Dënimi i vrasësit të kineastit van Gogh & Ngjitja e anijes kozmike ″Discovery″ | Studimi në Gjermani | DW | 27.07.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Dënimi i vrasësit të kineastit van Gogh & Ngjitja e anijes kozmike "Discovery"

Ndër temat më të komentuara në shtypin e sotëm gjerman janë: Shpallja e dënimit në procesin kundër vrasësit të kineastit holandez van Gogh dhe nisja e anijes kozmike "Discovery".

Nisja e Discovery nga baza e SHBA Cape Canaveral

Nisja e "Discovery" nga baza e SHBA Cape Canaveral

Gazeta "Süddeutsche Zeitung" lidhur me temën e parë shkruan: "Asnjë shtet tjetër në Evropë nuk ka ndjekur një politikë kaq dashamirëse emigracioni sa Holanda për disa dhjetëvjeçarë me radhë. Prej kësaj politike kanë përfituar edhe kriminelë. Me zemërgjerësi janë dhënë pasaporta, janë ndërtuar xhami, janë financuar shkolla islamike. Me krenari Holanda ndërtoi të ashtuquajturat shtylla që mund të rezistojnë me forcat e veta: atë myslimane, katolike, protetstante dhe kalviniste. Por këto shtylla nuk krijuan modelin shembullor që pritej, ato vetëm sa u bënë bazë e një shoqërie, në të cilën grupet mund të jetojnë pranë njëri-tjetrit, por duke thelluar dallimet kulturore midis tyre. Shumë gjatë politika i mbylli sytë ndaj këtij konstrukti të gabuar, gjë që po paguhet tani", komenton "Süddeutsche Zeitung".


Vrasësi i kineastit van Gogh u dënua me burgim të përjetshëm. Ky vendim është i drejtë shkruan "Sächsische Zeitung" duke argumentuar: "Gjyqtarëve s´u mbeti tjetër veç dënimit maksimal, nisur nga krimi shtazarak që buron prej një ndjenje të thellë anti-njerëzore. I pandehuri nuk shfaqi asnjë grimë pendese gjatë gjithë procesit. Përkundrazi: ai nuk la aspak të dyshohej, se ka vepruar prej bindjes fetare dhe në këtë mënyrë do të veprojë gjithmonë", shkruan "Sächsische Zeitung".

Duke komentuar të njëjtën temë gazeta "Handelsblatt" i referohet problemeve të myslimanëve në nivel global: "Pothuajse njëkohësisht me shpalljen e vendimit në Holandë, Këshilli Qendror i Myslimanëve në Gjermani u bëri thirrje besimtarëve myslimanë që në luftën kundër terrorizmit të bashkëpunojnë me autoritetet e rendit dhe të sigurisë dhe të raportojnë në polici për tendencat radikale që shfaqen nëpër xhami. Por vlen të theksohet, se një gjë e tillë është e vetëkuptueshme. Kushdo që jeton në këtë vend dhe dëgjon, apo ka njohuri mbi plane për krime është i detyruar t´ua komunikojë këtë autoriteteve përkatëse. Ndaj kjo thirrje padashje hedh dritë domethënëse në stadin e integrimit të të huajve në Gjermani. Ndërkohë që atentati me bombë në Sharm el Sheik të Egjiptit sërish bëri të qartë, se si myslimanët edhe të krishterët mund të bien viktimë e kamikacëve radikalë. Një gjë të tillë e përjetojmë çdo ditë në Bagdat. E për habinë tonë kjo ndodh pa shkaktuar indinjatë tek bashkësia e botës islame. Po vjen koha që Perëndimi të kërkojë fjalë më të qarta prej botës myslimane", vëren "Handelsblatt".

Lidhur me ngjitjen e suksesshme të anijes kozmike "Discovery" në artikullin e së përditshmes "Cobuger Tageblatt" theksohet: "Si në vaj shkoi ngjitja dje e "Discorey", por shoqëria amerikane e astronautikës, NASA, mund të marrë frymë lirisht, vetëm pasi zonja Kollins dhe ekipi i saj më 7 gusht në orën 11:46 do të jenë sërish shëndosh e mirë me këmbë në tokë. 1,4 miliardë dollarë u ka kushtuar takspaguesve të SHBA ristrukturimi i fundit i flotës kozmike që po vjetërohet. Një shumë kjo që e cënon rëndë raportin gjithësesi katastrofal mes kostove dhe dobisë së anijeve kozmike", nënvizon "Coburger Tageblatt".

Ndërsa "Saarbrücker Zeitung" komenton: "Presidenti i SHBA Xhorxh Bush në vitin 2004 përkufizoi plane të reja: deri në vitin 2010 qeveria e tij do t´i përgjigjet detyrimit të vendit ndaj stacionit ndërkombëtar në hapësirë dhe më pas do të jenë në fokus Hëna dhe Marsi. Këto ambicje që fluturojnë kaq lart do të pësonin një goditje të rëndë në rast, se do të anullohej fluturimi i anijes "Discovery". NASA mendoi, se rreziku pavarësisht nga problemet e pazgjidhura është i kalkulueshëm dhe shumë i vogël. Por nisur nga projektet ambicjoze të së ardhmes të ngjall frikë arësyetimi ndaj sfidave teknike, si p.sh. pyetja se përse një sensor i serbatorit të "Discovery" jep të dhëna të gabuara", shtron pyetjen "Saarbrücker Zeitung".

Në të përditshmen "Fränkische Tag" shkruhet: "Përpjekjet për nisjen e anijes "Discovery" zbuluan edhe anën më të bukur të shpirtit pionier të amerikanëve: se duhet kapërcyer çdo kufi. Nën ethet e një zelli të fortë për të qenë i pari dhe më i miri njeriu edhe mund të gabojë, por ia nuk ia lejon vetes që ta gabojnë të tjerët. E të ndalur kurrësesi nuk ka, paçka se kureshtja për të mësuar, se nga se përbëhet bota së brendëshmi, ka ndonjëherë një çmim shumë të lartë. Ky është mësimi amerikan, gjë që tregon një shpirt të pythyeshëm eksploratori. Aq më shumë që tani Amerikës i duhet sërish një triumf. Por ky do të jetë i plotë, vetëm pasi të shtatë astronautët të kthehen në tokë", komenton "Fränkische Tag".

  • Data 27.07.2005
  • Autor VFB
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AruT
  • Data 27.07.2005
  • Autor VFB
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AruT