshimi do të jetë i kamufluar. Raporte të tjera do të paraqiten. Do të ish gabim të besonim, se një politikë e re amerikane ndaj Irakut do t´i përmbahej strikt dhe ekskluzivisht raportit të Bakerit, për të cilin po bëhet kaq bujë."

"Nürnberger Nachrichten" shkruan: "Ajo që propozon komisioni nuk mund të jetë formula magjike për zgjidhjen, që nuk e di askush. Gradualisht ushtria e ShBA duhet të tërhiqet për të qenë deri në fillim të vitit 2008 në atdhe, ndërsa Bagdatit duhet t´i kalojnë më shumë kompetenca. Njëkohësisht është e nevojshme, si një masë shoqëruese për të parandaluar zhytjen e plotë të Irakut në kaos dhe copëzim, një ofensivë e gjerë diplomatike duke përfshirë edhe Iranin dhe Sirinë. "Ne nuk negociojmë me shtetet e pabesa, ne i godasim ato", edhe kjo formulë dritëshkurtër u dëshmua si marrëzi."

Së fundi edhe një citat nga artikulli i "Neue Westfälische" që del në Bielefeld:

"Më shumë se 3.000 ushtarakë të ShBA kanë lënë jetën në Irak, CIA është turpëruar, shteti ligjor ka humbur prestigjin, e gjithë Lindja e Mesme është destabilizuar, një numër i madh civilësh kanë gjetur vdekjen, derisa më në fund Uashingtoni e kuptoi, se në Irak nuk mund të fitojë. Si mund të gabojë kështu një president? Arësyeja kryesore për këtë ishte 11 shtatori 2001. Bushi besoi, se me një luftë kundër mikut të terroristëve dhe diktatorit Sadam Husein do të mund të arrinte dy qëllime njëkohësisht: të trëmbte terroristët dhe të çlironte të shtypurit. Nëse politikanët dështojnë në këtë mënyrë, normalisht ata japin dorëheqjen."