1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Capf: Vetoja ruse nuk do t'i kontribuonte paqes në rajon!

Bahri Cani20 Prill 2007

Partia socialdemokrate gjermane është e interesuar për zgjidhjen sa më të shpejtë të statusit të Kosovës. Këto ditë ajo ka dërguar në Prishtinë një delegacion parlamentar, për të shikuar mundësitë për realizimin e planit të Ahtisarit, shprehet në një intervistë për Dojçe Velen, Ute Capf, anëtare e Komisionit parlamentar gjerman për politikën e jashtme.

https://p.dw.com/p/ArWK
Ute Capf (Ute Zapf)
Ute Capf (Ute Zapf)Fotografi: Bundestag

A ekzistojnë kushtet për realizimin e planit të Ahtisarit?

Capf: Gjendja është mjaft e ndërlikuar. Së pari për shkak të situatës në Serbi, ku presidenti dhe qeveria kanë kundërshtuar pavarësinë e Kosovës. Insistimi i tyre që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë ka komplikuar tejmase gjendjen. Së dyti, kam frikë se Këshillit të Sigurimit do t'i duhet edhe më shumë kohë për të marrë një vendim për statusin përfundimtar. Ndërkohë që shtyrja mund të shkaktojë trazira në Kosovë. Së treti, situata është komplikuar edhe më shumë për shkak të kundërshtimit të Rusisë. Ne edhe më parë e kemi ditur se Rusia do të mbajë anën e palës serbe, por kemi shpresuar se nuk do të shkojë kaq larg. Me insistimin e saj tani në Kosovë duhet të dërgohet një delegacion i KS të OKB, që ka shkaktuar shtyrje të reja të zgjidhjes së statusit. Kur merren të gjitha këto parasysh, mendoj se statusi i Kosovës nuk do të zgjidhet shumë shpejt. Por shpresoj se shtyrja nuk do të jetë tepër e gjatë, sa të shkaktojë konflikte të reja.

Beogradi ka kërkuar shtyrjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe fillimin e negociatave të reja, por me një ndërmjetësues tjetër. Sa reale janë këto kërkesa në fakt?

Capf: Mendoj se nuk janë reale, sepse e gjitha kjo do të hidhte poshtë punën shumë të mirë që ka bërë deri më tani bashkësia ndërkombëtare. Kjo do të thoshte fillim të një procesi të ri, ndërkohë që nuk shihet asnjë perspektivë e qartë. Nuk e besoj që Grupi i Kontaktit do t'i pranojë këto kërkesa. Rusia ndoshta po, por vendet tjera me siguri që jo. Kam frikë se kjo do të përcillej me një rrezik shumë të madh edhe nga mundësia e shpërthimit të trazirave të reja.

Situata rreth zgjidhjes së statusit të Kosovës në këtë moment duket më e komplikuar sesa mendohej: shqiptarët kërkojnë zgjidhje të shpejtë të statusit, serbët janë kundër. Beogradi kërkon vazhdimin e negociatave, Prishtina dhe pjesa dërmuese e bashkësisë ndërkombëtare janë kundër. Rusia kërkon marrëveshje mes palëve, ndërkohë që negociatat e Vjenës dëshmuan se Beogradi dhe Prishtina nuk mund të merren vesh. Sa realiste është shpresa për kompromis?

Capf: Pas bisedimeve të fundit me kryetarin e parlamentit të Kosovës, Kolë Berisha fitova përshtypjen se kompromisi është i pamundur. Kosovarët nuk janë tepër të kënaqur me planin e Ahtisarit, por e kanë përtypur atë për faktin se ai hap perspektivën e pavarësisë së Kosovës. Sikur kjo perspektivë të mos ekzistonte, shqiptarët me siguri që nuk do ta pranonin. Do të thotë: për kosovarët është e papranueshme çdo gjë që del jashtë kuadrit të planit të Ahtisarit.

Këtë ju pyeta për shkak se Rusia thotë se nuk do të pranojë asnjë zgjidhje, e cila nuk është e pranueshme për të dy palët. Meqënëse një zgjidhje e tillë në këtë moment është e pamundur, Beogradi shpreson se Rusia do të përdorë veton në KS të OKB. A janë realiste këto pritje?

Capf: Nuk jam aq e sigurtë. Besoj se do të ketë shtyrje dhe përpjekje që sa më shumë të merren parasysh interesat e Serbisë. Një problem tjetër i madh është që Serbia nuk i ka kuptuar interesat e veta. Nuk e besoj se në planin afatgjatë për Beogradin do të ishte më mirë në qoftë se Kosova mbetet në kuadër të Serbisë, sepse ajo do të ishte një vatër e përhershme krizash. E dyta, Serbia nuk mund t'u ofrojë kosovarëve kushtet financiare që u ofron BE. Dhe tre, për Serbinë më mirë do të ishte të koncentrohet në afrimin më të shpejtë me BE, sepse kjo do t'i ndihmonte në zgjidhjen e shpejtë të problemeve të mëdha ekonomike dhe financiare.

Po çfarë do të ndodhë në qoftë se Rusia me të vërtetë përdorë veton në KS të OKB?

Capf: Do të gjendeshim në një situatë shumë delikate. Nuk e di nëse vendet tjera do ta pranonin një nga një pavarësinë e Kosovës, siç kanë sinjalizuar SHBA-të, por jam shumë e sigurt se vetoja nuk do t'i kontribuonte paqes në rajon. Kam frikë se stabiliteti në rajon do të përjetonte një grusht shumë të rëndë. Prandaj shpresoj se Rusia do të jetë kaq racionale dhe sensibël sa të mos përdorë veton.

Vetoja e Rusisë me siguri që do të kishte pasoja edhe më të thella, sepse do të shkaktonte krizë në raportet mes Uashingtonit dhe Moskës si dhe Brukselit dhe Moskës. Ajo që është edhe më e rëndësishme për ju dhe për ne, është se e gjitha kjo ndodhë në tokën e Evropës. Pra çfarë do të duhej të bënte BE në një situatë të këtillë?

Capf: Kjo është një pyetje shumë e vështirë, por personalisht mendoj se BE-ja do të mund t'u ofronte kosovarëve dhe Serbisë mundësi të reja integrimi. Ndërkohë që me mjete diplomatike do të përpiqej të tejkalonte gjendjen e krijuar. Unë megjithatë shpresoj se nuk do të mbërrijmë deri tek kjo gjendje.