1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dhuna në Kosovë nuk do të tolerohet

31 Janar 2007

Komandanti i forcave paqerujatëse gjenerali gjerman, Roland Kather porosit të gjithë ata që do të tentojnë të destabilizojnë sigurinë në Kosovë që mos ta provojnë, sepse trupat e KFOR-it, janë të përgatitura të reagojnë në çfarëdo situate

https://p.dw.com/p/ArZ8
Prishtinë, 28 nëntor 2006
Prishtinë, 28 nëntor 2006Fotografi: AP
Autoritet e rendit në Kosove, garantojnë qytetarët e Kosovës se gjendja e sigurisë do të mbahet nën kontrollë të plotë të forcave të rëndit, pavarësisht pakënaqësive që mund të ndodhin ndër qytetarët pas publikimit të pakos së ndërmjetësit Ahtisari për statusin. Autoritetet e Prishtinës, thonë se një pikë e ndjeshme që mund të konsiderohet si kërcënim për sigurinë, është pjesa veriore e Kosovës. Mirëpo, këto dilema të Prishtinës zyrtare i heq komandanti i forcave paqeruajtëse gjenerali gjerman, Roland Kather. Ai u dërgon një mesazh të gjithë atyre që kanë ndonjë plan ose kanë ndërmend që të dëstabilizojnë gjendjen e sigurisë, të mos e provojnë sepse forcat paqerujatëse thotë ai, do të përgjigjen me të gjitha mjetet, konform situatës që mund të paraqitet në terren. "Unë mendoj se njerëzit do t'i kuptojnë drejt mesazhet e ndërmjetësit Marti Ahtisaari. Nëse situata vazhdon të jetë kështu sic është, nuk do të ketë nevojë për shtimin e masave të sigurisë por, nëse do të ketë tentime të tjera dhe dhunë, ne u themi atyre, as mos provoni, ne jemi këtu*", thotë komandanti i KFOR-it, gjenerali, Roland Kater. Autoritet e Prishtinës pranojnë se pakoja e ndërmjetësit, Ahtisari, nuk do të kënaqë interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe në këtë linjë ata thonë se pakënaqësia mund të shprehet në forma të ndryshme, mirëpo dhuna sipas tyre, nuk do të tolerohet. "Ne jemi të vetëdijshëm se propozimi i Marti Ahtisaarit mund të zgjojë reagime qoftë individuale, grupore apo etnike. Ne nuk e mohojmë të drejtën e qytetarëve të shprehin mendimin e vet apo edhe të protestojnë, por konsiderojmë se nuk ka asnjë arsye për të kërcënuar me dhunë apo për të përdorur dhunë në Kosovë. Në këtë mes në radhë të parë pjestarët e komunitetit serb duhet të binden se pavarësia e Kosovës nuk do të sjellë asgjë të keqe për komunitetet, përkundrazi propozimi i Ahtisaarit do t'u heqë atyre çfarëdo argumenti që ata mund ta kenë për ta kundërshtuar pavarësinë e Kosovës dhe bashkëjetesën me të tjerët në Kosovë", thotë kryeministri, Agim Ceku.* Sidoqoftë, forcat e rendit në Kosovë kanë shtuar masat e sigurisë në të gjitha rajonet e Kosovës. Ata thonë së kanë plane se si do të reagojnë në cfarëdo situate që mund të paraqitet, nuk japin detaje të planeve operative, mirëpo, prania e shtuar e forcave paqerujatëse, policisë ndërkombëtare dhe SHPK-së, vërehet në të gjitha rajonet e Kosovës.