Dorëheqja e Köhlerit: Si do të veprohet më tej?
1 Qershor 2010Edhe pse dorëheqja, së paku në këtë formë, është e pazakontë në historinë e RFGJ-së, me dorëheqjen e Presidentit gjerman Horst Köhler nuk krijohet një vakuum pushteti. (Presidenti i dytë i Gjermanisë Federale, Heinrich Lübke, pati deklaruar në vitin 1968, një vit para se t'i përfundonte mandati, se do të largohej nga detyra disa muaj para kohe.)
Detyrën e merr provizorisht Presidenti i Këshillit Federal
Sipas kushtetutës Presidenti zëvendësohet nga Presidenti i Këshillit Federal. Kryetari aktual i këtij këshilli është Kryetari i bashkisë së Bremenit Jens Bëhrnsen nga PSD. Në krye të Këshillit Federal çdo vit vihet njëri prej kryeministrave të landeve.
Bëhrnsen do ta kryejë për aq kohë detyrën e kryetarit të shtetit, përderisa Asambleja Federale të ketë zgjedhur pasardhësin e Köhlerit. Edhe këtu kushtetuta flet qartë. Brenda 30 ditësh Asambleja Federale duhet të mblidhet. Kjo duhet të ndodhë deri me datën 30 qershor.
Asambleja Federale është forumi më i madh parlamentar i Gjermanisë dhe shërben vetëm për zgjedhjen e Presidentit. Në të kanë të drejtë vote të gjithë deputetët e parlamentit, si dhe po aq përfaqësues të landeve federale. Në mbledhjen e fundit, me rastin e zgjedhjes së Köhlerit në maj 2009, asambleja Federale përbëhej nga 1224 delegatë.
Rizgjedhja e Presidentit Federal bëhet me votë të fshehtë pa diskutime dhe me shumicë absolute. Nëqoftëse asnjëri nga kandidatët nuk arrin shumicën absolute në të dy raundet e para të votimit, zgjidhet ai, që në raundin e tretë arrin një shumicë të thjeshtë votash.
Me qëllim përpiluesit e kushtetutës duke u mbështetur në përvojat e republikës së Weimarit nuk kanë parashikuar që kryetari i shtetit të zgjidhet direkt nga populli. Si rregull partitë e përfaqësuara në parlament bëjnë propozime, pa qenë nevoja që kandidatët të vijnë medoemos nga rradhët e tyre. Më tepër është fjala për një personalitet të nderuar, i cili është i përshtatshëm për të përfaqësuar Gjermaninë mbi të gjitha partitë. Presidenti Köhler, që dha dorëheqjen, kishte mbështetjen e Unionit Kristiandemokrat (CDU) dhe të Partisë Liberale (FDP).
Përcaktimi i koalicionit në Renaninë Veriore-Vestfali
Zgjedhja e re e presidentit bëhet interesante edhe nga situata e paqartë në landin më të madh federal, atë të Renanisë Veriore-Vestfalisë.
Ky land dërgon më së shumti delegatë në Asamblenë Federale. Mënyra se si do të përfundojnë bisedimet për koalicionin aktual do të ketë pasoja edhe në votimin e delagatëve të landit tö RenanisëVeriore-Vestfalisë në Asamblenë e ardhshme Federale.
Kërkimi i një kandidati të përshtatshëm do të përcaktohet nö Partinë Socialdemokrate (SDP), në Unionin Kristiandemokrat (CDU), tek liberalët (FDP) dhe tek të Gjelbrit nga raportet e reja në parlamentin e landit në Dysseldorf, i cili nuk është mbledhur ende. Sepse megjithëse ata, që votojnë në Asamblenë Federale, përgjigjen vetëm para ndërgjegjes së tyre për dhënien e votës, rregullisht ato respektojnë rekomandimet e partisë së tyre.
Më së miri do të ishte një kandidat, që të ishte mbi partitë, i cili të mund të grumbullonte sa më shumë vota nga të gjitha partitë demokratike. Me gjitha masat, që ka marrë kushtetuta për rastin e nevojës të zgjedhjes së re të një presidenti, Gjermania ndodhet para një zgjedhjeje të komplikuar.
Autor: Daniel Scheschkewitz/Angjelina Verbica
Redaktoi: Esat Ahmeti